Kur Byroja Politike debatonte për gratë e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos

Libri “Pranvera e rrejshme e 56-s”, pavarësisht titullit simbolik në dukje letrar, është një libër i mirëfilltë historik, jo vetëm për subjektin që trajton, por dhe për aparatin tekniko-shkencor të tij. Krahas një studimi të thelluar për Konferencën e Partisë së Tiranës të shkruar nga prof.dr. Ana Lalaj, në libër publikohen edhe dokumente nga arkivat shqiptarë, si Arkivi Qendror Shtetëror, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe nga arkivat ruse, amerikane dhe jugosllave. Libri ka për recezent shkrimtarin dhe opinionistin e njohur Fatos Lubonja.

Tema që trajtohet në libër është sa e rëndësishme aq edhe delikate. Konferenca e Tiranës, e mbledhur më 14 deri më 19 prill 1956, ishte reflektimi i parë në bllokun komunist pas fjalimit të Hrushovit “Mbi kultin e individit dhe pasoja e tij”, mbajtur në Kongresin XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Konferenca e Tiranës filloi si një perceptim i atij kongresi dhe përfundoi si një konferencë staliniste. Në gjashtë ditët e konferencës dallojmë dy pamje: njëraështë liria dhe guximi i delegatëve për të pyetur, evidencuar dhe kritikuar hapur dobësitë, me qëllimin e mirë për të ndrequr gjithçka brenda partisë; dhe pamja e dytë është alarmi dhe frika e udhëheqjes së PPSH ndaj frymës së kritikave, pakënaqësisë së bazës së partisë dhe të popullit, si dhe goditja që iu dha atyre që guxuan të mos e pranojnë refrenin propagandistik për “pagabueshmërinë” e Partisë. Ajo nisi me pyetje të hapura të delegatëve të Konferencës, të cilët kishin mbetur të pakënaqur nga raporti rutinë i sekretares së parë të Komitetit të Tiranës, Firete Shehu. Pati dhe kritika. Diskutimet ishin realiste dhe u duartrokitën nga të pranishmit në sallë.

Çdo gjë ndryshoi kur Enver Hoxha u kthye nga Vlora dhe vendosi të ndjekë punimet e konferencës. I informuar më parë nga Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, Hoxha veproi sipas një platforme të mirëmenduar për të çoroditur delegatët dhe sfumuar frymën kritike. Fillimisht e mori butë, por shumë shpejt u përplas me diskutuesit që vazhduan diskutimet kritike. Atëherë Hoxha hoqi maskën dashamirëse të udhëheqësit të popullit dhe iu kundërvu delegatëve kritikues. Në bashkëpunim intensiv me delegatët e indoktrinuar dhe besnikë të tjerë të partisë, për disa ditë rresht, Hoxha arriti t’i izolojë kritikët dhe ta shndërrojë sallën e konferencës në një hetuesi politike të kryesuar prej atij vetë. Në një situatë të tillë, është e kuptueshme që mungoi dhe jehona për Konferencën e  Tiranës në radio dhe e gazeta. Terri informativ mbuloi edhe masat ndëshkuese që u morën menjëherë pas konferencës për delegatët kritikues. Me kohë, ky terr informativ u shoqërua me akuza të shumta, ku midis tyre dallohej ajo se Konferenca ishte një “lëvizje e fshehtë kundërrevolucionare”, e organizuar nga ambasada jugosllave në Tiranë, “që synonte të përmbyste gjendjen e të merrte në dorë frenat e partisë dhe të pushtetit popullor”. Në kushtet kur shqiptarët që nga viti 1948 ishin pompuar me propagandën kundër jugosllavëve, akuza për “gishtin” e armikut jugosllav ishte lehtësisht e pranueshme dhe si e tillë ngjiste tek shumë njerëz. Madje mund të themi se megjithëse deri më sot kjo tezë nuk është vërtetuar, ajo vazhdon herë pas here të përsëritet me këmbëngulje me zë apo nën zë.

Në librin e historianes Lalaj “Pranvera e rrejshme e ‘56-s” ka edhe një varg dokumentesh të përzgjedhura që dëshmojnë për konferencën, paskonferencën, por edhe për marrëdhëniet që segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare të kohës kanë me partinë shtet dhe kështu ato plotësojnë kornizën politike, ekonomike, sociale brenda së cilës jetonte populli shqiptar në vitin 1956.

