Klerikët shqiptarë të mesjetës në arkivat e Dubrovnikut

DR. ETLEVA LALANga Dr. Etleva LalaMovie Get Out (2017)

Që në fillim të shekullit XIV, në qytetet bregdetare dalmate, siç janë Kotorri, Dubrovniku, Spliti, Shibeniku, Senji, Zara, Pula, etj, në bazë të burimeve dokumentare të pabotuara ose të botuara të arkivave të këtyre qyteteve, por edhe atyre të kuvendeve, manastireve dhe kishave përkatëse, gjejmë një numër të konsiderueshëm priftërinjsh shqiptarë që ishin arratisur apo kishin emigruar, kryesisht për shkaqe të dhunës, presionit, rrezikshmërisë së lartë për jetën e tyre, e në disa raste edhe për kushte më të mira ekonomike apo edhe për ngritje në hierarkinë kishtare.

Në qytetet e lartcekuara por edhe të tjera të bregdetin dalmat, kishte mungesë të klerikëve vendas qofshin ata priftërinj të thjeshtë apo nga shtresë e lartë klerikësh. E kundërta është me qytetet shqiptare, ku ka një numër jashtëzakonsht të madh klerikësh të cilët përgatiteshin dhe formoheshin në ambientet vendore, përkatësisht në shkollat ekzistuese pranë qyteteve-komuna apo pranë katedraleve të tyre.

Përgatitja e lartë profesionale në shkollat vendore dëshmohet edhe sipas dokumenteve arkivore. Shkolla te tilla p.sh. ka pasur disa në Shkodër në vitin 1416: “la scuola overo frataglia de Santa Barbara; la scuola overo frataglia de San Mercurio; la scuola overo frataglia de Santa Croce.”

Nuk janë të rralla rastet, kur nga familjet fisnike shqiptare kishte disa anëtarë klerikë të lartë që arrinin deri në pozita ipeshkvësh apo kryeipeshkvësh të cilët për shkaqe të ndryshme u detyruarn të arratisen-emigrojnë në qytetet e tjera të bregdetit dalmatinas dhe atje dërgojnë ndonjë anëtar të familjes së tyre si mësues, p.sh. siç është rasti i një prifti nga famullia e Shën Palit nga Pulti, e Ndreut, i cili në vitin 1367, dërgon nipin e tij në Dubrovnik: “docere Donatum et Catonem ut sciat interpretari.”

Rasti tjetër eshte ai i një kleriku të lartë (kanonik, presbyter) nga Drishti, i familjes Ungari. Ky ishte Nikolla, i cili hapi një shkollë fillore në Stagno afër Raguzës në vitin 1388, “domini Nicole de Drivasto pro affictu domus, in qua debet tenere scolares in Stagno pro docendo (!) eos legere et scribere.”

Nuk mund të mos përmendim rastet nga qytet-komuna e vogël e Drishtit, ku kemi një numër jashtëzakonisht të madh priftërinjsh të arratisur në Raguzë dhe në qytete tjera bregdetare dalmate. Është i veçantë rasti, kur Senati Dubrovnikas, në gusht të vitit 1388 debaton për priftërinjtë e arratisur nga viset shqiptare, gjë që tregon rëndësinë dhe seriozitetin e këtij problemi.

Klerikët, rastet e të cilëve do të analizojmë në vijim, ishin me origjinë nga qytetet e mëdha shqiptare, në të cilat kishte një traditë të krishterimit që nga zanafilla e tij. Këto qyteet ishin mjaft të zhvilluara në të gjitha aspektet e jetës, ngjashëm me të gjitha qytetet e tjera qoftë të bregdetit Adriatik apo të Europës.

Natyrisht, një numër kaq i madh klerikësh shqiptarë, i cili përveçse shërbente në trojet etnike shqiptare, ishte i shpërndarë gjithandej, le të kuptohet se në këto qytete shqiptare, prej nga vinin ata si: Durrësi, Drishti, Danja, Lezha, Sapa, Shkodra, Vregu etj, kishte shkolla në të cilat këta priftërinj përgatiteshin për t’i shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim kishës dhe krishterimit.

