Kladha, arvaniti që u rezistoi osmanëve në vitet 1400

“Të parët, prindërit e tij ishin shqiptarë, nga Himara!” Këtë fakt, qenien e tij shqiptare, e pohojnë pothuaj të gjitha dokumentet
bizantine, ato veneciane, burimet osmane të kohës, si dhe ato greke. (2) Jo vetëm kaq, por siç do të shohim
më poshtë, në tërë jetën e tij si udhëheqës i rezistencës antiosmane, ai qëndroi vetëm në krye të forcave dhe luftëtarëve kryengritës shqiptarë, që popullonin territore të tëra në More-Peloponez. Pra, trupat e tij përbëheshin nga burra të kësaj fare. (3) E para figurë e njohur e këtij fisi,
Kladhajve, që përmendet në këto dokumente historike, është Teodor Kladha, babai i Krokodilit. Përmes kronikave bizantine, ai shfaqet dhe bëhet i njohur në vitet e fundit të
sundimit të perandorëve bizantinë, Paleologëve. Madje, burimet
e kohës na njoftojnë se “Teodor Kladha kishte ofruar shërbimet
dhe ndihmën e tij Perandorit të Bizantit, Paleologut, gjer ditët e fundit të qëndrimit të tij në fron, në Mistra të Peloponezit”. Këto dokumente evidentojnë gjithashtu se
Teodor Kladha ishte komandant i trupave të armatosura – Armatollëve, të krahinës së Manit dhe territoreve të tjera më gjerë, me qendër qytetin dhe kështjellën e njohur të Koronit, në Peloponez. (4) Teodori, nga martesa e tij pati lindur dy djem, Krokodilin dhe Markon e Famshëm!!! Vetëm kaq na thotë dokumenti që edhe djali tjetër Markua ishte bërë i “famshëm”,
“i njohur”, por se përse ai ishte bërë “i famshëm”, ne ende
nuk e dimë. (5) Dimë vetëm disa fakte që na vijnë përmes kancelarive veneciane, të cilat na bëjnë të njohur se edhe ai pati luftuar krah venecianëve kundër forcave pushtuese osmane në ofensivat e para të tyre, ndërsa ato shtriheshin mbi tërë Ballkanin.

FILLESAT E RRUGËS TË NJË KRYENGRITËSI TË PAEPUR

Duhet të ketë qenë viti 1445-parë edhe emri i të riut Krokodil
Kladha, ndërsa trupat osmane shtriheshin në ofensivat e tyre më të përgjakshme në territoret kontinentale greke. Kronikat e kohës bëjnë të njohur qëndresën e dëshpëruar dhe të paorganizuar të popullsisë greke dhe asaj shqiptare në ato anë. Në këto kohë luftërash, familja e Kladhajve, babai
Teodori dhe dy djemtë e tij, përmenden herë si luftëtarë në
frontet e luftës antiosmane dhe herë në aleancë dhe në shërbim të venecianëve në qëndresën për të mbrojtur fortesat veneciane të Peloponezit.Për shkak të aftësive të tij të
veçanta luftarake, shumë shpejt, Krokodilin e gjejmë, në dokumentacion venecian të kohës, si “capo di albanezi” – komandant të trupave të luftëtarëve shqiptarë. Ai kishte marrë kështu udhën dhe profesionin e të atit, ndoshta
në mbështetje të Paleologëve, gjer në ditët e fundit të rezistencës së despotëve bizantinë. Por, në vitin
1460, kur Despotati i Moresë ra përfundimisht në duart e osmanëve, Kladha i ri vazhdoi të qëndronte në krye të luftëtarëve arvanitë, që aso kohe ishin rreshtuar të gjithë në fushat e betejave kundër turqve. Kronikat sporadike
na bëjnë me dije se aty nga fundi i viteve 1460, ai gjendet në “komandën e një force prej 1000 luftëtarësh, që kishte bërë emër dhe ishte dalluar në betejat në shërbim të princit (despotit) të Peloponezit, duke ngritur emrin dhe famën me një çmim të lartë të qëndresës dhe kurajës së tij”.(6)
Kur rrokopuja e ngjarjeve tragjike, pushtimet e njëpasnjëshme
të territoreve nga forcat osmane tanimë po përcaktonin fatin e popullsisë ballkanase, rrethanat dhe realitetet kërkuan bashkëpunimin e luftëtarëve kryengritës për të mbrojtur lirinë e tyre. Por, duket se forcat e përçara nuk e kishin gjetur dot gjuhën e përbashkët për një qëndresë të unifikuar.
Duke përfituar nga kjo situatë, me një shpejtësi marramendëse,
turqit kishin arritur të shtinin në dorë një numër fortesash të rëndësishme të këtyre anëve. Ndoshta i vetmi kapedan i vendosur dhe i palëkundur që vazhdonte ende qëndresën, në rrethanat e frikshme dhe tragjike, kishte mbetur Krokodil Kladha, i cili, me kurajë dhe shpejtësi, kishte shtënë
në dorë dhe mbante me forcat e tij një kështjellë të fuqishme
në krahinën e Lakedemonës, atë të Shën Gjergjit. Por, ofensivat e mëdha osmane nën drejtimin e vetë Sulltan
Mehmetit dhe pushtimi nga ana e tij i tërë territoreve greke, e detyruan Krokodilin të largohet nga betejat frontale. Por, siç treguan zhvillimet e ngjarjeve më vonë, duket se kjo lëvizje e Kladhës, ka qenë vetëm një tërheqje taktike, e
përkohshme, për t‘i shpëtuar furisë së ofensivës osmane. E themi këtë sepse aty rreth viteve 1463-1464, në luftën turko-veneciane, e gjejmë Kladhën përsëri si komandant të forcave kryengritëse të spartiatëve (krahina e Spartës-Peloponez), duke luftuar kundër forcave osmane, por pa u dukur të japë shërbimet e tij të rezistencës, interesave veneciane.

