Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka për “tërheqjen” e qeverisë nga ligji i mbetjeve: Mos i besoni Ramës. Bëhuni gati, plehrat do të vijnë

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shprehet i bindur se projekti për importin e mbetjeve do të miratohet nga mazhoranca e Partisë Socialiste. Në një intervistë për “Koha Jonë” ai sjellë disa të dhëna që tregojnë që qeveria e PS nuk ka ndërmend vetëm të riciklojë mbetjet e importuara, por t’i djegë ato. Kreu i PAA deklaron se në Shqipëri po ndërtohen inceneratorë (djegës) të plehrave, më shumë sesa ka nevojë vendi. “Dyshimet e mija kanë lindur nga fakti se mazhoranca po ndërton inceneratorë ose djegës të plehrave, të cilët përbëjnë jo vetëm rrezik për ambientin, por rrëzojnë industrinë e riciklimit. Pra nëse po ndërtojnë furrat djegëse në gjithë Shqipërinë, dhe kapaciteti i  tyre është më i lartë se mbetjet që ne prodhojmë, do të thotë se kanë bërë llogaritë që shpejt apo vonë të importojnë mbetje nga jashtë”,- shprehet Argon Duka. Riciklimi dhe djegia janë dy procese krejt të ndryshme. Djegia me inceneratorë është një nga format më ndotëse të ambientit. Kreu i PAA flet dhe për qëndrimet që do të mbajë kjo parti në opozitë. Ai thekson se PAA do të jetë zëri i fermerëve të vendit. Ndërkohë thekson se në programin e qeverisë “Rama 2” ka vetëm 2 faqe për sektorin që punëson 50 për qind të popullsisë së vendit.

 Duka ditët e fundit është vënë re një riaktivizim i strukturave të Partisë Agrare Ambientaliste. Cili do të jetë misioni juaj në këtë sezon të ri politik?

Javën e shkuar kryesia e Partisë Agrare Ambientliste u mblodh për të përcaktuar strategjinë që do të ndjekim gjatë muajve në vijim. Po në atë mbledhje vendosëm të thërrasim Asamblenë e PAA-së në 30 shtator. Misioni ynë politik nuk ka ndryshuar. Do të jemi zëri më i fortë për ato çështje që PAA ka mbrojtur për gati tre dekada, pra zhvillimin e qëndrueshëm, bujqësinë, peshkimin, blegtorinë, turizmin, agroindustrinë dhe mjedisin.

Ndonëse rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjyes për pritshmëritë tona, ne dhamë disa prova force të rëndësishme. Faktorizimi i PAA-së ishte rezultat jo vetëm i punës që ne zhvilluam, por i besueshmërisë që ne fituam tek qytetarët. Gjykojë se kjo besueshmëri e fituar është pikënisja e duhur pas 25 qershorit, dhe jam i bindur se PAA do të tregojë se është një parti më rrënjë të forta.

Këtë legjislaturë PAA nuk do të jetë e pranishme në Parlament, gjykoni se kjo do të vështirësojë aksionin tuaj politik?

Sigurisht të qenurit në Parlament përfaqëson disa lehtësime dhe vizibilitet, por gjithsesi politika nuk zhvillohet vetëm të enjteve në atë sallë zhurmuese. Por është një veprimtari që mund të kryet në forume lokale, kombëtare dhe mediatike. Këto nuk do të na mungojnë.

Ne do të jemi në qendër të opinionit publik pasi do të punojmë fort për të zhvilluar një opozitë ndaj veprimeve dhe mosveprimeve të mazhorancës. Njëkohësisht do të përpiqemi t’ju prezantohemi qytetarëve si një alternativë e besueshme duke ofruar ekspertizën tonë shumëvjeçare për temat agor-ambientale. Forumet tona, Lidhja e Grave Ambientaliste dhe Lidhja Rinore Ambientaliste, kanë filluar në mënyrë aktive rigjallërimin e strukturave, dhe kjo është një shenjë pozitive për shëndetin e partisë tonë.

 Duka, PAA vazhdon të rreshtohet në krahun opozitar?

Sigurisht që në këtë moment jemi të rreshtuar në opozitë. Beteja që zhvilluam kundër qeverisë Rama kishin në fokusin e tyre shqetësime që u faktuan reale dhe përcaktuese për fatin e zgjedhjeve, dhe jo vetëm kaq.

Ato çështje që ne mbrojmë dhe përfaqësojmë pësuan një eklipsim gjatë mandatit të kaluar. Bujqësia dergjet në harresë, dhe me shumë gjasa do të vazhdojë po në këtë mënyrë edhe për katër vitet në vijim. Ky pohim nuk lind nga dëshira për të hedhur baltë mbi ekzekutivin, por nga analiza që zhvilluam mbi programin e Partisë Socialiste për bujqësinë. Nëse në 28 faqe program për katër vitet e ardhshme, për vetëm dy i dedikohen bujqësisë, sektorit që punëson gati 50% të shqiptarëve, do të thotë se këta nuk kanë idenë se çfarë duhet të bëjnë për këtë segment jetik të ekonomisë tonë. Një tjetër shqetësim që na rreshton ne në pozicione të kundërta me mazhorancën janë tentativat që po kryen për të rihapur Shqipërinë ndaj mbetjeve të Europës. Kontradiktat dhe papajtueshmëritë me mazhorancën janë të mëdha, për këtë arsye ne jo vetëm që do të jemi në opozitë, por do të zhvillojmë një aksion opozitar të fuqishëm në dobi të interesit publik.

  1. Duka, Qeveria bëri publike tërheqjen e Ligjit të Mbetjeve, mund të konsiderohet e mbyllur kjo çështje?

Ndonëse mund të përshëndes vendimin e Grupit Parlamentar të PS-së për t’u tërhequr nga ligji i importit të mbetjeve, gjykojë se çështja nuk do të mbyllet këtu. Shqipëria është shumë larg çdo trajtimi serioz të çështjes së mbetjeve. Personalisht nuk i besojë dikujt që mbajti një qëndrim kundër mbetjeve në 2011, anuloi ligjin për importin në 2013 dhe në 2016 tentoi të rihapte dyert e Shqipërisë për plehrat. Nuk duhet të habitemi më nga kjo inkoherencë, duhet të jemi gati të protestojmë dhe të krijojmë kushtet për një debat të hapur, serioz, profesional mbi këtë temë delikate.

Dyshimet e mija kanë lindur nga fakti se mazhoranca po ndërton inceneratorë ose djegës të plehrave, të cilët përbëjnë jo vetëm rrezik për ambientin, por rrëzojnë industrinë e riciklimit. Pra nëse po ndërtojnë furrat djegëse në gjithë Shqipërinë, dhe kapaciteti i  tyre është më i lartë se mbetjet që ne prodhojmë, do të thotë se kanë bërë llogaritë që shpejt apo vonë të importojnë mbetje nga jashtë.  Për shembull, pak muaj më parë është dhënë leja për ndërtimin dhe menaxhimin e një inceneratori për djegien e mbetjeve spitalore dhe kafshëve të infektuara në Shijak. Prandaj duhet të bëhemi gati, do të na i sjellin përsëri nëse nuk reagojmë. Ne si PAA kemi protestuar me kohë kundër inceneratorëve dhe mbetjeve, dhe do ta bëjmë sërish.