Nëse Urdhërin e Domenikanëve në shekullin XIV dhe XV Raguzën (Dubrovnikun e sotëm) e udhëhiqnin shqiptarët, duke trashëguar njëri pas tjetrit postin e nderuar të “Priorit”, nuk mbeten pas as anëtarët shqiptarë të Urdhërit të Shën Françeskut.

Dokumente ilustrueseKështu p.sh. më 30 prill të vitit 1300, vikar i kuvendit françeskan “Male Braće” në Dubrovnik ishte át Shtjefni nga Shkodra. Po kështu në Zarë, në vitin 1385, provincial i Provincën së Dalmacisë ishte át Minori nga Durrësi, që ishte arratisur më 21 dhjetor të vitit 1381 për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen fisnike shqiptare të Topiasve.

Po në Zarë, në vitin 1396, guardian i kuvendit të françeskanëve është shqiptari, át Gjoni nga Drishti, i cili ishte larguar nga Shqipëria për shkak të frikës nga turqit, të cilët herë pas here sulmonin Veriun e Shqipërisë. Një tjetër provincial shqiptar, át Nikollën, të ikur nga Durrësi e gjejmë në Zarë, më 14 tetor të vitit 1440. Ai ishte larguar nga Durrësi më 29 janar të vitit 1439, pas një konflikti me proveditorin venedikas të qytetit.

Sipas burimeve arkivore të Zarës, Trogirit, Kotorrit dhe Dubrovnikut, nga Shqipëria ishin arratisur në këto qytete françeskanë me emër, që më vonë do të shpalleshin edhe martirë, dhe që nderohen e respektohen edhe sot e kësaj dite. Për fat të keq, të dhëna për këta martir ka shumë pak të ruajtura.

Ata janë: në qytetin e Birbirit át Ndreu nga Durrësi që ishte arratisur në vitin 1331 dhe kishte vdekur në atë qytet në vitin 1355; në Cres át Mëhilli, kishte ikur nga Shkodra në vitin 1329 dhe kishte vdekur në vitin 1350; në Trogir ishte arratisur nga Drishti át Gjon Bukëmiri në vitin 1340 dhe kishte vdekur në vitin 1345, në të njëjtin vit, në këtë qytet kishte vdekur disa muaj pasi ishte arratisur nga Durrësi edhe át Gjon Buka, pastaj në Kotorr ishte arratisur át Adami nga Durrësi në moshë të shtyrë më 17 prill të vitit 1329 dhe kishte vdekur një vit më vonë.

Sipas burimeve akrivore që ruhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut dhe në Kuvendin Françeskan “Male Braće” po në Dubrovnik, gjemë të dhëna fragmentare, të pakta ose vetëm përmendje emri, edhe për këta priftërinj të arratisur nga Shqipëria të cilët jetuan e vepruan në Dubrovnik, kryesisht në Kuvendin Françeskan: át Qipriani nga Tivari në vitin 1288; át Lluka nga Tivari në vitin 1340; át Ndreu nga Shkodra në vitin 1347 që ishte edhe guardian i Kuvendin Françeskan “Male Braće” dhe kishte ikur në gusht të vitit 1345, kurse si guardian emërohet në vitin 1346.

Vdes në Dubrovnik më 23 maj të vitit 1354; át Ndreu nga Durrësi ikën për në Dubronik në vitin 1345, në vitin 1347 e gjejmë në dokumente si prift të thjeshtë, ndërsa në vitet 1371 dhe 1381 si guardian në “Male Braće;” át Dhimitri nga Shkodra në vitin 1348 e gjejmë si kustos, ku për të shënohet se kishte ikur nga vendlindja në vitin 1339 për shkak të frikës nga hakmarrja, sepse njëri nga vëllëzërit e tij, Mëhilli, kishte vrarë një kushëri të ipeshkvit të Shkodrës.