KONFLIKTI TURKOVENECIAN DHE KONTRIBUTET E KLADHËS NË ALEANCË
ME VENECIANËT

Por turqit prisnin me padurim rastin e volitshëm për të realizuar synimet e tyre edhe kundër bazave veneciane në territoret e Peloponezit dhe duket se pritmërisë
së tyre i dha fund një çështje e rëndomtë, por që turqit e përdorën si një rast ideal për të justifikuar fillimin e operacioneve ushtarake kundër këtyre bazave. Ajo që i dha shkas fillimit të luftimeve mes dy fuqive më të mëdha të kohës, forcave osmane dhe reparteve të Republikës Veneciane,
më 1462, ishte “arratisja e një skllavi arvanit, që vodhi disa
gjëra te komandanti i forcave pushtuese osmane të Athinës,
Omer Pasha, dhe që mbas aktit u largua në Methoni dhe u strehua në shtëpinë e këshilltarit venecian, Valaresi”. Turqit e kërkuan nga venedikasit ta arrestojnë arvanitin
e akuzuar dhe t‘ua dorëzojnë reparteve ushtarake osmane
të Athinës. Por, komanda ushtarake veneciane e Methonit
refuzoi ta bëjë këtë gjë, duke pasur bindjen se kjo ishte një skenë e stisur qëllimisht. Në kundërpërgjigje të këtij
akti, në nëntor të po atij viti, niset për fushatë drejt Peloponezit dhe Etolisë vetë Omer Pasha, i cili mbërrin dhe rreshton formacionet e ushtrisë së tij përpara mureve të
Nafpaktos, qytet-kështjellë që mbrohej nga venecianët. Duket
që përballja mes dy fuqive ishte bërë kështu një realitet.
Pikërisht, përpara një realiteti, pra një lufte tanimë të filluar prej ushtrive osmane, më 1463, Republika Veneciane i shpalli luftë Turqisë. Për t‘ju përgjigjur menjëherë dhe në kohë konfrontimeve ushtarake të pritshme dhe luftës së shpallur, Republika e San Markos dërgoi në Nafplio një flotilje nën komandën e kryegjeneralit Bartoldo de Este,
me 25000 burra, për të bashkërenduar veprimet e tyre ushtarake
me admiralin Loredano. Lufta turko-veneciane vazhdoi rreth 14 vjet dhe u shtri nga ishulli i Rodosit gjer në brigjet e
Adriatikut. Të dyja fuqitë e mëdha rivalizuese pretendonin
zotërimin e Lindjes dhe Mesdheut, duke ndërmarrë operacione
reciproke ku me sulme e ku me presione, në zona të ndryshme
që shtriheshin nga Athina në Imbro, në Nafpakto, Siro,
Halkidhë, Dalmaci, Friuli, Smirni, Nafplio, Shebanik, Arbëri, në Shkodër, Lezhë e gjetkë. Por sa më shumë avanconin luftimet dhe kalonin vitet, aq pa lavdi dukeshin perspektivat për palën veneciane. (8) Duhet thënë qartë se në betejat
e përgjakshme për mbrojtjen e territoreve dhe kështjellave
veneciane në Peloponez, një rol të rëndësishëm luajtën repartet e stratiotëve, që në masën dërrmuese ishin të mbushura me luftëtarë shqiptarë. Në informacionet
e përcjella në mënyrë periodike për këto luftime, nga “rettorët” dhe “proveditorët” venecianë përmendet shpesh edhe Krokodil Kladha, madje në njërin nga ata flitet për dhjetë pjesëtarë të familjes së tij të vrarë dhe sakrifikuar,
si dhe dëme të konsiderueshme ekonomike që kish pësuar ai nga ky konfrontim i ashpër dhe i përgjakshëm me turqit.
Për këto kontribute të shquara, ky burrë i jashtëzakonshëm,
Krokodil Kladha, më 4 shtator 1479, u thirr në Venecia dhe me vendim të Senatit u dekorua me “Urdhrin e Kalorësit të San
Markos” dhe u vesh në petka të arta, titull që u jepej njerëzve për merita dhe shërbime të veçanta. (9) Por, Pallati i Dozhëve tashmë kish arritur të dallonte mirë fuqinë
osmane, si dhe kërcënimin e papërmbajtur të hyxhymeve lindore,
që synonin muret e Evropës Qendrore. Në këto rrethana, në
vitin 1479, ajo i kërkoi palës kundërshtare uljen në tryezën e
bisedimeve për të nënshkruar një traktat paqeje, padyshim me
kushte të disfavorshme për latinët. Në fillim të janarit 1479, përfaqësuesit e Senatit venedikas nënshkruan një Marrëveshje (Traktat) Paqeje me Sulltanin. Sipas detyrimeve (kushteve) të përcaktuara definitivisht në këtë marrëveshje, venecianët detyroheshin të paguanin për dëmet e shkaktuara turqve 100000 dukatë brenda dy viteve dhe në vazhdim 10000 dukatë çdo vit, duke u njohur turqve zotërimin e kështjellës së Shkodrës, të Limnosit dhe një numër kështjellash dhe territoresh që ata kishin marrë dikur nga turqit në Peloponez,
por që tanimë ishin në duart e kryengritësve arvanitë.
Kjo marrëveshje urdhëronte që banorët në vendet dhe territoret
e kështjellave që i zotëronin venedikasit, “…ose të qëndrojnë dhe t‘i binden pushtetit osman, ose të largohen ku të dëshirojnëme gjithë ç‘kanë nëse nuk duan të qëndrojnë në vendet dhe kështjellat ku tanimë jemi të vendosur ne…” (10) 10. (Burime osmane, 1470-1510, Marino Sanuto, diari.) Me pak fjalë, luftëtarët arvanitë që kishin derdhur gjak në betejat
disavjeçare ose të qëndronin dhe t‘u bindeshin pushtuesve, pra
pushtetit osman, ose të largoheshin ku të donin!!!

