Kryeministri Rama: Dakord me ambasadorin e SHBA. Faleminderit që më mbështete kundër krimit

Rama i përgjigjet Lu-së: Shumë shpejt rezultate, në zonat me “të fortë” e inkriminuar policia

Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë deklaratën e ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu, i cili tha se katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale në Shqipëri. Nga Fieri, ku po diskutohej buxheti për vitin 2018, kreu i qeverisë u shpreh se ngjarja në Elbasan shërbeu si katalizator për të rritur intensitetin e propagandës për çështje, duke garantuar se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete sa i përket luftës së krimit të organizuar nga institucionet ligjzbatuese në vend. Rama shtoi më tej se do të mbyllet kapitulli i kanabisit ashtu siç është marrë përsipër dhe në fund të muajit tetor do të pritet raporti zyrtar. Ai shtoi se zonat ku funksionojnë “të fortët”, janë zona ku është e inkriminuar Policia e Shtetit. “Falënderoj ambasadorin amerikan që përkrahu shqetësimin e ngritur prej nesh. Në mënyrë të përsëritur sa herë kemi bërë takimet e përbashkëta për të parë ecurinë në luftën kundër kultivimit të kanabisit, unë e kam thënë që duhet të hyjmë në një fazë të re. Dhe përgatitja për këtë ka nisur prej kohësh, dhe ne jemi në fazë të re, pra kundër të fortëve të këtyre feudeve të ndara sipas influencës. Synojmë t’i shkojmë pas aseteve dhe pasurive kriminale. Shumë mirë që e tha edhe ambasadori Lu, dhe ndërkohë ne po punojmë intensivisht. Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë mediatike, e cila shërbeu si një lloj katalizatori për të rritur intensitetin e propagandës mbi këtë çështje. Ju siguroj se çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme. Ne si qeveri nuk jemi as analistë, as opozita, që gojën kanë, dhe me gojën punojnë e përmes asaj ushqehen. Ne jemi për të dhënë llogari për rezultatet. Shumë shpejt do të ketë rezultate për atë çështje, siç do shihni shumë shpejt një zinxhir veprimesh të policisë së shtetit për të goditur veprimtaritë kriminale, dhe të inkriminuarit brenda policisë së shtetit. Pasi në zonat ku veprojnë këto forca ka inkriminim të policisë. Kjo nuk ka ndodhur sot, pasi këta elementë nuk kanë lindur që prej 2013, nuk janë 40-vejçare, mosha e tyre është më e pjekur, dhe kanë njohje të mira me opozitarët e sotëm, nëse duam të bëjmë politikë, por ky nuk është qëllimi im. Ajo që ka rëndësi është që policia e shtetit ka hyrë në një fazë të re, për të shkuar në një nivel më lart se ai që u vendos në mandatin e parë. Ne do mbyllim kapitullin e kanabisit siç e kemi marrë përsipër, në fund të tetorit do të presim raportin zyrtar, dhe prononcimet një më një të të gjithë përfaqësuesve të komuniteti kombëtar”, tha dje Rama.

Takimi në Fier

Kryeministri Edi Rama deklaroi se të shtunën do të bëhet publike platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët dhe që nga nesër do jetë në dispozicion të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e koalicionit qeverisës të Partisë Socialiste. Duke folur pasditen e djeshme nga Fieri gjatë konsultimit publik për buxhetin 2018, ai deklaroi se do të bëhet luftë kundër korrupsionit për të çliruar njerëzit e zakonshëm nga pesha e padurueshme e korrupsionit në të gjitha instancat e shtetit ku qytetarët kërkojnë të marrin shërbimin. Në vijim ai tha se reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut do të çojë përpara përpjekjen kundër korrupsionit në nivele të larta. Rama bëri me dije se në Asamblenë Kombëtare të PS gjatë së shtunës, do të shpallë ekipin e zëvendës ministrave, që siç tha ai ndryshe nga herët e tjera ka kaluar në një proces të hollësishëm përzgjedhje. “Është bërë riorganizimi i brendshëm i strukturave të ministrive. Do të vijojë me strukturat e varësisë, me agjencitë, inspektoratet, zyrat dhe sportelet” deklaroi Rama. Duke folur për portalin E-Albania, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të refuzojnë të marrin certifikata. Më tej ai u ndal në ekonominë e vendit, duke deklaruar se rritja ekonomike është 4% dhe që sipas tij katër vite më parë ishte e pa mendueshme. Megjithatë ai shprehu ambicien se rritja ekonomike synon të shkojë mbi 5 përqind.