Kur fati i trishtë i fatkeqit është i parathënë dhe e ardhmja nuk është më bujare se sa vdekja

Nga Albert Vataj

Óscar Alberto Martínez Ramírez dhe vajzën e tij Valeria u nisën për një jetë më të mirë dhe vdekja u zuri pritë. Vdekja e ndali këtë baba dhe bijën e tij të vazhdonin më tej në rrugën e ëndrrës. Ata u shuan ashtu së bashku për të lënë pas një jetë të vështirë dhe për të ngrirë në një fokus trishtimi, paniku dhe tmerri një botë të tërë.
Në fotografinë e shkrepur nga një gazetar, në kufirin ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës, shikojmë trupin e një ati, pranë së bijës. Kërkonin strehim në Amerikë, dhe gjetën vdekjen në Rio Grande.
Trupat e baba e bij u gjetën në bregun e lumit pranë Matamoros, Meksikë, afër Brownsville, Texas, vetëm një km. nga një urë ndërkombëtare.
Fotografia e realizuar, e cila është shpërndarë në një shpejtësi të përbindshme duke pushtuar planetin me shtresim të shumëfishtë trishtimi dhe dhimbjeje, tregon 26-vjeçarin, Óscar Alberto Martínez Ramírez, babain fatkeq dhe vajzën e tij Valeria, të shtrirë me fytyrë poshtë në ujë të cekët. Krahu i foshnjës 23 muajsh është i rrethuar rreth qafës së babait të saj, duke treguar se ajo ishte kapur pas të atit në momentin fatal.
Sipas Julia Le Duc, një reporter për “La Jornada”, babai Martínez Ramirez kishte ardhur në Matamoros të dielën, duke shpresuar që të kërkonte azil nga autoritetet amerikane me gruan e tij, Vanessa Ávalos dhe vajzën e tyre.
Por kur e kuptoi se duhej një procedurë e gjatë dhe javë të tëra pritje për fillimin e procesit të azilit, Martínez vendosi që të sfidonin me not.
“Ai kaloi së pari me vajzën dhe e la atë në anën amerikane. Pastaj u kthye për të marrë gruan e tij, por vajza hyri në ujë pas tij. Kur ai shkoi për ta shpëtuar atë, rrjedha i mori të dy” ka thënë “The Gardian” Le Duc.
Agjencia e OKB-së për refugjatë e krahasoi fotografinë me imazhin e vitit 2015 të 3-vjeçarit sirian, Alan Kurdi, i cili u gjend i mbytur në brigjet e ishullit grek Kos. Një foto kjo që shndërroj emigracionin në një debat të nxehtë global. Ende nuk dihet se fati i këtyre fatkëqijve do të përfshijë çështjet e emigracionin në SHBA me të njëjtën valë, por bota do të ketë një tjetër shtysë për të qenë më e ndjeshme dhe më humane, për të qenë më reaguese dhe më sensitive, për të qenë një botë ku të gjithë meritojnë të ndjekin ëndrrat dhe të meritojnë një jetë më të mirë ngase u jep vendlindja e tyre.

Ngjarja është përcjellë me shumë dhimbje edhe nga Ati i Shenjtë. Trishtim të pafundmë! Këtë ndjeu Papa Françesku – njofton drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti – pasi pa fotografinë e babait me të bijën, të mbytur në lumë, ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin ndërmjet Meksikës e SHBA-ve. “Papa – u shpjegoi Gisotti gazetarëve – është thellësisht i pikëlluar për vdekjen e tyre, lutet për ta e për të gjithë emigrantët, që humbën jetën në përpjekjen për të ikur nga lufta e mjerimi.

Angie Valeria – si Aylan, shkruan “Radio Vatikani”
Pantallonat e Angie Valeria kanë të njëjtën ngjyrë, që kishte bluza e Aylan. Nuk është vetëm e kuqja, ngjyrë gjaku, që i lidh dy jetët e këputura e të ledhatuara, në çastet e fundit, vetëm nga valët e lumit. E kuqja bëhet simbol i dëshirës së prindërve për t’u dhuruar fëmjëve të tyre një jetë më të mirë. Lind, kështu, drama e emigrimit, që herë pas here i shkatërron jetët, në vend që t’i shpëtojë. E Papa nuk pushon së denoncuari, duke kërkuar vazhdimisht të ndezë një dritë mbi fatet e humbura, që gjithë bota t’i shikojë mundimet e dëshpërimin e burrave e të grave në ikje, me shpresë se do të gjejnë një jetë më të mirë. Më 2 shtator 2015, fotoja e Aylan Kurdi-t, fëmijës së mbytur në ujë e të rigjetur në plazhin turk të Bodrumit, pati shkaktuar emocion të thellë e indinjatë edhe më të thellë. E sot, të njëjtën indinjatë shkakton trupi i njomë i vajzës 2 vjeçare, vdekur pranë e pranë babit të saj, Oscar.

Ikja nga Salvadori
Oscar Alberto Martinez, sipas rrëfimit të gazetares Julia Le Duc, që bëri fotografinë, të cilën më pas edhe e botoi në gazetën meksikane Jornada, priste që prej dy vjetësh strehimin, që ua kishte kërkuar autoriteteve të SHBA-ve. Të dielën, së bashku me vogëlushen e me gruan, Tania Vanessa Avalos, u vu për udhë. Deshi ta kalojë lumin e të hyjë në Brownsville, në Teksas. Oscar e Angie Valeria munden të arrijnë në breg, po Vanessa mbeti prapa. Ai atëhere u përpoq të kthehej e ta merrte, pasi kishte lënë vajzën në breg. Po vogëlushja u hodh sakaq në ujë, pas të atit. E rryma e fortë i mori me vete ata e ëndrrat e tyre, shpresat e planet për ardhmërinë, para syve të tmerruar të nënës që, zemërplasur, i shikonte nga bregu tjetër! Pa mundur t’i shpëtojë!

Shtegtim tepër i rrezikshëm
Trupat e vdekur do të rikthehen në atdhe ditët e ardhshme, ndonëse Ministria e jashtme e El Salvadorit fton të mos rrezikohet askush në një shtegtim kaq të vështirë. Edhe katër vetë të tjerë u gjetën pa jetë pranë Rio Grande: një grua e re me dy fëmijë dhe një i posalindur. Autoritetet pohojnë se viktimat ka shumë mundësi të kenë vdekur për shkak të etjes gjatë shtegtimit nën diellin përvëlues të kësaj vere vrasëse!

Ky është fati i fatkeqit, fati i atyre që jeta i ka ndëshkuar me një atdhe që i dëbon dhe një e ardhme që nuk është më e bujare se sa vdekja.