REAGIMI I KROKODIL KLADHËS PËRPARA TRADHTISË VENECIANE

Përpara kësaj braktisjeje, përpara këtij pazari me fatin e kaq e kaq njerëzve; për arvanitët e Peloponezit kishte dy rrugë, ose nënshtrim pa kushte, kthim në një robëri poshtëruese, ose vazhdim i një lufte akoma më të egër,
më të përgjakshme, pa kompromis për të fituar lirinë.
Çuditërisht, i pari që reagoi në mënyrë demonstrative kundër
këtij akti të turpshëm të venedikasve, nënshtrimit të tyre pa
kushte para pushtuesve, ishte arvaniti i njohur Krokodil Kladha.
Më datë 9 tetor 1479, nën dritën e hënës, Kladha së bashku
me 160 luftëtarët e tij (“tutti albanezi…), (10) doli jashtë mureve të qytetit të Korronit dhe kapërceu malet për në drejtim të Manit. Ishte fillimi i një kryengritjeje
të gjatë dhe të përgjakshme që do të vazhdonte për gati njëzet vjet të tjera dhe do të trondiste jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe venedikasit, të cilët do të rreshtoheshin krah turqve për të mposhtur këtë tribun të lirisë. Në udhën e betejave të tij, forcat e Kladhës brenda vitit 1480,
arritën shifrën e 6000 vetëve dhe shtinë në duart e tyre një numër fortesash dhe krahinash, si Shën Gjergjin, Bardhunën, Lakoninë, Lakedemonën, tërë krahinën e Manit, etj. Për të frenuar këtë njeri dhe “rebelimin e tij tronditës” venecianët
arrestuan dhe burgosën gruan dhe dy djemtë e tij të vegjël.
Për arrestimin, vrasjen apo kokën e tij, venecianët ofruan
10000 florinj, sikundër vetë Sulltan Mehmeti dhe Bajziti rritën shumat e majme për dorëzimin e këtij “banditi të tmerrshëm”. E megjithatë, asgjë nuk mundi të frenojë vrullin e këtij njeriu drejt shtigjeve të luftërave. Betejat dhe luftimet e arvanitit të famshëm u bënë të njohura dhe morën emër të madh nga Kostandinopoja në Venedik, nëpër Ballkan e më gjerë. Ato mbushin faqe të tëra urdhrash ushtarake,
qarkoresh veneciane, defterësh osmanë dhe kronikash bizantine.
Por, ajo që e bën edhe më dimensionale hartën e fushëbetejave të këtij kryengritësi të papërkulur, janë ngjarjet e vitit 1481.
KROKODIL KLADHA NË DHEUN E TË PARËVE NË NDIHMË TË GJON
KASTRIOTIT

