Kryeministri Edi Rama: Agjentë amerikanë, në nëntor në Shqipëri; bashkëpunim në goditjen e krimit

Muajin e ardhshëm, në Shqipëri do të vijnë agjentë amerikanë për të asistuar policinë shqiptare në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar në vend. lajmi u bë me dije nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili gjatë replikave të vazhdueshme dje në Kuvend me kreun e PD-së Lulzim Bashën, la të kuptohej dhe dështimi i betejës së qeverisë në këtë betejë me krimin.  Duke replikuar me kreun e PD-së, Basha, kryeministri Rama tha se ndërkombëtarët, me kërkesë edhe të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, do të zbarkojnë në nëntor në Shqipëri. “Jemi duke mbyllur krijimin e grupeve të ekspertëve ndërkombëtarë që do të përfshihen drejtpërdrejtë në aksion. Javën tjetër do shihni goditjen ndaj grupeve kriminale. Do të vijnë në nëntor agjentë të huaj amerikanë që do të bashkëpunojnë për të goditur grupet kriminale. Ambasadori amerikan doli kundër qeverisë dhe ju e vutë përpara e nuk latë gjë pa i thënë, sepse nuk keni  mësuar akoma si funksionon bota. Nëse doni të luftoni kundër krimit bëjeni realisht” deklaroi Rama. Sipas Ramës, në korrik, qeveria u përgatit për të filluar fazën e dytë të operacionit kundër rrjeteve kriminale dhe të fortëve. “Unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur, që mbyllja me sukses e një kapitulli që u hap prej nesh dhe që e mbyllëm ne për ta hequr përfundimisht Shqipërinë nga harta e kultivuesve të lëndëve narkotike, nuk është fundi i aksionit tonë, tani do fillojmë luftën kundër të fortëve”, u shpreh kryeministri Rama. Ndërkaq, kreu i qeverisë në fjalën e tij nuk ngurroi ti bënte dhe një analizë rezultatit që arriti kundërshtari i tij politik Lulzim Basha në garën parlamentare të 25 qershorit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se opozita nuk mban përgjegjësi, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha ka mbajtur përgjegjësi vetëm kur dha dorëheqjen pas humbjes. Sipas Ramës 12% e atyre që besonin tek PD tashmë nuk besojnë më. “Ju nuk keni faj dhe nuk keni përgjegjësi. Sali ti ke mbajtur përgjegjësinë kur u largove pas humbjes ne zgjedhje. Laj thaj, PD kanatejeren tënde ka. Prandaj duhet të mendohesh ti se ketë s’kanë çfarë të thonë. Populli ka plot shprehje ca të ndodh kur fle me qenin e macen. Por kush është vatra e mikrobeve le ta vendosin shqiptarët. Le t’u themi atyre që ikin ja ku e keni mundësinë. Hajde ta bëjmë reformën zgjedhore, por kam frikë se do thoni në fund jo. 12% e atyre që besonin tek PD tashmë nuk besojnë më. Sondazhet thonë se jeni më keq se sa ishit në 25 qershor. Jeni bërë si historia e festivalit me të njëjtën këngë. Jeni top i gjatë dhe rrëmujë para porte. Ju flisni sikur shqiptarët kanë ardhur sot, por shqiptarët ishin këtu. Shqiptarët nuk janë budallenj.”- tha Rama.