Kreu i LSI, Petrit Vasili denoncoi nga “Opinion” i Blendi Fevziut: Rama me bandat dhe Policinë vodhi zgjedhjet

I ftuar në emisioni “Opinion” në televizionin “Klan”, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili është shprehur se ndaj votuesve është ushtruar presion që të mos votojnë për LSI. Vasili deklaroi se bandat kriminale dhe policia kanë “qenë njësh dhe u kanë bërë presion votuesve. “Ju kanë bërë presion votuesve që të mos votojnë për LSI se do ti heqin nga puna, këto i kanë bërë njerëzit e PS më urdhër të Edi Ramës”,- u shpreh Vasili.

A jeni i zhgënjyer nga zgjedhjet z. Vasili?

Absolutisht nuk jam i zhgënjyer për atë që LSI-ja prodhoi. Në radhë të parë dua jo thjesht t’i falënderoj, jo thjesht t’i vlerësoj, por të nënvizoj një rol të cilin ka marrë afërsisht 230 mijë votuesit e LSI-së, që ishin pa përdorur tepri apo propagandë, por ata votues ishin misionarë dhe heronj të vërtetë, pasi janë 230 mijë vota, që janë një numër i madh e që u morën në kushtet e një terrori kriminal, policor e elektoral të padëgjuar. Këta njerëz u përballën me këtë terror, por nuk ndryshuan vullnetin e tyre. Ishin shumë qartë të vendosur në atë rol të madh që Shqipëria ka nevojë për një zë të pavarur, një zë të vërtetë, një zë që nuk shitet dhe nuk blihet, një zë që nuk frikësohet, pasi ndarjen e fundit me frikën Shqipëria e ka bërë një herë e përgjithmonë në vitin 1990 dhe nuk ka asnjë mundësi, askush që me para me kriminelë, me banda të riprodhojë ato elemente, diktatura dhe reminishenca, që shqiptarët i kanë fashitur një herë e mirë.

Kush ua bëri këtë, kush i kërcënoi shqiptarët z. Vasili?

Para se të hyj në këtë çështje, duhet ta nënvizoj këtë mision shumë të lartë që kanë kryer këto njerëz, të cilët formësuan bashkë me këtë një opozitë, që siç qe i pastër ky votim nga ana e mijëra mbështetësve dhe qytetarëve të thjeshtë për LSI-në, po kështu do të jetë edhe opozita në Parlamentin e ardhshëm. Është moment i veçantë dhe i rëndësishëm, pasi duhet vlerësuar shumë çdo mesazh i madh që nga vjen nga çdo votues, që i thotë jo të gjitha atyre që quhen fëlliqësira dhe që riprodhojë zgjedhje të deformuara.

Në cilat zona?

Shpërndarë proporcionalisht në gjithë territorin. Merrni të gjithë përfaqësuesit tanë në qarqe në tavolinën tuaj dhe mund t’ju japin dëshmi pa fund. Sa u përket frikësimeve, faktet kanë qenë publike: Puka, që u goditën dy gra, Shëngjini në sytë e të gjithëve në ditën e zgjedhjeve, Lezha, ku ishte edhe vetë Ilir Meta, rasti i Beratit të premten parazgjedhore ku u rrëmbye një i ri pas një takimi që z. Meta pati atje dhe u kthye Ilir Meta mbrapsht për ta liruar, sepse banda e famshme e Çelepiasit të Beratit i kishte rrëmbyer djalin pas takimit të Ilir Metës. Tjetri ishte rasti i Kuçovës, rasti i Elbasanit dhe rasti i Zharrëzës. Këtë e kam ndjekur vetë. U qëllua me levë dhe lopatë një djalë i ri që pohoi se votonte LSI-në. Kjo mund të jetë vetëm një e pesëdhjeta e rasteve të tjera.

Kur nisën tensionet mes jush dhe PS?

Kjo strategji ishte paracaktuar dhe kishte filluar muaj më pare. Strategjia precipitoi në mënyrë ekstreme muajt e fundit duke pare që të gjitha të dhënat elektorale ishin negative. Ky numër që ju shihni, 230 mijë votues për LSI-në, në një situate normale, pa dhuna, pa banda e pa terror, do të ishte dyfishi. Këtë e thonin të gjithë. Kjo dhunë dhe ky terror u bë pikërisht sepse kjo situate ishte krejtësisht e disfavorshme për PS dhe ajo pikërisht zbatoi këtë dhunë në të gjitha drejtimet.

Keni kontaktuar me Ramën

Jo, unë kam kontaktuar me të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë. Pa përjashtim. Edhe në takime zyrtare kemi informuar ata me shkrim, me materiale shumë të gjata. Kemi informuar edhe Uashingtonin zyrtar.

Pse nuk keni kontaktuar me Ramën?

Nuk mund të kontaktohej me një njeri që ishte orkestruesi dhe koka e drejtimit të këtij operacioni dhe kësaj strategjie dhune, kriminale.

Ju po thoni që Rama i vodhi zgjedhjet?

Në qoftë se ka dhunë, ka terror, ka shit-blerje votash, ka largim masiv me task-forcën si Gestapo…

Task-forca mendonte se këta njerëz dilnin në fushatë dhe blinin vota.

Task-forca ka larguar në mënyrë krejtësisht të paligjshme dhe pa motiv njerëz pa lidhje me votat. Task-forca largoi një njeri si Drejtori i Përgjithshëm i Postave, duke i thënë që nuk kishte performancë të mirë në punë, pas katër vjetësh.

Jam interesuar tek blerja e votës…

Blerja e votës është bërë masivisht në të gjithë territorin. Mund të mblidhni dëshmi në të gjithë territorin. Nëse do të donit të mblidhnit dëshmi i keni në të gjithë territorin.

Vetëm PS ka blerë vota, po partitë e tjera?

Vetëm PS. Ne kemi evidentuar qartë vetëm PS.

Po ju keni blerë vota ka pasur mjaft komete në zgjedhjet e mëparshme që LSI-ja ishte avangardë…

Pikërisht ka qenë kjo se ishin këta që blinin vota, po përpiqeshin të krijonin tymnaja për të fshehur pikërisht operacionin gjigant masiv të blerjes së votave të një dimensioni të paparë në Shqipëri. Kemi parë në vitin 1996 me dhunë masive, por operacion masiv për blerjen e votave ky është pa precedent në historinë e pluralizmit shqiptar, këtë mbajeni si rekord.

Sa ka ndikuar kjo?

Po ta them që e ka deformuar në themel rezultatin dhe të vërtetën elektorale.

Në çfarë mase ka qenë blerja e votave? Sa ka ndikuar kjo në rezultat?

E ka deformuar në themel rezultatin dhe të vërtetën elektorale.

A keni ju fakte evidente që mund të përdoren në betejën legale ndaj PS?

Përsa i takon fakteve, mund t’ju them që fakte ka jo vetëm nga ne, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtare.

Përse nuk i kanë bërë publike deri më tani?

Do t’i bëjnë së shpejti. Tërheqja e vëmendjes për shit-blerjen e votës është ngritur edhe nga misioni i OSBE – ODIHR-it si shqetësim.

A do të bashkëpunoni me Partinë Demokratike, pjesën tjetër të opozitës?

Ne kemi një aksion opozitar tonin, i cili do të jetë i drejtpërdrejtë dhe ballor. Sa herë që PD do të ketë të njëjtin qëndrim të drejtë, të drejtpërdrejtë dhe jo të kapur, atëherë nuk ka arsye se përse nismat të mos jenë të përbashkëta.

Marrë me shkrutime nga emisioni “Opinion”