Krijimi i ushtrisë së BE-së vë në rrezik NATO-n, zyrtarët: Bashkim për mbrojtje

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes gjermane ka insistuar se Bashkimi Europian duhet të ketë një ushtri të sajën. Hans Peter Bartels, komisioneri i mbrojtjes në Gjermani, përshëndeti planin pasi për të blloku “aktualisht është i çorganizuar”. Bartels tha se hapat janë në “drejtimin e duhur”, gjë që sinjalizoi planet e mundshme të Gjermanisë për të ecur përpara. Tabloiti britanik “The Telegraph”, shkruan se Bartels ka argumentuar nevojën e një ushtrie nën udhëheqjen e BE-së, pasi për të “aktualisht jemi të çorganizuar, teknikisht të fragmentuar. Ne nuk duam të kalojmë në një rrugë të vetmuar. Jo në Gjermani, jo në Holandë, jo në Republikën Çeke dhe jo në Itali”. E sipas tij rruga e sigurtë është ajo e një ushtrie europiane. Por ideja e të pasurit një ushtri nën udhëheqjen e BE-së, është goditur fort nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Brukseli i mbështetur fuqimisht nga Franca dhe Gjermania, ka kërkuar prej kohësh një bashkim të mbrojtjes. Megjithatë Britania ka pohuar se një ushtri e BE-së, do të devijojë fondet larg NATO-s. Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij për ushtrinë. Juncker thotë se Shtetet e Bashkuara “nuk janë më të interesuara të garantojnë sigurinë e Europës në vendin tonë”. Pak javë më parë gjatë një konference në Pragë ai u shpreh se: “Mbrojtja jonë në NATO, nuk mund të përdoret më si alibi për të kundërshtuar përpjekjet më të mëdha Europiane. Ne nuk kemi zgjedhje tjetër sesa të mbrojmë interesat tona në Lindjen e Mesme, në ndryshimet klimatike, në marrëveshjet tregtare”. Britania ka kohë që përpiqet të parandalojë integrimin e mbrojtjes së BE-së, duke pasur frikë se zhvillimi i një ushtrie në dorën e BE-së, do minonte marrëdhëniet e saj me NATO-n. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje anëtarëve të Europës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. “Hapi tjetër për aleatët Europianë është për më shumë shpenzime të mbrojtjes. Ne po shohim një përparim, por ka ende shumë rrugë”. Por një ushtri e BE-së, sipas zërave do të dëmtojë për vdekje NATO-n, aleancën ushtarake perëndimore e cila e ka mbajtur paqen në kontinent për mbi 50 vite, duke krijuar një strukturë konkurruese. Tory Bob Steëart, një kritik i planeve të ushtrisë të BE-së, tha: “Unë jam gjithnjë i shqetësuar për të parë politikanët vazhdimisht që po shtyjnë integrimin e konsiderueshëm ushtarak në kuadër të kornizës institucionale të Bashkimit Europian. Pa dyshim kjo mund të jetë vetëm në kurriz të NATO-s”.