Kundërshtarët e Bashës kërkojnë kuvend të jashtëzakonshëm në shtator për ringritjen e PD

Prej kohësh kanë deklaruar se do të firmosin për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, por tashmë kur Lulzim Basha u rikonfirmua kryetar, kritikët ndaj tij po bëhen gati të kërkojnë thirrjen e Kuvendit të jashtzakonshëm. Në shtator ata do të paraqesin projektin e tyre të ndryshimeve statutore, ndërsa njoftuan dhe pikat themelore të tyre. Refuzojnë të cilësohen si kundërshtarët e Lulzim Bashës, duke e quajtur veten si Nisma për Ringritjen dhe Demokratizimin e Partisë Demokratike. Pasi konfirmuan se nuk ka largim nga Partia Demokratike, grupi kritik ndaj politikës së Bashës në krye të PD-së deklaron angazhimin në një betejë konstruktive brenda partisë për demokratizimin e saj. Duke theksuar nevojën jetike për një platformë të qartë politike për rivendosjen e partisë në shina ideologjike të djathta, ata theksojnë që PD duhet të rikthehet sa më parë tek shtyllat e saj: anti-komunizmi, liria e individit dhe fjala e lirë, e drejta e pronës dhe tregu i lirë dhe familja. Krahas sfidës së brendshmi ajo ndaj Kundërshtarit është po ashtu e qartë dhe në artikulim nuk ndryshon nga ajo e kryetarit Basha. “Ne duhet të kthehemi në forcën kryesore opozitare në vend dhe të ringjallim shpresën e humbur tek shqiptarët ashtu siç kemi bërë 27 vite më parë. Humbja e mbi 230.000 votuesve tanë kërkon një analizë të thellë dhe serioze që duhet të kalojë nga forumet tona të ngritura me kaq mund ndër vite” shkruhet në deklaratën për shtyp. Ata janë konkretë dhe propozojnë një numër pikash të cilat do të jenë baza e projekt-statutit që do të paraqesin në shtator krahas kërkesës për mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Thelbi i ndryshime statutrore është vendosja e rregullave të qarta për funksionimin e partisë, marrëveshjet me kundërshtarët politikë, por dhe mekanizma të rinj të kopjuar nga socialistët si kreu i Këshillit Kombëtar apo këshilli i të urtëve.  Ky grupim në PD thekson si nevojë shqyrtimin propozimeve në një komision të posaçëm për përgatitjen e projektit final të statutit të ri dhe diskutimin në Kuvend të jashtëzakonshëm dhe thonë se janë të vendosur për sa më sipër. “Pas paraqitjes së projekt propozimit për statutin e ri të Partisë, do të duhet të ngrihet menjëherë një komision i posaçëm për përgatitjen e projektit final të Statutit të ri. Ky statut do të duhet të diskutohet më pas në një Kuvend të Jashtëzakonshëm të Partisë. Rruga përmes bashkimit dhe demokratizimit të partisë si dhe ringritja e Partisë Demokratike të Shqipërisë duhet të nisë nga qartësimi i profilit të saj politik, si një parti që në themel të saj ka lirinë e individit dhe garën e barabartë e të bazuar në kushtetutën tonë që është Statuti i Partisë Demokratike. Bashkimi ynë rreth siglës sonë dhe idealeve të Partisë Demokratike e dhjetorit 1990, është e vetmja rrugë e drejtë, e urtë, e përshtatshme, mbi interesin e çdo pale apo personi, e vetmja rrugë për një PD të aftë e të gatshme për sfidat e reja euroatlantike dhe për reformat e thella që duhet të ballafaqojë vendi. Ne jemi të vendosur për sa sipër, ne do ta bëjmë detyrën tonë ndaj partisë dhe vendit; natyrisht këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm, por së bashku”- thuhet në deklaratën e djeshme. Më 22 korrik, lideri historik i demokratëve Sali Berisha, duke e quajtur garën Basha-Selami statutor, bëri thirrje për bashkim dhe pikërisht për një strategji fituese. Siç tha ai humbja nuk është fatalitet, përveçse kur e bën me dorën tënde, ose kur dehesh prej saj.

Propozimet

Projekt statutit i ri do të duhet të përmbajë:

  1. a) Rregulloren, procedurën, kriteret dhe standartet për zgjedhjen e kryetarit të PDSH.
  2. b) Rregulla të qarta mbi sistemin e karrierës dhe meritës në të gjitha nivelet e organizimit dhe hierarkisë së Partisë.
  3. c) Përcaktimin e procedurës, kritereve e modaliteteve në miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kandidaturave të tjera elektorale nga organet vendimmarrëse kolegjiale të partisë dhe shqyrtimin e propozimin e tyre nga anëtarësia.
  4. d) Ndalimin e çdo marrëveshjeje për bashkëqeverisje me kundërshtarin politik pa vendimmarrjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Kombëtar.
  5. e) Krijimin e gjykatës së partisë me përbërje edhe të figurave historike të partisë, për kontrollin formal të vendimarrjes së organeve të të gjitha niveleve të Partisë.
  6. f) Këshillin e të Urtëve të Partisë Demokratike, i cili duhet të jetë një organ i përhershëm këshillimor dhe me autoritet moral i PDSH-së, i përbërë nga personalitete të Partisë Demokratike ndër vite.
  7. g) Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë mes anëtarëve të tij kryetarin e Këshillit Kombëtar, me kompetenca për thirrjen dhe drejtimin e Këshillit Kombëtar.
  8. gj) Përcaktimin e detyrimit statutor për mbledhjen e Këshillit Kombëtar rregullisht dhe periodikisht.
  9. h) Në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare kryetari i PD-së të japë dorëheqjen e menjëherëshme;
  10. i) Në rast të humbjes së dy palëve zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike të japë dorëheqje të parevokueshme.
  11. j) Në rast se Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare më tepër se herën parardhëse, kryetari i saj të japë dorëheqje të parevokueshme.