
Çmimi i naftës i është rikthyer rritjes në Shqipëri. Në një pjesë të pikave të shitjes me pakicë, çmimi është rritur me 5 lekë për litër.
Nafta ka arritur në 162-163 lekë për litër, ndërsa benzina shitet nga 163-165 lekë për litër.
Rritja e çmimit reflekton ecurinë e tregjeve financiare ndërkombëtare.
Në këto të fundit ari i zi ka arritur në 51 dollarë 23 cent. Tregtarët e karburanteve e kishin paralajmëruar rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm.
Sipas tyre, në rast se nafta në botë do të kapërcente kuotat e 50 dollarëve për fuçi, atëherë çmimi do të rritej edhe tek ne.
Operatorët deklarojnë se në tregun e brendshëm është reflektuar vetëm një pjesë e rritjes së çmimit të naftës në botë.
Sipas tyre, që nga janari çmimi i naftës në bursa është dyfishuar, ndërsa tek ne çmimi është rritur me vetëm 8%.
Sipas të dhënave të Global Petrol Price, të përditësuara më 6 qershor, Shqipëria renditet e 30-a në botë në listën e vendeve më të shtrenjta për karburantin, duke qenë në nivele të përafërta me shtete të tilla si Danimarka dhe Zvicra.
Sipas operatorëve të tregut, arsyeja kryesore e çmimeve të shtrenjta tek ne lidhet me nivelin e lartë të taksave, që përbëjnë gati 70% të çmimit.
Aurora Sulçe