Kryedemokrati zyrtarizon negociatat me LSI-në për aksionin e ri opozitar pas skandalit të përgjimeve

Çështja Habilaj-Tahiri, Basha takim me Kryemadhin në selinë e PD-së

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili kanë pranuar ftesën e kryedemokratit Lulzim Basha për një takim në selinë blu. Ka zgjatur rreth 45 minuta takimi mes kreut të Partisë Demokratik dhe kryetares së LSI-së. Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, në selinë e Partisë Demokratike ku theksi i bisedës ka qenë te qasja e opozitës pas akuzave ndaj mazhorancës si të lidhur me krimin. Takimi mes dy forcave opozitare, PD dhe LSI erdhi pas thirrjes së Bashës për një tyrezë dialogu për t’iu përgjigjur me një aksion politik luftës kundër krimit, ftesë kjo që mori përgjigje pozitive pak minuta më vonë nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Aksioni i ri opozitar

Aksioni politik i opozitës, i kryesuar nga Partia Demokratike dhe që pasohet nga LSI-ja do të vazhdojë deri në përmbysjen e qeverisë. Kjo u bë me dije mbrëmjen e djeshme në përfundim të takimit Basha-Kryemadhi në selinë blu, nga deputeti i PD-së, Flamur Noka në një intervistë që ai dha në studion e lajmeve në Ora News. “Të dhënat e deritanishme tregojnë se ky pushtet nuk mund të qëndrojë më në këmbë, sepse ky pushtet është me votat e asaj bande dhe të dhjetërave banda të tjera, ky pushtet është me paratë që ka marrë nga ajo bandë, pra me para dorge. Ky nuk është pushtet që ka ardhur nga vota e qytetarëve, prandaj nuk mund të rrijë. Ne do të sinkronizojmë aksionin opozitar me të gjithë faktorët opozitarë dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe për ta vendosur Shqipërinë pranë Europës.  PD do të ndërmarrë aksionin e saj politik në bashkëpunim me të gjithë forcat e tjera. LSI është forca kryesore pas nesh që është në opozitë, sigurisht edhe me faktorë të tjerë për të përmbysur një qeveri të bandave”- u shpreh Noka. Në lidhje me përgjimet e Moisi Habiljat, nënkryetari demokrat i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare duke hedhur poshtë pretendimet e pasardhësit të tij në Ministrinë e Brendshme Saimir Tahiri tha se makina nuk është shitur, por është përdorur për trafik droge. “Ajo makinë nuk është shitur, ajo makinë ka qenë imunitetit diplomatik për ushtarët e bandës për të bërë trafik droge. Ju është dhënë nga Saimir Tahiri kushërinjve ta përdorin për trafik se ishte imunitetet diplomatik. Ajo makinë është bërë me letra është shitur kur doli skandali që një ish-oficer policie, Zagani e përmendi i pari dhe u bë zhurmë. Në atë kohë për të larë duart ia shiti kushërinjve. Por ajo makinë ishte e mbajtur për 2 vjet për trafik. Përgjimet e Prokurorisë së Katanias kanë zbardhur të zezën në të bardhë që makina AA 003 GB është përdorur për trafik dorge nga Shqipëria në Itali”- u shpreh deputeti demokrat. Noka tha se deklaratat e Ramës për distancim bëhen për të shpëtuar veten. “Çdo bandit kur i ngushtohet laku, ia hedh lakun shokëve përpara sepse kërkon të shpëtoje veten. Pra kjo është me ja hedh lakun Saje Qorrit sigurisht dhe për të larë duart. Por nuk mund ti lajë duart, sepse është i zhytur”- u shpreh deputeti demokrat, Flamur Noka.