Ana Lalaj

-Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të Partisë, 22 maj 1956. Dokumenti i mëposhtëm trajton temën e shumëpërfolur të familjaritetit në Komitetin Qendror. Në prag të Kongresit III Hoxha dëshiron të marrë disa masa zbutëse. Bie në sy që Mehmet Shehu është i prerë për të mos pasur çifte burrë-grua me të drejta vendimmarrëse në KQ. Vështirë të dallosh nëse motivi është parimi apo fakti se bashkëshortes së kryeministrit Shehu, gjithsesi do t’i duhej të zbriste një shkallë në hierarkinë e udhëheqjes pas asaj që ndodhi në Konferencën e Tiranës.

SHOKU HYSNI KAPO: – Për sa i përket kandidaturave me afërsi familjare të shtrohet çështja ka apo nuk ka rrezik. Nuk më duket drejt, unë kam lidhje familjare edhe me Pirro Kondin, dhe kjo s’ka të bëjë me punën. Në rast se ka një sëmundje të tillë në Komitetin Qendror, këtë duhet ta godasim, por me zgjerimin që i bëhet tani Komitetit Qendror mendoj se nuk ka rrezik familjariteti. Prandaj s’ka pse të shtrohet çështja Mehmet-Fiqret, Hysni-Vito ose Liri-Maqo.

SHOKU GOGO NUSHI: – Zgjerimi është një anë tjetër, por edhe çështjen e afërsive të gjinisë duhet ta shohim.

SHOKU RITA MARKO: – Unë mendoj se ka rrezik, prandaj më mirë është të mos ekzistojnë gjëra të tilla. P.sh. për manifestimet jo të shëndosha dhe shthurjet e Arben Putos, Pirro Kondi nuk i sjell me forcën e duhur.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Unë nuk jam dakord me Ritën. Unë them se nuk ka rrezik nga një gjendje e tillë. Këtë e them nga ana parimore se një gjendje e tillë nuk duhet të ekzistojë. Unë çështjen nuk e shtroj se ka rrezik, sepse shokët që kanë gratë ose burrat e tyre në plenum, nuk kanë dhënë asnjë shenjë familjariteti. Po ta shtrojmë çështjen mirë, duhet të mos ketë të tilla gjëra, por jo se te ne, ose unë p.sh. jam në pozita familjariteti. Këtë çështje ta kemi të qartë dhe të qartë duhet ta bëjmë përpara kongresit dhe Partisë, ndryshe bëjmë ashtu siç thotë armiku.

SHOKU BEQIR BALLUKU: – Unë nuk nisem nga ajo që në Komitetin tonë Qendror ka pasur frymë familjariteti, por kjo gjë ne duhet të na preokupojë. Nuk është mirë që në Komitetin Qendror të ketë dy njerëz nga e njëjta familje. Prandaj çështjen e shoqeve ta shikojmë në masën që duhet, por mos të ikim edhe nga ana tjetër që shoqet që janë t’i heqim. Familjaritet në plenumin tonë nuk ka pasur, por parimisht kjo nuk është mirë të ndodhë. Unë jam i mendimit që Fiqreti, Vito dhe Eleni Terezi të mos jenë në plenum, kurse Nexhmija të jetë, sepse është një shoqe e vjetër, ka një kockë partie ndryshe nga shoqet e tjera. Të marrim p.sh. Fiqretin, ajo është shoqe e vjetër, por në vijën e Partisë ka gabuar tre herë dhe pikërisht këtu në Tiranë dy herë edhe tani më së fundi. Sa për Viton, dhe për atë, mendoj se edhe ajo nuk është në një kategori me Nexhmijen as si aktivitet, prandaj edhe kjo mundet të mos jetë në listë. Edhe atje ku e kemi vënë, përsëri Vito është afër Komitetit Qendror. Ajo ka rrugën dhe qëndrimet e saj në Parti, por me këtë rast unë mendoj që të hiqet. Edhe për Elenin mendoj të mos jetë në Komitetin Qendror, të mbetet drejtoreshë e kombinatit atje ku është ose ta vëmë me punë në ndonjë vend tjetër. Pra, unë mendoj që nga këto shoqe, vetëm Nexhmija mund të mbetet në Komitetin Qendror. Për sa u përket shokëve ushtarakë, mendoj që të kishte më pak kandidatura nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. P.sh. unë mendoj që Mihallaqi të mos jetë në plenum, mund të mos jenë gjithashtu edhe Etem Gjinushi me Hito Çakon.

