Kryeministri shqiptar, Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së i bën thirrje vendeve për njohjen e Kosovës

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të premten, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri thirrje për njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë. Kryeministri u ndal edhe në luftën kundër ekstremizmit, perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe angazhimin për të çuar më përpara të drejtat e grave.

Kryeministri shqiptar Edi Rama e shfrytëzoi fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për t’i bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë pasi kjo sipas tij do t’i shërbente sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

“E kemi thënë edhe më parë dhe e përsërisim edhe sot: njohja e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve dhe ndihma që Kosova të ecë përpara, diçka që e kanë bërë 114 vende anëtare të OKB-së, është një kontribut i drejtpërdrejtë për një jetë më të mirë për qytetarët e saj dhe një investim për sigurinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin, për të gjitha vendet, përfshi Serbinë”.

Duke u ndalur më tej në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, kryeministri Rama paralajmëroi se kjo luftë duhet të vazhdojë megjithë përparimet e shënuara në fushën e betejës kundër Shtetit Islamik.

“Të mos gabojmë: mposhtja në terren nuk do të thotë se ai do të zhduket. Përgjigja jonë ndaj ekstremizmit, radikalizmit që çon në terrorizëm duhet të vazhdojë dhe të përshtatet me vetë natyrën e këtij kërcënimi të vazhdueshëm”.

Kryeministri tha se prova më e mirë e ndryshimeve të thella që po ndodhin në Ballkanin Perendimor qëndron tek përpjekjet e përbashkëta dhe synimin për ta bërë rajonin një pjesë të natyrshme të Evropës. Ai u bëri jehonë komenteve të presidentit të BE-së Junker para pak javësh për nevojën e rigjallërimit të politikave të zgjerimit.

“Siç tha Presidenti Junker në fjalimin e tij përpara vendeve të BE vetëm pak javë më parë: ekziston nevoja për një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të sigurohet më shumë stabilitet në vendet fqinje me BE-në. Rigjallërimi i politikës së zgjerimit është parandalimi më i mirë për të kundërshtuar idetë e shpërbërjes të nxitur nga populizmi. Është besimi im i vendosur se BE-ja ka nevojë për Shqipërinë, po aq sa ka nevojë për një Ballkan Perëndimor më të fortë, më të zhvilluar dhe koherent”.

Kryeministri Rama tha se vendi i tij është plotësisht i angazhuar për të mbrojtur dhe çuar përpara të gjitha të drejtat e njeriut, në veçanti të drejtat e grave duke reklamuar nismën për të sjellë më shumë zërin e tyre në qeverisjen e vendit.

“Jam krenar të them se për herë të parë në historinë shqiptare ,gjysma e anëtarëve të qeverisë sime janë gra. Ato sjellin aftësi udhëheqëse, forcë karakteri dhe përkushtim ndaj vlerave tona evropiane dhe në veçanti për t’i shërbyer popullit shqiptar”. VOA