Kreu i Krimeve të Rënda: Dosjet “VIP” do jenë pjesë e gjykimit deri në ngritjen e Gjykatës Antikorrupsion dhe e Krimit të Organizuar

Reforma në drejtësi ka prekur edhe Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila që nga 1 gushti kur ka hyrë në fuqi edhe Kodi i ri i Procedurën Penale do të pësojë ndryshime për t’iu përshtatur institucionit të ri që do të jetë Gjykata Antikorrupsionit dhe e Krimit të Organizuar. Në një intervistë për “Ora News”, kreu aktual i kësaj gjykate, Sandër Simoni sqaron, se cilat janë ndryshimet që do të pësojë ky institucion deri në krijimin e Gjykatës Antikorrupsion dhe strukturës së posaçme SPAK. “Gjykata e Krimeve të Rënda riemërtohet në Gjykata e Antikorrupsionit dhe e Krimit të Organizuar. Ky proces nuk ka ndodhur ende se pasi është i kushtëzuar nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këto kushte në dispozitat kalimtare meqë hyrja në fuqi e  kodit në datën e sotme nuk përkon me krijimin e strukturave antikorrupsion të SAPK dhe Gjykatës së re të Posaçme është parashikuar në dispozitat kalimtare të kodit në nenin 285 që deri në krijimin e Gjykatës së Posaçme, veprat penale në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda do vazhdojnë të gjykohen po nga kjo gjykatë. Gjithashtu, edhe për Prokurorinë është parashikuar që deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme çështjen e hetimit për veprat penale sipas nenit 75/a të ndryshuar që do jetë në kompetencën e Gjykatës së Posaçme do vijojnë të hetohen nga Prokuroria për Krime të Rënda sipas përcaktimeve përpara hyrjes në fuqi të këtij kodi”- u shpreh Simoni. Po ashtu, Simoni thotë se shumë prej veprave penale që janë tashme do t’i kalojnë për kompetencë gjykatave të rretheve, dhe për këtë, ai shpreh pak rezerva në lidhje me politikën penale që  mund të ndiqet në këto gjykata. “Shohim në aspektin e analizës retrosprektive që nga viti 2013 e këtij na rezulton që krimi në familje është një nga fenomene kriminale tipike përderisa kemi patur nivel të lartë të krimit në familje. Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare në një vit gjyqësor numri i tyre ka vajtur deri në 40 vepra penale të tilla. Gjykimi i tyre nga një gjykatë e veçantë siç ishte gjykata jonë sillte një politikë më të përshtatshme penale në raport me këto persona, pasi presupozohet që në këtë rast këto çështje hetoheshin nga një strukturë e specializuar dhe nga një gjykata e posaçme siç ishte Gjykata e Krimeve të Rënda. Kam përshtypjen se shpërndarja e tyre në gjykata rrethit mund të sjellë dispropocion sa i përket politikës penale. Një nga qëllimet e ligjvënësit në momentin e kalimit të tyre në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda ka qenë aplikimi i një politike të ashpër dënimi apo të përshtatshëm, për parandalimin si një nga metodat për të parandaluar luftimin e këtij kriminaliteti.

Dosjet në gjykim

Ndërsa për dosjet që janë aktualisht në gjykim dhe pavarësisht se nuk janë kompetencë gjykimi, kreu i Krimeve të Rënda sqaron se do të përfundojë shqyrtimi në këtë gjykatë. “Deri në krijimin e Gjykatës Antikorrupsion dhe e Krimit të Organizuar çështjet e të cilave janë në kompetencën e kësaj gjykate dhe ikin nga kompetenca dhe nuk janë në kompetencë e Gjykatës për Krime të Rënda do të vazhdojnë të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Këtu e kam fjalën për kategorinë e veprave penale të  trafikimit të qenieve njerëzore, të trafikimit të narkotikëve, terrorizmit, të krimeve të rënda. Këto do vazhdojnë të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Me krijimin e Gjykatës Antikorrupsion dhe e Krimit të Organizuar, një proces që do të ndodhë pas konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor  dhe pasi gjyqtarët e kësaj gjykata do të japin pëlqimin për kufizimin e privatësisë dhe të kontrollit të interesave të tyre, me konstituimin dhe krijimin e gjykatës së re atëhere këto vepra penale nëse nuk kanë përfunduar do të ikin në kompetencë për gjykim në gjykatat e rretheve gjyqësore. Me krijimin e Gjykatës Antikorrupsion dhe e Krimit të Organizuar në kompetencë të saj do të jenë veprat penale të korrupsionit, vepra të kryera nga grupe kriminale dhe banda të armatosur dhe cdo vepër penale që është kryer nga funksionarë të lartë shtetëror. Gjithashtu edhe kërkesa për konfiskim dhe sekuestrim pasurie referuar kësaj kompetence dhe kësaj kategorie personash.

Trupat gjyqësore

Ndryshe nga më parë trupat gjyqësore tashmë do të jenë me 3 gjyqtarë nga 5 që kishte gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa krahas gjyqtarëve të gatshëm që do të merren me shqyrtimin e masave të sigurisë, do të jetë edhe gjyqtari i hetimeve paraprake që do të kontrollojë veprimet e prokurorisë. “Nga momenti që Kodi i Procedurës Penale hyri në fuqi, sigurisht që ne sa i përket dispozitave që lidhen me kontrollin e hetimeve nga dita e sotme do të pranojmë kërkesa që lidhen me dërgimin e çështjes në gjyq apo me pushimin e akuzës dhe të çështjes. Ndërsa çështjet e diskutueshme ne do vazhdojmë ti mbajmë në shqyrtim, pasi dispozitat kalimtare të kodit kanë parashikuar që këto çështje deri në krimin e Gjykatës Antikorrupsion dhe e Krimit të Organizuar do gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda”- theksoi Sandër Simoni.

Vettingu

Ndërkohë edhe gjyqtarët që janë aktualisht pjesë e kësaj trupe do mund të vijojnë në gjykatën antikorrupsion dhe kjo pasi të kalojnë procesin e rivlerësimit. “Sipas Kushtetutës dispozitave kalimtare kushtetuese dhe ligjit për statusin e gjyqtarëve, gjyqtarët e krimeve të rënda pas krijimit të KLGJ duhet të japin pëlqeimin për të kaluar në Gjykatën Antikorrupsion të Krimit të Organizuar. Nëse gjyqtarët japin pëlqimin ata marrin një emërim provizor në Gjykatën Antikorrupsion të Krimit të Organizuar. Nëse nuk japin pëlqimin për privimin e privatësisë apo kontrollit personal atëherë mund të transferohen në gjykata të tjera sipas një kriteri renditje që ofron KLGJ-ja”- u shpreh kreu i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni.