Kriminelët shqiptarë po ngjisin me shpejtësi shkallët në renditjen e grupeve kriminale të huaja që gjenden në hartën e policisë britanike, raporton ‘Times

Kriminelët shqiptarë po ngjisin me shpejtësi shkallët në renditjen e grupeve kriminale të huaja që gjenden në hartën e policisë britanike, raporton ‘Times’.

Autor: Marcus Tanner  BIRN  Londër

Kriminelët shqiptarë po marrin rol drejtues në treginë e kokainës në Mbretërin e Bashkuar, raportoi të enjten London Times, duke cituar të dhëna të reja nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) – e cila raportoi mbi zhvillimet në këtë sektor gjatë vitit të kaluar.

Një tabelë që rendit 4,600 grupe kriminale të njohura nga policia tregoi se shqiptarët “kapërcyen” rumunët për herë të parë në vitin 2017.

Bandat e vetë britanikëve mbeten më të numërtat, duke përbëre 70% të totalit, pasuar nga pakistanezët.

Gjithsesi, bandat shqiptare kanë lëvizur në vend të tretë, raportoi Times, nga vendi i tetë që zinin vetëm tri vjet më parë.

Sa i përket bandave të tjera, raporti thotë se bandat kineze u ngjitën në vend të shtatë nga vendi i dymbëdhjetë ndërsa bandat irakene lëvizën nga vendi i 15 në atë të nëntin.

Të dhënat tregojnë se 90 për qind e anëtarëve të bandave janë meshkuj, 70 për qind janë nga Britania e Madhe por vetëm 60 për qind janë të bardhë, ndërsa të zinjtë dhe aziatikët janë të mbiprezantuar në krahasim me pjesën që zënë në popullsinë e përgjithshme.

Të dhënat vijnë nga projekti i hartës së grupeve kriminale të Agjencisë Kombëtare të Krimit.

Në raportin vjetor të Agjencisë shkruhet se gangsterët shqiptarë kanë marrë “kontroll të konsiderueshëm” mbi operacionet e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia britanike ka shprehur më parë shqetësime mbi ngritjen e shpejtë të bandave shqiptare në këtë vend, për shkak të numrit të tyre të vogël.

Zëvendësdrejtori i agjencisë Mattheë Horne i tha BBC: “Është një grup i vogël në numra por me impakt të madh”.

Raporti i NCA për vitin 2017 thotë se korrupsioni në porte dhe aeroporte ishte  një “vulnerabilitet kyç”, në mundësimin e trafikimit të drogës dhe sjelljes në vend të imigrantëve ilegalë.

Ai paralajmëron gjtihashtu se kriminelët nga Ballkani në përgjithësi “janë duke zgjeruar vazhdimisht rrjetin e ndikimit, duke krijuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnitorë kokaine nga Amerika Latine”.

Ndërsa vetëm 0.8 për qind e krimeve në Mbretërinë e Bashkuar u kryen nga shqiptarët, raporti i NCA thotë se gadishmëria e tyre për të përdorur dhunë të fortë është shqetësuese.

Media britanike raportoi prillin e kaluar se çmimi i kokainës po binte me shpejtësi kryesisht për shkak se bandat nga Europa Lindore po konkurronin për biznes.

Media thotë se një kilogramë në shitje me shumicë që më parë kushtonte rreth 50 mijë paund po shitej tashmë për 30 mijë ndërsa pastërtia në nivelin e tregut të rrugës është rritur për shkak se çmimet kanë rënë.

Rënia në çmimet e kokainës po konsiderohet si shkaku për rritjen e vdekjeve të shkaktuara nga kjo drogë në Britaninë e Madhe. Të vdekurit u rritën nga 139 më 2012 në 271 më 2016.

Vitet e fundit ka pasur disa dënime të profilit të lartë të kriminelëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë tregtarin e heroinës dhe Kokainës Olsi Beheluli, burgosur me 11 vjet më 2015 dhe Tristen Asllani, burgosur me 25 vjet më 2016. Ky i fundit u bë i famshëm pasi pozoi gjysmë i zhveshur nga qelia e burgut dhe postoi fotot në mediat sociale.

Marcus Tanner
RRETH AUTORIT

Marcus Tanner

Marcus Tanner është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe gazetar i jashtëm për gazetën Britanike, Indipendent. Përpara se ti bashkohej BIRN në 2006, ai ka punuar si korrespondent për Ballkanin për Indipendent nga viti 1989 deri në vitin 1994, dhe zëvëndes redaktor i faqes së botës deri në vitin 2001. Tanner është autor i disa librave si, ‘Croatia, A Nation Forged in War,’ ‘Ireland’s Holy Wars,’ ‘Last of the Celts,’ ‘The Raven King: Matthias Corvinus and the Fate of His Lost Library,’ si dhe ‘Albania’s Mountain Queen: Edith Durham and the Balkans.’