Konferenca për Sigurinë dhe Stabilitetin në Rodos- Bashkëpunim midis vendeve të botës arabe, Ballkanit dhe të Mesdheut juglindor

Konferenca e dytë për Sigurinë dhe Stabilitetin, e cila do të organizohet në Rodos, më 22 dhe 23 maj 2017, do të jetë vazhdimi i një nisme të Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, nëpërmjet së cilës synohet hartimi i një axhende pozitive bashkëpunimi midis vendeve të botës arabe, të Ballkanit dhe të Mesdheut juglindor.

Në Konferencën e pritshme të Rodos do të marrin pjesë Ministra të Jashtëm dhe funksionarë të lartë nga vende të ndryshme, të cilët do të diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballet rajoni i Mesdheut Lindor në fushën e sigurisë dhe do të shqyrtojnë mundësi avancimi të aktiviteteve të përbashkëta në fushat e kulturës, të arsimimit dhe të ambientit. Tema kryesore e Konferencës do të jetë bashkëjetesa dhe bashkëpunimi në kushte paqeje dhe stabiliteti.

Konferenca e parë për Sigurinë dhe Stabilitetin, e cila u mbajt vjet në Rodos (8-9/9/2016), tregoi vlerat e mëdha që ofron dialogu konstruktiv mbi çështje që ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit, si midis qeverive, ashtu edhe midis bizneseve, qytetarëve, universiteteve dhe qëndrave kërkimore mbi çështje të interesit të përbashkët. Qasja pozitive dhe krijuese me të cilën u shqyrtuan çështjet konkrete, e njohur tashmë edhe si “fryma e Rodos”, nga një anë, është e sigurtë që rrit akoma më shumë mundësitë për të pasur rezultate të prekshme, dhe nga ana tjetër inkurajon krijimin e klimës miqësore.

Konferenca e dytë e Rodos i gjen shtetet pjesëmarrëse përballë një sërë problemesh të rëndësishme, siç janë konflikti në Siri, problemi i Lindjes së Mesme, kriza në Libi, vërshimi i refugjatëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar, të cilat kërcënojnë stabilitetin në nivel rajonal. Duke marrë parasysh gjendjen konkrete, Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, i është referuar në mënyrë të përsëritur nevojës urgjente për krijimin e një arkitekture të re mbi sigurinë në rajonin e Mesdheut juglindor.

“Kështu që Konferenca e dytë e Rodos duhet interpretuar edhe si një përpjekje për krijimin e një strukture paraprake, në të cilën shtetet europiane dhe arabe do të mund të konsultohen mbi mundësinë e krijimit të një institucioni, në shembullin e OSBE-së, i cili do të trajtojë çështje që i takojnë një qasjeje të përgjithshme të nocionit ‘siguri’, duke mbuluar në këtë mënyrë, rajonin më të gjerë të Mesdheut juglindor”, thuhet në një njoftim për shtyp të ambasadës greke në Tiranë.

Konferenca e Rodos për Sigurinë dhe Stabilitetin përfshihet në 12 nisma ndërkombëtare që Greqia po ndërmerr gjatë kësaj periudhe. Midis aktiviteteve konkrete, përfshihet Konferenca e Athinës për Pluralizmin Fetar në Lindjen e Mesme, Forumi i Qytetërimeve të Lashta, formatet tripalëshe të bashkëpunimit të Greqisë me Qipron e Libanin, Jordaninë, Palestinën, Israelin dhe Egjiptin, Samiti Katërpalësh i Selanikut për Bashkëpunimin Ndërballkanik, Masat e Ndërtimit të Bashkëpunimit me IRJM, si edhe koordinimi i katër shteteve ballkanike që janë edhe anëtare të BE-së.

Në Konferencë do të marrë pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë, Odeta Barbullushi.