Pa dashur të zgjatemi në kronikat e betejave të këtij luftëtari të panënshtruar, do të ndalemi në një ngjarje interesante dhe pikërisht në zhvillimet politiko-ushtarake
të vitit 1481. Në pranverën e këtij viti, Krokodili gjendej në brigjet puljeze, në territoret e Mbretërisë së Napolit. Pikërisht këtu, arvaniti i famshëm takon të birin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, Gjon Kastriotin, i cili pritej të ndërmerrte një zbarkim në territoret arbërore, për çlirimin
e atdheut të të parëve. Nën mbështetjen e Mbretit Federiku II të Napolit dhe i dekoruar prej tij, në këtë fushatë reshtohet edhe Krokodil Kladha me kryengritësit e tij arvanitë. Dhe fronti ku ai do të godiste forcat osmane ishin territoret e tij stërgjyshore, Vlora dhe Himara, ndërsa Gjon Kastrioti zbarkonte në drejtim të Veriut. (11). I mbështetur nga kryengritësit vendas, kronikat e kohës na bëjnë të njohur
për betejat e suksesshme të Kladhës krah luftëtarëve kryengritës vendas. Mbas betejave të ashpra, kronikat latine na bëjnë të njohur se “…kundër një force osmane prej 3000 këmbësorësh, popujt e malit të thënë (Labërisë)… që janë më shumë se 50 fshatra… së bashku me Kladën prej Korone, forcat e tij dhe shumë balestjerë të galereve të thëna, shkuan
tek një qafë mali dhe i mundën osmanët. U kapën shumë turq dhe shumë të tjerë i vranë…”. Kryengritësit mundën të shtien
në dorë kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit) dhe të
kapin të gjallë komandantin turk të garnizonit të Himarës, Sulejman Pashën … Mbas gati gjashtë muajsh në këto anë, fillimi i vitit 1482 e ka gjetur Kladhën përsëri në territoret e Peloponezit, në luftën dhe qëndresën e tij të vendosur.

FUNDI I NJË LEGJENDE…!!!

Padyshim që kronika e bëmave të këtij burri të paepur është e
gjatë. Brenda saj gjen shpirtin e njeriut që rend pa u lëkundur dhe pa mëdyshje drejt lirisë, cilado qofshin
pengesat dhe vështirësitë që bien shtigjet e luftërave. Do të përmendim këtu që qëndresa e këtij luftëtari vazhdoi pas kësaj pothuaj edhe dhjetë vite të tjera, ngarkuar me bëma nga më të çuditshmet. Për to do të flasim gjatë në botimin e afërt që bëjmë gati për shtyp. Por, do të kujtonim këtu vetëm fundin e këtij luftëtari, i cili i thyer në moshë, aty rreth 74 viteve, kapet tradhtisht nga turqit dhe nën shenjë hakmarrjeje dhe të pamëshirë – ekzekutohet publikisht –
në mënyrën më barbare – duke u rrjepur i gjallë. Miti i këtij njeriu mbeti nëpër shekuj duke kalëruar revan luftërave, simbol i qëndresës dhe betejave të pakompromis për idealin
e lirisë, pavarësisht se kush ishte fuqia apo kundërshtari, kush ishte tereni apo kohët, cilat qenë shtigjet dhe pengesat. Ende kronikat e kësaj legjende nuk janë shpalosur tërësisht, inventari i tyre është aq i madh sa duket që do të
duhen kohë për të gjetur tërësisht rrënjët e tyre. Ndoshta kështu, sepse legjendat nuk e heqin asnjëherë plotësisht mantelin brenda të cilit ruajnë përherë të panjohura
të shtrenjta, që i duhen aq shumë historisë dhe dimensionit
human.