Në vitin 1354 këtë françeskan e gjejmë si ipeshkëv të Stefanikës në vitin 1354 dhe si kryeipeshkëv të Durrësit në vitin 1369, ku sipas të gjitha gjasave ai kishte zgjidhur problemet me gjakmarrjen që kishte pasur në vitin 1339.

Lista e rasteve ne dokumente arkivore eshte e gjatë, por secili rast është interesant, sepse sjell pjesëza nga jeta dhe mentaliteti i arratisjes dhe i lëvizjes në atë kohë. Në burime arkivore gjejmë të dhëna edhe për át Nikollë Markun nga Ulqini në vitet 1349 dhe 1354, ku thuhet se ishte arratisur nga Ulqini, pa shënuar arsyetimin e largimit.

Në vitin 1349 ka të dhëna për át Gjin Shqiptarin nga Durrësi, ndërsa në vitin 1354 për át Frangun e Zi nga Sapa. Për át Minorin nga Sirgji i Durrësit gjejmë informacione në vitin 1355, kur kishte arritur në Dubrovnik dhe ishte vendosur në Kuvendin françeskan i dërmuar nga udhëtimi i gjatë gati 3-javor me këmbë nëpër viset e bregdetit, ku kishte kaluar një kalvar të vërtetë derisa kishte mbërritur në kuvend.

Ky françeskan në dokumente përmendet edhe një herë në vitin 1385. Kurse në vitin 1350 përmendet át Dhimitri nga Shkodra që kishte ikur në Dubrovnik në vitin 1347. Pastaj përmendet edhe Nderu nga Shkodra në vitin 1362 dhe át Minori tjetër nga Durrësi në vitin 1356 që nuk kishte asgjë të përbashkët me át Minorin që cekëm më lart, i cili kishte arritur të emërohej provincial në vitet 1377-1395 dhe në këtë kohë ishte edhe mësues i teologjisë në Gjimnazin e Dubrovnikut.

Në vijim gjejmë të dhëna për át Gjergjin nga Tivari i cili para se të arratisej në Dubrovnik në vitin 1382, kishte qenë për pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Informacione fragmentare gjejmë edhe për françeskanin át Pali nga Durrësi në vitin 1372, i cili këtë vit ishte emëruar si bashkëprior në Kuvendin Françeskan. Në vitin 1385 gjejmë informacione për át Mhillin nga Durrësi i cili ishte vendosur në Dubrovnik në vitin 1383.

Në vitin 1385, burimet flasin edhe për át Shtejfnin nga Shkodra që ishte arratisur në vitin 1382 dhe në vitin 1385 e gjejmë si mësues teologjie dhe filozofie po në Gjimnazin e Dubrovnikut. Në vitin 1387 në burime arkivore gjejmë fare pak të dhëna për át Sergjin nga Durrësi. Një prior tjetër i Kuvendit Françeskan në Dubrovnik është edhe át Leka nga Durrësi në vitin 1382, i cili ishte arratisur nga kuvendi i tij në Shqipëri në vitin 1378.

At Margariti nga Drishti që ishte larguar nga kuvendi i tij në vitin 1401, ndeshet në Dubrovnik në vitin 1406. Me mjaft interes është edhe jeta e françeskanit tjetër durrësak, át Nikollës, i cili e zëvendëson në pozitën e priorit atë Lekën, bashkëkombasin e tij. Në Dubrovnik atë Nikolla kishte mbërritur në vitin 1396 pas konflikitit me familjen fisnike shqiptare të Topiajve dhe në vitet 1432, 1437 dhe 1445 e gjejmë si provincial në Kuvendin Françeskan “Male Braće.”

