Kongresmeni amerikan, Michael Turner uron Ilir Metën për zgjedhjen në postin e Presidentit

Kongresmeni amerikan, Michael Turner, ka uruar z. Ilir Meta me rastin e zgjedhjes në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Përmes një telegrami, Turner shpreh bindjen se z. Meta në këtë detyrë të rëndësishme do të shfaqë të njëjtin lidership, që ka shfaqur gjatë kohës që ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit.

“Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të ngrohta si President i sapozgjedhur i Shqipërisë. Për mua ishte kënaqësi t’ju takoj gjatë Sesionit të Pranverës 2016 të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, Shqipëri. Fjala juaj në Sesionin Plenar në lidhje me faktin që NATO duhet të adresojë sfidat komplekse të sigurisë, në mënyrë të unifikuar dhe kolektive, ishte pikërisht në kohën e duhur. Jam i sigurt që ju, si President i Shqipërisë do të shfaqni të njëjtin lidership, që keni shfaqur gjatë kohës që keni shërbyer si Kryetar i Kuvendit”, shprehet kongresmeni amerikan.

Ai thekson se dy vendet tona kanë pasur një marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyer që me vendosjen fillimisht të marrëdhënieve diplomatike në vitin 1912, të rivendosura në vitin 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. “Unë shpresoj në përmirësimin e marrëdhënies tonë të fortë, forcimin e partneritetit tonë në NATO dhe në zgjerimin e përpjekjeve tona kundërterroriste ndaj Shtetit Islamik”, përfundon mesazhi i zyrtarit amerikan.

Kongresmeni Michael Turner ka qenë President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe ka drejtuar punimet e Sesionit të Pranverës 2016 të AP të NATO-s që u zhvillua në Tiranë në maj të vitit të kaluar.