Kori i qytetit të Shkodrës “Rozafa Expression”, përcillet me ovacione gjatë shfaqjes në Graz, Austri

Në traditën më të mirë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Austrisë e në mënyrë të veçantë të lidhjeve të ngushta midis qyteteve, Shkodër dhe Graz, publiku i shumtë austriak që kishte mbushur një nga sallat më të bukura të qytetit, Minoritensaal, mirëpriti shfaqjen e mrekullueshme të korit të qytetit të Shkodrës, “Rozafa Expression”.

Mjeshtria e lartë artistike e sopranos së parë Mariana Leka, solisteve Olta Juba dhe Miranda Gjinaj, si dhe virtuoziteti i të gjithë këngëtarëve të korit, drejtuar me mjeshtri të lartë artistike nga kompozitori Zef Çobo, morën  duartrokitjet e zgjatura e të merituara të artdashësve të qytetit të Grazit.

Shfaqja e Korit të Shkodrës, “Rozafa Expression”, ishte pjesë e festimeve të 25 vjetorit të themelimit dhe të aktivitetit të Fondacionit “Partneriteti Austriak Shqiptar” i drejtuar qysh prej krijimit të tij prej të palodhurës Dr. Mariane Graf.

Dr. Graf dhe ekipi i saj vijnë në këtë përvjetor me një kontribut të dalluar, plot 25 vjet në ndihmë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në nevojë në zonat më të largëta e të thella malore.

Ambasadori shqiptar, Roland Bimo falenderoi Dr. Graf dhe ekipin e saj për angazhimin e saj humanitar, si dhe shumë nga të pranishmit në sallë, të cilët kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë përmes rindërtimit të shkollave, spitaleve, infrastrukturës dhe zhvillimit social të zonave malore.

Në festimet e këtij përvjetori ishin të pranishëm Bishop Emeritus Egon Kapellari, Nënkryetar i Senatit të Parlamentit të Austrisë Ernest Goedl.

Ishte i pranishëm dhe trupa diplomatike e konsullore në Graz, personeli i ambasadës shqiptare në Vjenë dhe Shefe e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Ravesa Lleshi.