SHOKU PILO PERISTERI: – Në rast se ne do të shohim ç’thonë të tjerët, atëherë s’bëjmë gjë. Ne nuk duhet t’i shohim kështu punët. Çështja e dytë që dua të them është që ne të zgjedhim njerëz që kanë punuar dhe ndihmuar me të vërtetë Partinë dhe për sa u përket atyre që kanë të meta, ata duhen sqaruar, pavarësisht se është gruaja e Enverit ose e Mehmetit. Kështu jemi drejt me rrugën e Partisë. Te ne ndodhën e u bënë këto gjëra, mundet që edhe gjetkë të ngjasin, p.sh.Jorgjia Premti nesër mund të martohet me një tjetër pa ti t’i mbyllësh rrugën. Prandaj ky mendim nuk është i drejtë. Unë them në rast se kemi gjë për këto shoqe që të dëshmojnë se nuk vlejnë t’i heqim, por në rast se kanë punuar mirë atëherë duhet t’i lëmë në plenum. Për shokët e ushtrisë edhe unë jam dakord me sa tha shoku Enver, kurse gratë që janë të zonjat t’i lëmë në Komitetin Qendror. Jashtë le të flasin, por në Komitetin Qendror familjaritet nuk ka pasur. Shokët që kanë gratë e tyre në plenum, i kanë goditur edhe më shumë nga ç’duhet kur kanë gabuar.

SHOKU ENVER HOXHA: – Unë këtë çështje e mendoj kështu: Familjariteti në Komitetin Qendror nuk është shfaqur, por influencime kanë ekzistuar. Këtë çështje unë e marr nga ana ime dhe e kam thënë edhe herë tjetër, që kur i jep ndonjë urdhër Nexhmijes nuk e zbaton ashtu sikurse bën Liria, Fiqreti ose Eleni. Por kjo nuk është bërë e rrezikshme. Prandaj në këtë drejtim duhet që këto shoqe të bëjnë më shumë kujdes në këtë drejtim dhe këtë nuk e them si shqipo, por themse burrat influencojnë më shumë te gratë dhe me përjashtim të Lirisë që është anëtare e Byrosë Politike, shoqet e tjera janë më të ulëta.

Është fakt që në plenum disa nga ne janë burrë e grua, kunat e kunata, motër e vëlla etj. Po të mos ishte një gjendje e tillë, do të ishte më mirë, por këtë çështje unë e kam menduar thellë dhe mendoj se çështjen duhet ta gjykojmë lidhur edhe me aktivitetin e këtyre shoqeve të luftës. Prandaj kandidatura e tyre duhet parë në qëndrimet e tyre gjatë luftës, në qëndrimet e tyre politike dhe në ato të Partisë dhe nuk duhen gjykuar kështu në bllok se u mblodhën gratë tona. Po ta marrim nga aktiviteti i tyre, ato kanë qenë në Komitetin Qendror, por në punë ato kanë edhe dobësi.

Unë do të isha i mendimit kështu, që këto shoqe të mos hiqeshin nga Komiteti Qendror dhe me përjashtim të Lirisë, të gjitha të tjerat t’i bëjmë kandidate të Komitetit Qendror, d.m.th. të evitojmë çështjen e votës. Kjo nuk është formale se çështja e votës në udhëheqje është vendimtare. Po ta marrim kështu, unë kisha këtë vërejtje që Fiqreti të ulet nga anëtare në kandidate e plenumit për gabimet që ka bërë. Unë mendoj të qëndrojë kandidate, sepse ka një të kaluar dhe ka luftuar për Partinë, por që ka bërë edhe këto gabime që dimë. Shoqet e tjera kanë edhe ato të meta në punë, por gabime politike ato nuk kanë bërë si Fiqreti.

