Koço Kokëdhima kritikon qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama për integrimin e vendit në BE dhe për raportet me vendet e tjera në rajon

Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima kritikon qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama për integrimin e vendit në BE dhe për raportet me vendet e tjera në rajon.
Në një reagim në Facebook, Kokëdhima shprehet se Edi Rama nuk po e trajton siç duhet problemin me azilantët.

Kokëdhima është i mendimit se BE-ja po mbështet krijimin e Jugosllavisë së re në rajon.

Postimi i Kokëdhimës në Facebook:

Rama shton bilancin e zi!

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor sot në Durrës nuk prodhoi asgjë pozitive për Shqipërinë. Kryefjala e takimit ishte shqetësimi se azilkërkuesit shqiptarë kanë alarmuar vendet e BE-së. Kryeministri e mohoi këtë situatë dhe tha se ata nuk janë kërkues azili, por kërkues pune. Ai e trajtoi Raportin e Holandës si një çështje politike dhe synim për të treguar me gisht shqiptarët.
Në të vërtetë Europa i ka pranuar shqiptarët por nuk ka pranuar qeveritë e korruptuara, të kriminalizuara dhe të kapura të Shqipërisë. Janë mijëra shqiptarë që punojnë dhe jetojnë nëpër Europë.
Eurokomisioneri Johannes Hahn e nxorri blof dhe e turpëroi kryeministrin tonë, kur theksoi se, kërkesat e larta për azil nga shqiptarët, japin idenë se Shqipëria nuk është gati për në BE. Edhe në Samitin e Triestes, një muaj më parë, kryeministri ynë shkoi me duart në xhepa dhe me atlete të bardha dhe e nxorri Shqipërinë me këpucë të kuqe! Të gjitha projektet i fituan Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina.
ZGJIDHJA denoncon edhe një herë paaftësinë vrastare dhe sjelljen çnderuese e të papërgjegjshme të kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe reputacionin e tyre në botë. Edhe sot në Durrës, ashtu si në të gjitha takimet e tjera, BE-ja mbështeti planin e Serbisë për të krijuar Jugosllavinë e re, në emër të bashkëpunimit rajonal dhe tregtisë pa barriera doganore, si një mënyrë që Beogradi të marrë rolin e liderit rajonal dhe përfitimet e ndihmës nga BE. Kurse Shqipëria e drejtuar nga Edi Rama, në vend të Brukselit dhe Europës, po i afrohet gjithnjë e më shumë Beogradit dhe Serbisë pa asnjë transparencë për publikun shqiptar.