Koronavirus, Papa Françesku: meshtarët t’ua çojnë Eukaristinë e shenjtë të sëmurëve

Mesha e dytë, kremtuar në mëngjes nga Papa Françesku në transmetim të drejtpërdrejtë nga kapela e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Papa inkurajoi edhe një herë punonjësit e shëndetësisë që luftojnë kundër COVID-19 dhe iu lutë Zotit për të sëmurët. Ati i Shenjtë i nxiti priftërinjtë të dalin për t’u sjellë Eukaristinë (Hostën) atyre që janë të bllokuar në shtëpi.

R.SH. – Vatikan

Me pamjen e Krishtin në kryq që vështron mbi altar e pastaj me figurën e Papës që doli nga sakrestia. Filloi, kështu, në heshtje të plotë të kapelës, në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Mesha e dytë e mëngjesit që Papa kremtoi në transmetim të drejtpërdrejt përmes internetit. Një heshtje që Papa e ndërpreu menjëherë në fillim të Meshës duke kujtuar se si dje, edhe sot, oferta apo ndjeti i kremtimit të Eukaristisë Shenjte është për ata që vuajnë për shkak të koronavirusit, për ata që kujdesen për të sëmurët, duke i shoqëruar me një urim shprese të mëtejshme:

Le t’i lutemi Zotit edhe për priftërinjtë tanë, që të kenë kurajën të dalin dhe të shkojnë tek të sëmurët, duke sjell forcën e Fjalës së Zotit dhe Eukaristinë e t’i shoqërojnë punëtorët e shëndetësisë, vullnetarët, në punën që po bëjnë.

Homelia e Papës u frymëzua nga Ungjilli i liturgjisë së sotme nga Mateu (Mt 23,1-12), në të cilin skribët dhe farisenjtë e asaj kohe e vinin në pah superioritetin e tyre hipokrit para njerëzve, duke e quajtur veten mësues, por në anën tjetër nuk u silleshin në mënyrë koherente e të ndershme.

Në vazhdim teksti i homelisë sipas transkriptimit tonë:

Dje Fjala e Zotit na mësoi si t’i njohim mëkatet tona dhe t’i rrëfejmë, por jo vetëm me mendje, edhe me zemër, edhe me shpirtin e turpit, me turpin si qëndrimin më fisnik para Zotit për mëkatet e bëra. E sot Zoti na thërret të gjithë ne mëkatarët që të dialogojmë me Të, sepse mëkati na mbyll në vetveten tonë, na bën të fshihemi ose ta fshehim të vërtetën tonë, në brendësi. Është ajo që i ndodhi Ademit, e Evës: pas mëkatit u fshehën, turpëroheshin sepse ishin lakuriq. E mëkatari, kur turpërohet, pastaj mundohet të fshihet. E Zoti e thërret: “Çohu, eja të bisedojmë – thotë Zoti – të flasim për mëkatin tënd, të bisedojmë për situatën tënde. Mos ki frikë. Jo…”. E vazhdon: “Eja, sepse unë jam në gjendje të ndryshojë çdo gjë – na thotë Zoti – mos keni frikë të vini tek unë për të folur, jini guximtarë edhe me mjerimin tuaj”.

Më vjen në mendje ai shenjti që ishte kaq pendestar e që lutej kaq shumë. E u përpoq gjithmonë t’i jepte Zotit gjithçka që i kërkonte. Por Zoti nuk ishte i kënaqur. E një ditë prej dite ishte pak i zemëruar me Zotin, sepse shenjti kishte një karakter të ashpër e të keq. E i tha Zotit: “O Zoti im, nuk po të kuptoj. Unë të jap gjithçka, bash gjithçka e ti gjithmonë je i pakënaqur, thua se mungon diçka. Çfarë mungon?”. [ E Zoti u përgjigj]: “Mi jep mëkatet tua: kjo më mungon”. Pra duhet të kemi guximin për të shkuar me mjerimet tona për të folur me Zotin: “Çohuni, ejani! Të diskutojmë! Mos keni frikë. Edhe nëse mëkatet tuaja janë aq të rënda, ato do të falen prej Zotit, jeta e njollosur nga mëkati do të bëhet e bardhë si dëbora”.

Kjo është ftesa e Zotit. E mos të harrojmë se mashtrimi ekziston gjithmonë, sepse ne mund të mashtrohemi shumë lehtë: në vend që të flasim me Zotin, shtiremi si të mos ishim mëkatarë! Ky është qortimi që Zoti u bën doktorëve të ligjit, skribëve e farisenjve, sikur na rrëfen Ungjilli i sotëm nga Mateu. Këta bëjnë vepra “që t’i shohin njerëzit: i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët; në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhet prej njerëzve ‘rabbi’ (mësues)”. Dukja e jashtme, mendjemadhësia e kotë. Të mbulosh të vërtetën e zemrës, me kotësi. Mendjemadhësia nuk shëron kurrë. Madje është helmuese, ecën përpara e sjell sëmundjen e zemrës, sjell ngurtësinë e zemrës që të thotë: “Jo, mos shko te Zoti, mos shko. Ji vetvetja, rri siç je”.

Mendjemadhësia është pikërisht vendi ku mbyllemi ndaj thirrjes së Zotit. Përkundrazi, ftesa e Zotit është ajo e një babai, e një vëllai që na thotë: “Ejani! Të flasim, të flasim së bashku. Në fund të fundit unë jam në gjendje ta ndryshojë jetën tende e të bëj të kalosh nga mëkati në falje dhe në jetë” .