Prandaj unë mendoj që këto shoqe, me aktivitetin e tyre që kanë mos të hiqen fare por të zbresin në kandidate të Komitetit Qendror. Po Nexhmija përse të zbresë kandidate? Çështja është jo vetëm mos të ketë votë, por ajo duhet të gjallërohet një çikë më shumë në punë, d.m.th. të lidhet më shumë me punën dhe me bazën. Me një fjalë, të jetë më aktive. Kjo duhet bërë për faktin jo vetëm se është gruaja ime dhe pra, për të mos pasur familjaritet te ne, por sepse edhe asaj duhet t’i shërbejnë këto vërejtje që bëra, se e njoh, mbasi e kam në shtëpi.

Për sa u përket oficerëve, them të qëndrojmë aty ku jemi megjithëse ata të kaluarën e luftës e kanë të tillë që mund të jenë në Komitetin Qendror dhe atje ku janë ata kanë dhënë. Që të tre ata që tha Beqiri si Mihallaqi, Ethemi dhe Hito nuk kanë dhënë, por duhet parë pak edhe sektori. Është e vërtetë që në plenum flet Pirro Kondi, por ai ka gjithë jetën e Partisë në dorë, ose Fadil Paçrami që ka në dorë gjithë shtypin e Partisë se është i lidhur me të gjitha problemet.

Për Ethem Gjinushin unë mendoj se jemi shpejtuar, ashtu siç mund që shpejtohemi edhe tani për disa njerëz. Ne Ethemin mund ta heqim dhe atij nuk duhet t’i vijë keq, sepse politikisht nuk kemi ndonjë gjë për të. Këtu ne kemi shokë më të dobët se ai, por Ethemin ne duhet ta shkundim, t’i kërkojmë llogari, ta ndihmojmë dhe pastaj po të ecë përpara mirë, e sjellim prapë, po të mos ecë le të qëndrojë ku është. Të vazhdojë lufta në punë në mënyrë kritike që kur të vijë ai tjetri në Komitetin Qendror ta kuptojë mirë përgjegjësinë. Kështu edhe Ethemi duhet ta kuptojë këtë gjë, se i është dhënë ndihmë e madhe. Katër vjet ka qenë në shkollë dhe tani duhet të japë prova. Prandaj edhe unë jam dakord me propozimin e Beqirit se ka dobësi në punë.

SHOKU GOGO NUSHI: – Edhe unë ashtu si shoku Enver mendoj, por mendoj që Hito Çako pse mos të jetë në listë. Ai ka punuar mirë atje ku është, kurse Panajot Plaku nuk ka punuar mirë dhe është për këtë që unë them se Nexhmija duhet të mbetet anëtare e Komitetit Qendror.

Për sa u përket shoqeve të tjera, unë mendoj se edhe Vito, edhe Eleni duhet të jenë në plenum, kurse Fiqreti jam dakord që të zbresë kandidate. Kështu mendoj që të mbeten në plenum edhe Hito me Ethemin. Unë mendoj që njerëzit duhet t’i aktivizojmë më shumë.

SHOKU MANUSH MYFTIU: – Unë nuk jam dakord me Pilon që ne mos të dëgjojmë se çfarë thuhet përjashta. Këtu është Komitet Qendror dhe njerëzit nuk duhet të thonë asgjë për Komitetin Qendror se kur thonë se këtu ka akraballëqe, d.m.th. në këtë rast preket prestigji i Komitetit Qendror. Prandaj ne edhe nga kjo anë duhet ta shohim përbërjen, për një besim akoma më të madh ndaj Komitetit Qendror. Unë mendoj se çështjen e shoqeve ta shohim më shumë nga ana e interesit të Partisë, se për sa i përket aktivitetit të këtyre shoqeve, kjo nuk diskutohet. Unë gjithashtu nuk jam as për Jorgjia Premtin, që të jetë në plenum se do të zvogëlojmë lidhjet. Sa për Nexhmijen dhe Fiqretin, jam dakord me shokun Enver.