Këtij françeskani, Senati Dubrovnikas në vitin 1432 i kërkon të kthejë disa dorëshkrime me vlerë që i kishte huazuar për studim me rastin e ikjes së tij për në Padova të Italisë, ku po mbronte doktoratën. Jo më pak interesant është edhe françeskani át Ndreu nga Durrësi, i cili kishte ikur nga qyteti i tij në vitin 1429. Në vitin 1438 e gjejmë si provincial në Kuvendin Françeskan “Male Braće” dhe inkuizitor të Urdhërit, pasiqë më parë kishte mbrojtur gradën shkencore doktor nga Shkrimi i Shenjtë.

Më vonë, ky françeskan shqiptar emërohet edhe ipeshkëv i Senjit (1443-1456).

Numri më i madh i klerikëve të urdhërave dhe niveleve (rangjeve) të ndryshme që strehohej në Dubrovnik, pa dyshim ishte nga qytetet bregdetare dhe hinterlandi shqiptar.

Si rast i veçantë në dokumenta arkivore përmendet Durrësi i cili për shkak të specifikave të tij fetare ishte një nga qendrat më të rëndësishme të ndeshjeve të kulturave dhe religjioneve zhvillimeve politike, ekonomike, ushtarake, sociale, tregtare, etj, për faktin se pjesa dërrmuese e popullsisë u takonte dy kishave: asaj të Perëndimit ose Lindjes ku edhe shërbimet fetare ishin bilinguale. Durrësi ishte vatër e përherhsme konfliktesh fetare qofshin ato nga mbështetësit e Perëndimit apo të Lindjes.

Edhe pse vatër konfliktesh, Durrësi dhe hinterlandi i tij si p.sh. Drishti, Danja, Sapa, Lezha dhe Shkodra, asnjëherë nuk kemi ndeshur në burime dokumentare një fanatizëm të skajshëm fetar që të shkaktonte konflikte të hapura të armatosura, por gjithçka mbetej në tentativë ose kërcënim për jetën, që ishte e mjaftueshme për klerikët për t’u arratisur, pa dallim hierarkie kishtare që nga kryeipeshkvi deri te famullitari, në vende më të sigurta për jeten e tyre.

Me këtë dëshirojmë të vëmë në pah, faktorin tjetër që theksuam në fillim, atë të kërcënimeve të ndërsjella të klerikëve të kishës Përendimore apo Lindore. Në rastin tonë, kjo ndodhte më shumë me klerikët e kishës Perendimore, të cilët përveçse në Dubrovnik, gjenin strehim edhe në qytete të tjera të bregdetit Adriatik si në Split, Senj, Shibenik apo Zarë, por edhe në hinterland që nga Zagreni e deri në Budë ose Pest të Hungarisë, duke mos përjashtuar edhe qytetet italiane dhe disa të tjera të Europës, ku e vetmja rrugë e shpëtimit të jetës së tyre mbetej arratisja.

Burimet arkivore për shumicën dërrmuese të klerikëve shqiptarë të arratisur nga Durrësi, ruajnë të dhëna dhe informacione me vlera të veçanta, pasi në to pasqyrohen momente shumë interesante jo vetëm për jetën e tyre, por edhe për kushtet e përgjithshme jetësore, përditshmërinë dhe rrethanat ekzistuese të kësaj treve në përgjithësi dhe Durrësit në veçanti.

Nuk është befasi, që numri më i madh i priftërinjve shqiptarë të arratisur nga Durrësi gjejnë strehim në Kuvendin Domenikan të Dubrovnikut, siç do vërehet në vijim. Në Durrës, kuvendi i njohur i Shën Dominikut ekzistonte që në vitin 1278, ndërsa urdhëri ishte vendosur disa vite më herët.

Një personalitet shumë i nderuar kishtar nga qyteti i Durrësit dhe që u arratis nga ky qytet është prifti nga dera e njohur fisnike e Topiajve, Domeniku, i cili kishte arritur deri në shkallën e lartë të hierarkisë kishtare, në atë kryeipeshkvit. Megjithatë për të do të flasim në një shkrim tjetër, duke qenë se intrigat dhe arritjet e tij janë të jashtëzakonshme.

