Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev: “Referendumi kyç për të ardhmen e Maqedonisë”

Një ditë pas vendimit të parlamentit në Maqedoni vijnë reagimet pro dhe kundra refrendumit për emrin, që zhvillohet në shtator.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë të dalin në referendumin për marrëveshjen me Greqinë dhe të votojnë sipas bindjeve të tyre personale, pasi – siç tha – Maqedonia është në një kohë, e cila kërkon vendime të guximshme të qytetarëve të saj. Kryeministri Zaev tha, se kuvendi tashmë ka shpallur datën e referendumit, që për nga natyra e tij do të paraqesë kthesë të madhe për drejtimin që do të marrë shteti. “Referendumi është kyç për të ardhmen tonë. Secilit prej nesh i është dhënë mundësia që të vendosë për diçka të madhe. Kemi treguar se jemi popull që mësojmë nga historia.Vota juaj është e drejta juaj, mos lejoni që dikush t’ua marrë dhe ta keqpërdorë. Ju ftoj të tregoni se askush nuk mund t’u tregojë se çfarë të bëni. Do ta respektoj votën tuaj sido që të jetë. Unë besoj në vendimin e qyteatarëve dhe jam i bindur se Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, ndërsa populli maqedonas do të mbetet maqedonas dhe do të flasë maqedonisht”, deklarloi Zoran Zaev.

Kryeministri Zaev edhe njëherë kritikoi opozitën maqedonase, e cila në prononcimet e fundit tha se është e aftë të arrijë një marrëveshje më të mirë me Greqinë, duke shtuar se ata kishin dhjetë vite mundësi për aq sa ishin në pushtet dhe në vend të kësaj ata negocionin fshehurazi duke e mbajtur peng Maqedoninë. “Opozita dëshiron ta shkatërrojë të ardhmen tonë, ata thonë se mund të arrijnë marrëveshje më të mirë, por për këtë kishin 11 vite. Ata negociuan në mënyrë sekrete dhe e mbajtën shtetin të robëruar. Është koha për vendime kyçe dhe historike dhe jo për ikje. Ju them sërish anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, se dera edhe për ju është e hapur. Ju ftoj të gjithëve që të votoni me krenari dhe të themi “po” për stabilitet dhe anëtarësim në NATO dhe BE”,  theksoi ndët të tjera Zaev.

Xhaferi optimist për rezultatin e referendumit

Kuvendi i Maqedonisë do të punojë deri më 10 shtator kur kryetari Talat Xhaferi pret të fillojë fushata për referendumin, i cili duhet të mbahet më 30 shtator. Kryetari i kuvendit  Xhaferi është shprehur optimist se rezultati i referendumit do të jetë pozitiv.

“Pritshmëritë e mija janë se rezultatet përfundimtare do të jenë pozitive, kundrejt asaj që është edhe vullnet i qytetarëve të Maqedonisë, për faktin se interes parësor është interesi i qytetarëve dhe i shtetit dhe jo interesi i partive politike, apo institucioneve tjera, që janë të kyçura në procesin e organizimit dhe mbarëvajtjes së punës së referendumit”, ka deklaruar Xhaferi.

LSDM dhe VMRO pro dhe kundër referendumit

LSDM si parti përgjegjëse së bashku me të gjithë faktorët politik të cilët janë përcaktuar për përparimin e Maqedonisë, mundësoi që fjalën e fundit për Marrëveshjen me Greqinë ta kenë qytetarët. Më 30 shtator në referendum demokratik dhe të drejtpërdrejtë, qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të kenë mundësi historike që të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të shtetit. “Referendumi është demokraci e vërtetë dhe e drejtpërdrejtë, ndërsa vullneti i shprehur në të do të jetë i obliguar për të gjithë, sepse vota e qytetarit është e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë”.

LSDM-ja edhe njëherë e shkeli demokracinë në Maqedoni ndërsa Zaevi edhe njëherë i gënjeu qytetarët e Maqedonisë dhe e shkeli premtimin për referendum të detyrueshëm. LSDM-ja sërish tregoi autokraci dhe mosrespektim të demokracisë parlamentare, thonë nga Qendra për Komunikim e VMRO-DPMNE-së.

“Të vetëdijshëm për dëmin e marrëveshjes së kapitullimit dhe të vetëdijshëm se marrëveshje për ndryshim të kushtetutës nuk është e pranueshme për qytetarët, LSDM me forcë dhe me manipulim të rëndë dëshiron ta realizojë referendumin. LSDM-ja në mënyrë brutale e shkel praktikën e vendosur demokratike, që referendumit të jetë rezultat i konsensusit midis partive relevante politike”.

Përkrahja e ndërkombëtarëve për referendumin

Eurokomisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë Johannes Hahn ka përshëndetur vendimin e Kuvendit që më 30 shtator të mbahet referendum për marrëveshjen me Greqinë. Ai i fton të gjithë qytetarët e Maqedonisë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, pasi bëhet fjalë për vendin e tyre dhe të ardhmen e tyre.

“Përshëndes vendimin që të mbahet referendum në Maqedoni më 30 shtator për marrëveshjen historike për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. BE mbështet këtë marrëveshje dhe zbatimin e saj, si simbol i pajtimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon”, ka shkruar Hahn në llogarin e tij në Twitter.

Apel mediave për raportim korrekt për referendimin

Drejtori i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Zoran Trajçevski u ka bërë thirrje mediave që gjatë fushatës së referendumit mediat të njoftojnë në mënyrë profesionale, të mos marrin anë gjatë njoftimit e as të emetojnë porosi të dhunshme për shkatërrim të rendit kushtetues të vendit, drejt nxitjes, gjuhës së urrejtjes dhe as të mos nxisin urrejtje etnike dhe racore, ksenofobi dhe forma tjera të urrejtjes.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, presim që mediat të sillen në pajtim me rolin që e kanë në zhvillim dhe zhvillimin e drejtë të proceseve demokratike, gjegjësisht të ofrojnë shërbime për qasje të njëjtë”, ka deklaruar Zoran Trajçevski.

DW