Kreu demokrat, Lulzim Basha drekon me Ambasadorin amerikan, Donald Lu. Mbetet sekret se për çfarë biseduan

Drekon me ambasadorin Donald Lu, Basha refuzon të japë detaje

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe amabasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, konsumuan dje së bashku një drekë pune. Dy zyrtarët u takuan rreth orës 13:00 të mesditës së djeshme në një lokal në zonën e ish-Bllokut, pasi kreu i PD, Basha la seancën parlamentare. Nuk ka detaje në lidhje me çfarë është biseduar mes tyre në takimin që zgjati më shumë se 1 orë. Vetë kryedemokrati refuzoi të jepte detaje nga takimi me Lu për mediat. Kryedemokrati pak më herët mbajti fjalimin e tij të parë në parlament dhe më pas ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në nder të Azem Hajdarit, për 19-vjetorin e vdekjes së tij. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se marrëveshja e tij me Ramën e arritur më 18 maj, përfundoi me zgjedhjet e 25 qershorit. Teksa u shpreh se “thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, Basha tha se “Ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje”. Ai tha se marrëveshjen e vranë shitblerja e votës dhe aleanca e Ramës me krimin.