SHOKU HYSNI KAPO: – Është e drejtë që ne të shohim interesin e Partisë dhe të nisemi nga ajo që nuk duhet të jenë dy nga një familje. Tani këtu është çështja nëse duhet të jenë këtu disa shoqe apo jo. Çështjes së familjaritetit nëse ka, ne duhet t’i hymë gjer në rrënjë. Unë me Pirron, Liria me Maqon, Rrapo me Kadriun, Manushi me Pilon, të tërë kemi të bëjmë me njëri-tjetrin, prandaj unë jam dakord me mendimin e shokut Enver, me përjashtim që po të shtrohet që të vinte edhe Nexhmija kandidate e Komitetit Qendror unë nuk jam dakord, sepse ajo nuk mund të krahasohet me Viton. Unë pra mendoj që Nexhmija të mbetet anëtare e Komitetit Qendror dhe Fiqreti me të dyja shoqet e tjera, kandidate. Për heqjen e shokëve nga plenumi unë nuk jam dakord, këtë gjë mendoj të mos e shikojmë.

SHOKU BEQIR BALLUKU: – Është tjetër çështje të jesh baxhanak dhe tjetër të jesh burrë e grua në plenum.

SHOKU HYSNI KAPO: – Në rast se këtu konstatohet gjëja më e vogël ne duhet t’ia vëmë në dukje njëri-tjetrit. Prandaj unë mendoj që Nexhmija të mbetet anëtare e Komitetit Qendror, por thuhet se ajo ka të meta në punë, kështu kemi të gjithë ne. Atëherë ta kritikojmë dhe ta ndreqim. Për Fiqretin jam dakord që të zbresë në kandidate. Për Ethemin edhe unë mendoj të mbetet në plenum, megjithëse është më i dobëti.

SHOKU RITA MARKO: – Për shoqet unë e thashë mendimin tim, që për interes të Partisë ne mund të bëjmë gjësendi, p.sh. mund të hiqen Vito me Elenin që janë burrë e grua respektivisht me Hysniun dhe Josifin.

Ethemin unë mendoj se mund ta heqim, sepse këtu është plenum i Komitetit Qendror dhe bëhet analizë e çështjeve, kritikë dhe autokritikë, prandaj duke u larguar ai do të reflektojë më mirë për dobësitë e tij në punë. Ethemi nuk ka punuar mirë si drejtor politik dhe ky është një fakt serioz për ta larguar nga plenumi, kurse Vito mund të lihet. Edhe Panajoti mund të shikohet, sepse ai merr pjesë në diskutime dhe, megjithëse disa herë ka gabuar dhe nuk ka punuar mirë, prapë mund të qëndrojë se është shok i mirë. Në vend të Ethemit, po ta heqim, mund të ngremë ndonjë shok tjetër që ka punuar mirë.

SHOKU HYSNI KAPO: – Në qoftë se duam të ndreqim punë, e vetmja masë që mund të marrim është vetëm për Viton, jo se nuk e meriton, por disa nga ne jemi më të pleksur nga të tjerët, dhe ajo, jo vetëm si gruaja ime, por edhe si motër e Pirros. Po të shqyrtohet çështja e saj, besoj se nuk kemi kundërshtime të tjera.

SHOQJA LIRI BELISHOVA: – Edhe unë si shokët e tjerë mendoj për çështjen e shoqeve. Ato e meritojnë këtë vend, por edhe ajo se ç’thonë të tjerët ka rëndësi dhe për këtë nuk e kam fjalën për elementët antiparti. Në Komitetin Qendror shenja familjariteti deri tani nuk ka, por ne jemi një vend i vogël dhe rreziku ekziston. Ai që nuk është në Komitetin Qendror, një gjë të tillë mund ta mendojë. Mendimi im tani është që ta lëmë çështjen si të thotë mbledhja e përfaqësuesve, por përpara se të vija në mbledhje, unë kisha menduar për Viton dhe për Elenin, sidomos për Viton që është shumë më e pleksur nga të tjerat.