Arratisje të priftërinjve shqiptarë nga qyteti i Durrësit në Dubronvik (Raguzë) mund të dëshmohen në mënyrë të dokumentuar që nga mesi i shekullit XIII, përkatësisht në dokumente që ruhen në Arkivin e Dubrovnikut ndeshim priftërinj shqiptarë të cilët ushtrojnë funksione dhe detyra të ndryshme me përgjegjësi në lartë në hierakinë kishtare sipas përgatitjes së tyre profesionale por edhe respektit që ata gëzonin nga vendi që ishin arratisur, në këtë rast Shqipëria.

Ne do ndjekim hap pas hapi kësaj radhe dhe në mënyrë të hollësishme, arratisjet e klerikëve shqiptarë nga qyteti i Durrësit, me një fokus të veçantë në Urdhërin e Domenikanëve, të cilët ishin shumë të nderuar në këtë qytet, por edhe më gjërë.

Pas vendosjes në “atdheun e dytë” në Raguzë, klerikët shqiptarë arrijnë funksione të larta në hierarkinë kishtare të urdhërit të domenikanëve. Në radhën e priorve të Kuvendit Domenikan të Dubrovnikut ndeshim një klerik të lartë shqiptar nga Durrësi, át Palin i cili tregoi përkushtim dhe nderim të veçantë për urdhërin e predikatorëve, ndërsa në anën tjetër ishte shumë i respektuar dhe nderuar te dubrovnikasit si tek ata të shtresës së lartë fisnike qytetare, por edhe te qytetarët e thjeshtë.

I arratisur nga qyteti i lindjes për shkak të një konflikti për çështje pronash me një familje sllave, Mrkoviq, që jetonin në Durrës, ai “arratiset” natën e 13 prillit të vitit 1372 me një galerë, përmes detit Adriatik për në Dubrovnik.

Meqenëse gjatë shërbimit në kuvendin e domeniknëve në Durrës, kishte mbajtur lidhje të ngushta me kuvendin e domenikanëve të Dubrovnikut, për shkak të cilësive të veçanta dhe përgatitjes profesionale, me 16 tetor 1373 emërohet prior i Kuvendit domenikan të Dubrovnikut.

Historia e Ndreu nga Durrësi duket e ngjashme me atë të Palit. Ai jeton në Dubrovnik që nga viti 1369 dhe ishte prior i Kuvendit të Domenikanëve për një kohë të shkurtër, rreth një vit (nga 8 janari i vitit 1376 deri më 10 janar 1377).

Edhe ky ishte arratisur nga Durrësi për shkak të presioneve nga “papasit” ortodoksë që në vitin 1369, duke lënë atje gjithë çfarë kishte, për të “shpëtuar kokën”. Veprimtarinë e këtij prifti shqiptar të arratisur mund ta përcjellim në Dubrovnik deri më 15 tetor të vitit 1400, vit ky kur ai vdes.

Át Teodorin nga Durrësi, një tjetër klerik të Urdhërit të Domenikanëve e gjejmë të arratiset në Dubrovnik më 9 maj 1371, për shkak të kërcënimit të një familje ortodokse durrësake që ishte në lidhje farefinsore me “papasin” ortodoks grek të këtij qyteti.

Kleriku shqiptar, át Teodori, shpejt ambientohet me rrethin e ri, me kushtet e punës e të jetës klerikale në kuvendin e ri domenikan ku e ndeshim më 11 shkurt të vitit 1376. Një vit më vonë, më 12 janar 1377 e gjejmë në funksion e priorit të këtij urdhëri, në kishën e Shën Jakovit, jashtë mureve të qytetit të Dubrovnikut.

Në shtator të vitit 1387, prifti át Nikolla nga Durrësi strehohet në Dubrovnik pas një konfliki që kishte pasur atje me njërin nga fisnikët e njohur shqiptarë të familjes Topia që sundonin Durrësin në at kohë. I veshur si lypsar siç dëshmon ai vetë, mbërrin në kuvendin e Domenikanëve në Dubrovnik.

