Kosovë: Dështojnë dy seanca të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë

Qeveria dhe opozita në Kosovë akuzojnë njera-tjetrën për mungesë vullneti për një platformë të përbashkët të dialogut Kosovë-Serbi. Por presidenti Thaçi të premten takohet në Bruksel me presidentin serb Vuçiq.

Për mungesë kuorumi, për dy ditë radhazi dështuan dy seanca të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës të thirrura njëra nga partitë në pushtet dhe njera nga opozita, për të diskutuar për qasjen e Kosovës në dialogun me Serbinë, përkatësisht, angazhimet e Presidentit të Kosovës për korrigjim kufiri. Seanca e parë e thirrur nga partitë në pushtet kishte për qëllim ratifikimin e grupit negociator të propozuar nga qeveria e Kosovës por që dështoi. Këtë seancë e bojkotoi opozita, duke e cilësuar përpjekjen e qeverisë si një “lojë për t’i bërë favore presidentit Thaçi në dialog me Serbinë”.

Një ditë pas, të mërkurën  (06.09) pas disa përpjekjeve për ta bërë kuorumin e nevojshëm, dështoi edhe seanca e thirrur nga partitë opozitare që po tentojnë që me një rezolutë, t’ia “ndalojnë” presidentit  që këtë të premte në Bruksel në takim me presidentin e Serbisë, Vuçiq të flasë për kufijtë e Kosovës.

Pas bojkotimit të seancës së jashtëzakonshme të opozitës nga partitë në pushtet, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbylli seancën (pa filluar fare) duke i kërkuar opozitës “që të bëhen bashkë me partitë në pushtet për një platformë të përbashkët”.

“Krijoni mundësi që të flitet në debat për mbrojtjen e Kosovës, pse lodheni ta mbroni Kosovën veç ju vet, ta mbrojmë bashkë edhe të dalim në ballafaqim të përbashkët. Të nxjerrim rezolutë, e krijojmë platformën po nga ky Kuvend dhe të obligojmë institucionet që në dialog me Serbinë të ketë përfaqësim të duhur”, tha Kadri Veseli.

E deputetët e opozitës që nuk po mund ta bëjnë kuorumin e nevojshëm për ta nxjerrë rezolutën e parlamentit, po akuzojnë qeverinë dhe partitë në pushtet për “bllokim të qëllimshëm të punës së kuvendit”.

“Nuk ka askund në botë ku qeveria e bojkoton kuvendin, kjo qeveri e ky pushtet duhet të japin dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Në momentin kur mazhoranca nuk guxon të vijë me opozitën t’i përballë numrat në kuvend, kjo do të thotë që pushteti nuk ndihet i sigurt në numrat e vet”, shprehet i mllefosur shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca.

Nënkryetari i kuvendit të Kosovës, nga partia tjetër opozitare LDK, Kujtim Shala, thotë se “partitë e shumicës nuk kanë vullnet për të mbrojtur sovranitetin”.

“Nuk mund të negociojmë në çështjet e vendit tonë pa qëndrim të prerë këtu. Institucionet e Kosovës në asnjë rast nuk guxojnë të shkojnë dhe të bisedojnë për çështje të rëndësishme pa bashkëpunim dhe pa një marrëveshje të gjerë dhe pa pasur qartësi”, tha Kujtim Shala.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të premten  (07.09) takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takim ky i lehtësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. Presidenti Thaçi, tashmë e ka konfirmuar zyrtarisht që “në tavolinë me Vuçiqin do ta parashtrojë kërkesën e shqiptarëve të luginës së Preshevës që kjo pjesë t’i bashkohet Kosovës”, pa dashur të flasë se çfarë mund të kërkojë pala tjetër, në këtë rast Aleksandër Vuçiq.

“Njohja reciproke duhet të pasohet me heqjen e të gjitha pengesave për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe të bëhet demarkacioni i plotë i kufirit, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha presidenti Thaçi në një konferencë vjetore të ambasadorëve të Kosovës që po zhvillohet në Prishtinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga ana e tij, akoma nuk ka përmendur zyrtarisht “nëse dëshiron që veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë”, por, tash e disa herë e qartëson që “Kosova nuk mund të fitojë gjithçka e Serbia asgjë”. Aleksandër Vuçiq më 9 shtator do të qendrojë në veri të Kosovës, ku ka paralajmëruar se në një tubim që do të organizohet në këtë pjesë, do ta mbajë fjalimin siç është shprehur ai ”më të rëndësishëm në jetën e tij”. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tashmë ka konfirmuar që presidentit serb Vuçiq i është lejuar vizita në Kosovë dhe për sigurinë e tij do të kujdeset policia e Kosovës.