Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë që kaloi mbi Japoni duke zgjuar reagime të menjëhershme nga Tokio dhe Seuli, si dhe një tjetër paralajmërim nga Presidenti Donald Trump. Sipas analistëve, prova e sotme ishte e ngjashme me planet që Pheniani kishte njoftuar më parë për të lëshuar raketë mbi ishullin e Guamit, pjesë e Komunuelthit Amerikan, por që më pas u anuluan. Besohet që kjo është prova e dytë e suksesshme me një raketë me rreze të mesme veprimi që mund të përshkojë distanca 3000-5000 km.
Japonia thotë se raketa u shpërbë në tre pjesë dhe ra në Oqeanin Paqësor, në lindje të ishullit japonez Hokaido.
Trajektorja aktivizoi sistemet e alarmit për popullatën në Japoni.
Ndërkaq, Presidenti Trump e kritikoi provën e fundit duke thënë se Pheniani ka dëshmuar edhe këtë herë se “përbuz fqinjët, të gjithë anëtarët e OKB, dhe standarded minimale të sjelljes ndërkombëtare”. Presidenti përsëriti edhe këtë radhë se “të gjitha opsionet mbeten të hapura”.
Seuli ka thënë se po punon me Shtetet e Bashkuara për një përgjigje të përbashkët ndaj hedhjes së raketës koreano-veriore.
Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë po studiojnë të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores, por deri tani nuk ka patur njoftime rreth llojit të raketës balistike të hedhur nga Koreja e Veriut. Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”.
Raportet e para thanë se ishin hedhur tre raketa, por shpejt u konstatua se bëhej fjalë për vetëm një raketë. Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.
Një zyrtar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të SHBA i tha Zërit të Amerikës se autoritetet në Uashington ishin në pritje të informatave specifike nga Komanda amerikane e Paqësorit për trajektoren dhe të dhëna të tjera të raketës koreanoveriore.
Kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili thirrje menjëherë një takim të kabinetit, tha: “Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të mbrojtur me vendosmëri jetën e popullit”.
Autoritetet në Tokio thanë se nuk ishin bërë përpjekje për ta goditur raketën, por shtuan se fjala ishte për një “kërcënim serioz dhe të rëndë ndaj sigurisë së Japonisë.”