Pas disa vitesh shërbimi, më 23 qershor të vitit 1390 e gjejmë prior të këtij Kuvendi. Këtë funksion e ushtron deri në fund të janarit 1400 dhe pas kësaj date, mesa duket i pakënaqur nga zhvillimet brenda Kuvendit të Domenikanëve në Dubrovnik, e gjejmë të ketë kaluar në një urdhër tjetër, përkatësisht në urdhërin e françeskanëve.

Datën e saktë të kalimit te Françeskanët nuk e kemi gjetur, por, për herë të parë pranë këtij urdhëri e gjejmë në dokumente më 22 tetor të vitit 1427 dhe atë “venerabilis frater Nicolaus de Durachio, minister Provincie Dalmatie ordinis minorum”, pra në një pozitë drejtuese gjë që është një tregues i mirë për reputacionin që ai gëzonte në radhët e klerit që jetonte e vepronte në Dubrovnik.

Një tjetër prift shqiptar i arratisur në Dubrovnik është át Gjoni nga Durrësi. Informacionet për arratisjen e tij dhe marrjen me vete të një sërë dorëshkrimesh origjinale në pergamenë i gjejmë në AHD, që nga viti 1396. Meqenëse ishte njëri ndër drejtuesit e kuvendit të domenikanëve në Durrës, ku shquhej per përkthime dhe shkrime ne fushën e të drejtës kanonike.

Ky prift zëvendëson paraardhësin e tij shqiptar, át Nikollën, më 31 janar të vitit 1400, në pozitën e prior-it të domenikavë të Dubrovnikut. Këtë funksion e mban deri më 12 janar të vitit 1404. Por në dokumentat arkivore e gjejmë aktiv si “frater monasterii sancti Dominici fratrum predicatorum Ragusii” deri më 19 qershor të vitit 1435, ku përmendet për herë të fundit zyrtarisht, që mesa duket pas kësaj date duhet të ketë vdekur.

Nuk kemi shumë të dhëna për priftin e njohur domenikan shqiptar, át Dhimitër Spanin për shkaqet që e detyruarn të arratiset në Dubrovnik në vitin 1403, por, nga burime të tjera të tërthorta dhe studime të botuara, mësojmë se ai ishte në konflikt me kryeipeshkvin e Durrësit dhe si duket kjo është arsyeja e largimit të tij nga kuvendi i Domenikanëve të Durrësit.

Për shkak të origjinës së tij finsike, por edhe reputacionit si prift i ditur, ai emrohet prior në Dubrovnik, në Kuvendin e Domenikanëve në shkurt të vitit 1404, duke zëvendësuar parardhësin e tij shqiptar, át Gjonin.

Edhepse emër i njohur te Urdhëri i Domenikanëve, në pozitën e prior-it, át Dhimitër Spani nuk qëndroi për një kohë të gjatë. Më 26 nëntor të vitit 1406, atë e zëvëndësoi presbyter át Gjergji, që poashtu ishte arratisur nga Durrësi, por ky për shkak të problemeve që fisi i tij, kishte me një fis tjetër dhe i frikësohej hakmarrjes, edhepse sipas “Kanunit të Shqiptarëve-Kanunit të Lekë Dukagjinit” dhe të Drejtës Kanonike prifti ishte i mbrojtur nga ky fenomen – gjakmarrja.

Edhe pse arratisjet mund të konsiderohen si tragjedi personale për shkak të rrethanave në të cilat ndodhin, duket se në fund nuk janë aq tragjike sa ç’duken. Klerikët shqiptarë të arratisur në qytetet bregdetare dalmate në mesjetë jo vetëm që arritën të integrohen në jetën fetare dhe publike atje, por të gëzonin reputacion dhe të bënin karrierë që ndoshta as që do ta kishin ëndërruar në vendin e tyre të origjinës. Shqiptarja.com