SHOKU HYSNI KAPO: – Vito është motër e Pirros, kushërirë e Kiço Ngjelës, Eleni është e shoqja e Josifit, prandaj mund të hiqen se edhe ndonjë ndihmë shumë të madhe nuk i kanë dhënë Komitetit Qendror. Prandaj unë mendoj që të dyja këto shoqe mund të ikin nga Komiteti Qendror. Ato kanë mundësi që Komitetin Qendror ta ndihmojnë edhe nga jashtë.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Kjo çështje duhet parë me kujdes. Ose të nisemi nga çështja që qenien e shoqeve në marrëdhënie gjinie në plenum ta kufizojmë në maksimum, duke pasur parasysh interesin e Partisë që të qëndrojnë në plenum po ta meritojnë, ose t’i vemi deri në fund problemit. Po të duam t’i mbyllim gojën elementit armik, atëherë çështja duhet shtruar kështu, që Nexhmija, Maqo, Eleni, Fiqreti dhe Vito të hiqen nga Komiteti Qendror, masë kjo që nuk i lë asnjë shteg armikut ku të kapet.

Unë jam për këtë variant, d.m.th. të hiqen këta pesë shokë dhe jo për faktin se nuk e meritojnë, por sepse ata duhet t’i sakrifikojmë për interesat e larta të Partisë. Po ta marrësh hollë-hollë, ne jemi pesë çifte në Komitetin Qendror, prandaj ta gjykojmë mirë gjendjen që është sot në Komitetin Qendror. Mendimi im është që Nexhmija dhe Maqo të jenë kandidatë të Komitetit Qendror.

SHOKU ENVER HOXHA: – Për Maqon unë mendoja të ishte anëtar i Komitetit Qendror se është shok i mirë dhe e meriton dhe ka më tepër perspektiva nga Nexhmija, është edhe më energjik e më punëtor.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Do të ishte më e drejtë të veprohej ashtu si thashë unë. Kështu problemi bëhet akoma më preokupant dhe nuk merr zgjidhje.

SHOKU ENVER HOXHA: – Unë mendoj që Maqo të vijë anëtar i Komitetit Qendror dhe Nexhmija mund të zbresë kandidate. Maqo është shok me perspektivë, punëtor dhe energjik.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Unë mendoj të mos lëmë çifte me të drejtë vote në Komitetin Qendror, madje kjo çështje që u ngrit nga shoku Enver mua as që më kishte shkuar fare nëpër mend. Për Fiqretin do t’i themi kongresit që ka bërë këto gabime, por si për Fiqretin dhe për Maqon do t’u themi njëkohësisht se e meritojnë të jenë anëtarë të plenumit, por janë edhe këto arsye që nuk mund të jenë anëtarë. Po të bëjmë këtë, ne kemi bërë një hap të madh përpara, ndryshe jemi në pozitat që ishim.

SHOKU PILO PERISTERI: – Mendoj se po të shkojmë pas atyre që thotë mileti, duhet të mos lëmë asnjë familjaritet në Komitetin Qendror. Mua më duket se me parimin nuk jemi keq dhe sa për njerëzit ata duhet t’i gjykojmë sipas punës, sepse të gjithë këta për të cilët bëhet fjalë, kanë dalë gjatë luftës. Fiqreti ka arsye që të zbresë si kandidate e Komitetit Qendror. Unë them se Maqo meriton të ngrihet si anëtar i Komitetit Qendror.

SHOKU ENVER HOXHA: – Që t’i mbajmë disa shokë kandidatë kur e meritojnë anëtar s’e bën dot. Edhe sikur ta bësh, Maqo do të ecë përpara, kur të vijë kongresi tjetër e mban dot më në vend?

SHOKU MEHMET SHEHU: – Ne duhet të pranojmë këtë që jemi i vetmi Komiteti Qendror në botë që kemi këtë gjendje familjariteti. Me këtë ne i kemi dhënë një fashë shkaku elementëve jo të mirë që të flasin. Prandaj nuk duhet ta lëmë të vazhdojë kështu kjo gjendje.

SHOKU PILO PERISTERI: – Këtu, megjithatë nuk ka ndonjë shkelje më duket mua.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Atëherë si e shtruam ne duhet të kthehemi prapë. Unë nuk jam dakord kështu, kjo është një plagë te ne.

SHOKU BEQIR BALLUKU: – Por ne për këtë konkluduam tani.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Unë nuk jam i bindur për vete, më duket se nuk është e drejtë kështu si e kemi vendosur ne.

SHOKU BEQIR BALLUKU: – Parimisht, unë jam dakord kështu, por në këto momente ne kështu duhet të veprojmë.

