KOMENT/ Rama, pasi ka “falur” qeverinë, “nxjerr në shitje” çadrën e protestës së opozitës

Nga Albert Vataj

Një ditë pas arritjes së marrëveshjes politike mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ky i fundit, i mbetur de fakto Kryeministri i “Qeverisë Teknike” me 6 ministra dhe një zv/kryeministër nga opozita, ka nisur ditën e premte 19 maj 2017, me një urim shumë të veçantë për të gjithë, si për ata që aspirojnë “Shqipërinë Që Duam” ashtu edhe për ata të “Republikës së re”. Është fjala për një urim, i cili më shumë se si një shkas “mirëmëngjesi” është një vijimësi e pehlivanllëqeve të tij. Pothuajse gjatë gjithë kohëzgjatjes së rezistencës opozitare, Edi Rama, jo vetëm përmes deklaratave në media dhe ture politike, por edhe përmes frëngjisë zjarrlëshuese të profilit të tij në Facebook, ka sulmuar opozitën, ka ironizuar, tallur dhe përqeshur, përmes fotosh dhe komentesh, ilustrimesh grafike dhe huazimesh denigruese.

Pas 90 ditëve qëndresë, çadra e protestës së opozitës u mbyll mbrëmjen e 18 majit me një fjalim të kryetarit të PD Lulzim Basha, i cili tha se nis rrugëtimi dhe marshimi në çdo cep të Shqipërisë për të fituar në 25 qershor. Më 19 maj, ai që një ditë më parë kishte shtërnguar duart me atë që e bashkonte shtërngimi i dhëmbëve, Lulzim Bashën, sot ironizon përmes një të ashtuquajture kartolinë me “Çadrën e lirisë”, “Çadrën e Republikës së Re”, “Strehëzën e qëndrësës për votën e lirë”, etj., etj.

“Jap Çadër me qera, për evente, dasma e protesta!

Tre muaj e përdorur në gjëndje të mirë teknike

… full option, biles edhe me pamje nga Kryeministria!!

Kjo është përmbajtja e kartolinës, me të cilën Kryeministri, Edi Rama, uron “fitoren” e opozitës në sfidën e qëndresës dhe frymëzon “Shqipërinë Që Duam” për fushatën zgjedhore.

MIRËMËNGJES – shkruan Rama në profilin e tij në Facebook

dhe me këtë kartolinë ekskluzive ju uroj gjithë qytetarëve e vizitorëve të Tiranës sot, hapjen e bulevardit ku rikthehet jeta normale.

Tanimë është hapur edhe rruga e Vetingut për të cilin luftuam aq fort së bashku dhe duke uruar një ditë të mbarë për të gjithë, ju siguroj se siç luftuam e fituam për Vetingun, do të luftojmë e fitojmë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë e punësimit. Për #ShqipërinëQëDuam, përfundon postimin e tij Rama.

Rama nuk ka mundur të mbajë për asnjë çast të veshur kostumin e një veprimtari politik, e një vizionari, statura e të cilit është një imazh që i imponohet publikut. Ky imazh, kjo përzgjedhje vullnetlirë e tij mbetet ndoshta më qesharakja e një burrështeto në historinë e qytetërimit modern. Për pasojë, ne qytetarët e këtij vendi, shumë prej të cilëve besojmë te puna dhe pritshmëritë e tij, më shumë se të nënçmuar, mbetemi të fyer. Mund të jetë vërtetë qesharake “çadra” si objekt, mund të mos kenë përftuar nder dhe lavdi hiri i saj iniciues, por kurrsesi nuk e meritojnë këtë; ata dhjetëra intelektualë dhe personalitete të shquara, të cilët megjithëse nuk i bashkonte asgjë me PD dhe opozitën, patën kurajë qytetare të solidarizohen me atë që sinjifikonte çadra, me kauzën e saj.

Gjithçka mund t’ia lejojë vetes një despot politik, por kurrsesi të fyej qytetarët e tij, vetëm e vetëm se ata zgjodhën të ishin nën një strehë që i mbronte nga hiri vullkanik i humbjes së shpresës. Rama, si individ mund të joshet nga çfarëdo forme shprehëse pop-art, si krijesë lirie “non limit”, mund t’i jepet çdo çmendurie sa ja lejon ligji dhe morali, por duhet të mos e injorojë Kryeministrin, qoftë edhe kur rrethanat i’a kërkojnë atij të përfshihet në një ofertë tregtie, shitjes së një çadre, për evente, dasma dhe protesta.

Pas suksesit të arritur me marrëveshjen, dhe fitores “si ajo e Pirros”, e cila më shumë se një pazar i dinozaurve të politikës shqiptare, një eufori militantësh, një larje hesapesh më aleatët, një këmbimi të qeverisë me karrigen e tij, ai, Rama i hyn lojës së nervave, duke zgjedhur sarkazmën, jo tamam si një mekanizëm politik, se sa si një valvul shkarkimi i presionit.  Çlirimi nga makthi i mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje i hedh atij mbi shpinë barrën e mosmarrëveshjes së “marrëveshjes së turpit”, të cilën me gjas kërkon ta laj me çmimin e çadrës. Gjithsesi, cilado të jetë oferta, ajo sërish nuk do të mund ti japë, çfarë ai kërkon. U shit ose jo, “çadra” do të mbetet një nga makthet më të këqija të Edi Ramës, Kryeministër.