KRYEMINISTRI NE FUSHATE/ Edi Rama: Mos i jepni punë Lulit me votën tuaj se nuk e bën dot

Kryeministri Edi Rama, paraditen e kësaj të shtune ishte në Librazhd, për të kërkuar votën e qytetarëve. Edhe një herë ai kërkoi që shqiptarët të jenë të bashkuar dhe t’ia japin votën Partisë Socialiste, në mënyrë që vendi të ecë përpara, administrata shtetërore të jetë një krenari e jo turp. Sipas Ramës, ekonominë mund ta rrisë vetëm Partia Socialiste sepse ka një vizion kombëtar për Shqipërinë që duam.

“Është koha për të marrë një vendim historik se pushteti i takon popullit dhe jo partive politike. Është koha për të vendosur dhe vendi të qeveriset nga Partia Socialiste. Nuk dua më shumë pushtet për veten, por më shumë pushtet për qytetarët. Është koha që të vendosim bashkë, që të ndërtojmë një administratë shtetërorë që të jetë krenaria jonë, e jo turpi ynë.

Është koha që t’i japim Partisë Socialiste një mandat të plotë dhe forcojmë ekonominë. Është koha, për tu bashkuar, për të qenë të gjithë së bashku, jo të ndarë nën flamurin e partive dhe që në 4 vitet e ardhshme rroga minimale, të shkojnë 300 mijë lekë dhe pensionet të rriten çdo vit; në mënyrë që për të gjithë ata që investojnë në teknologjinë e lartë, ta kenë tatim 5%. Qytetarët duhet të jenë të bindur se s’duhet t’i gjejmë punë Lulit, një punë që nuk e bën dot”, tha Rama.