SHOKU ENVER HOXHA: – Unë vetëm për çështjen e Maqos nuk jam dakord me Mehmetin.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Dhe unë nuk jam dakord të ngrihet Maqo. Unë mendoj të mos ketë asnjë çift anëtarë të Komitetit Qendror dhe kandidatë vetëm në ndonjë rast të jashtëzakonshëm.

SHOKU ENVER HOXHA: – Po ja, ne kemi çështjen e votës.

SHOKU GOGO NUSHI: – Po të jetë çështja e situatës si anëtarë, si kandidatë, njësoj është për popullin dhe për anëtarët e thjeshtë, prandaj edhe kjo që thotë Mehmeti nuk është e drejtë. Me zgjerimin që i bëhet tani Komitetit Qendror, gjendjen ne e kemi kompensuar dhe përmirësuar.

SHOKU ENVER HOXHA: – Ne mund ta zbresim edhe Nexhmijen, ashtu si thotë Mehmeti.

SHOKU HYSNI KAPO: – Unë me këtë nuk jam dakord. Derisa nuk ka faj ta lëmë si ç’është, pse ta zbresim? Apo për hir të thashethemeve. Ne duhet të bëjmë edhe diferencim midis Fiqretit dhe Nexhmijes. Për Maqon edhe unë jam i mendimit se duhet të vijë në Komitetin Qendror.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Atëherë me këtë mënyrë, problemi i lidhjeve familjare te ne nuk gjen zgjidhje dhe jam i bindur se kështu gabojmë.

SHOKU ENVER HOXHA: – Po të zbresë Nexhmija dhe të ngrihet Maqo ka edhe një ndryshim se Liria është anëtare e Byrosë Politike, por edhe unë jam anëtar i Byrosë Politike. Duke qenë kështu, Partia na konsideron më të pjekur dhe më lart nga anëtarët e Komitetit Qendror. Prandaj, si Liria dhe unë, influencojmë më shumë te këta të dy. Pra Nexhmija mund të ulet dhe Maqo të ngrihet.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Mendoj se çështja nuk duhet shtruar kështu. Ne kësaj situate duhet t’i japim zgjidhje se këtu nuk po bëjmë asgjë përveç zgjerimit të Komitetit Qendror.

SHOKU HYSNI KAPO: – Unë jam i mendimit që edhe Maqo të vijë në Komitetin Qendror dhe Nexhmija të mbetet siç ka qenë dhe them se këtë çështje e zgjidhim në mënyrë të drejtë.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Unë mendoj se kështu nuk e zgjidhim drejt. Ne duhet ta likuidojmë këtë situatë, por në rast se nuk e bëjmë dot këtë gjë, hë për hë, të paktën të bëjmë një riparim. Ne duhet të fusim në shpirtin e anëtarëve të Partisë frymën e guximit. Anëtarët e thjeshtë besnikë të Partisë haptazi nuk e thonë, prandaj ne nuk duhet të lëmë asnjë farë rezerve tek anëtarët e Partisë, ne duhet të sakrifikojmë për hir të interesave të Partisë. Kështu Partia nuk ndihmohet.

SHOKU ENVER HOXHA: – Unë jam dakord që Nexhmija të ulet, por Maqo duhet të vijë në Komitetin Qendror. Ka më shumë rreziqe që të bjerë në influencime Nexhmija se Maqo. Ai është burrë dhe me origjinë punëtore dhe çështja e origjinës nuk është një gjë e kotë.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Unë e mendoj çështjen nga ana parimore.

SHOQJA LIRI BELISHOVA: – Unë mendoj që Elenin dhe Viton t’i heqim nga Komiteti Qendror.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Unë nuk jam dakord, kështu ne i japim armë armikut të na luftojë.

SHOKU ENVER HOXHA: – Ne nuk i mbajmë ato në qoftë se nuk e meritojnë.

SHOKU MEHMET SHEHU: – Mund të vendoset kështu, por unë nuk jam dakord se kështu i japim mundësi partisë të ketë rezerva.

(AQSH, F. 14/AP, OU, V. 1956, D. 42.). (Materiali është shkëputur nga dokumenti  XIX i librit “Pranvera e rrejshme e ‘56-s”, botim i shtëpisë botuese “Infbotues”)