Kryeprokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti: Mafiozët vriten për drogën shqiptare!

Kryeprokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti, deklaron se mafiozët italianë po vriten me njëri-tjetrin për shkak të “lumenjve të hashashit” që trafikohen nga Shqipëria.

Zyrtari i lartë i Drejtësisë në Itali, vrasjen e tmerrshme të ndodhur në Foggia të Italisë, e ka lidhur, veç të tjerash, edhe me trafikun e drogës nga Shqipëria.

“Konflikti është ndezur rreth trafikut të drogës, sidomos të drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria. Një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve dhe që përfshin gjithë bregun e Adriatikut, nisur nga ai foxhian deri në Europë”, deklaroi kreu i Prokurorisë së Antimafies italiane, Franco Roberti. Ai ka thënë se në luftën ndaj trafikut të drogës, të dyja vendet duhet të bëjnë më tepër.

“Duhet bërë më shumë, edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar lumin e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë pikërisht ato që çojnë në shpërthimin e konflikteve”, ka thënë më tej kryeprokurori italian i Antimafies. Ai ka bërë me dije se ka zhvilluar takime konkrete me zyrtarët e Shqipërisë në lidhje me nevojën e hetimeve të përbashkëta dhe të goditjes së fenomenit të trafikut të drogës.

“Ishim në Shqipëri muajin e kaluar për të kërkuar bashkëpunim, takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar, që premtoi bashkëpunim më të madh. Duhet të fitojmë mbi omertan dhe për ta bërë këtë, duhet krijuar një kulturë e ligjshmërisë që në atë territor është ende periferik”, theksoi më tej kryeprokurori italian i Antimafies, në një intervistë të dhënë për “Rai Uno”. Sipas Robertit, përplasjet mes klaneve në Pulia vijojnë prej 30 vjetësh me një bilanc prej 300 vrasjesh, nga të cilat 80% kanë mbetur pa u zbuluar. Shkaku i zgjimit të kësaj lufte të egër, duket se vjen nga Shqipëria, pasi sipas autoriteteve italiane bëhet fjalë për sasitë e mëdha të kanabisit që mbërrijnë në brigjet italiane nga Shqipëria.

ROBERTI NË TIRANË

Prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti, ka zhvilluar disa vizita zyrtare në Tiranë, ndërsa në Romë është takuar edhe me ministrin e Brendshëm shqiptar. Gjatë një deklarate të përbashkët në Tiranë, pas vizitës zyrtare që zhvilloi në shkurt 2017, Roberti ka thënë se trafiku i drogës drejt Italisë është rritur me shpejtësi vitet e fundit.
Prokurori italian foli asokohe edhe për rrezikun që një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet mund të shkojë për të financuar radikalizmin islamik. Roberti theksoi se erdhi në Tiranë “për të kuptuar, së bashku me kolegët shqiptarë, se çfarë ka çuar në shumëfishimin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si dhe të kuptonin se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë tona të përbashkëta dhe bashkëpunimin”.
Sipas kryeprokurorit italian të Antimafies, një ndër shkaqet ka qenë rritja e kërkesës nga Italia, si dhe fakti se duke qenë se për trafikantët importimi është më i lehtë se kultivimi i kanabisit në Itali, Shqipëria rezulton rruga më e favorshme.
Duke iu referuar të dhënave që prokurori italian kishte marrë nga prokurorët shqiptarët të Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë së Vlorës, në dy vitet e fundit trafiku i substancave narkotike drejt Italisë është trefishuar./panorama