Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana pranon se ka gabuar të shtunën ndaj helvetëve

Pas ndeshjes ndaj Zvicrës, kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana pranon se ka gabuar të shtunën ndaj helvetëve, por jo në rastin e kartonit të kuq. “Në atë moment nuk e mendon fare humbjen e ndeshjes së radhës, por mendon a ia vlen t’i lësh të tjerët me një lojtar më pak dhe të mos rrezikoja të lija kundërshtarin ta merrte topin i vetëm. Me trajnerin dhe skuadrën, ‘mea culpa’ më e madhe ishte në lidhje me ndërhyrjen e gabuar të parë, kur u ndëshkova me të verdhë”, tha Lorik Cana.
Sfida e radhës ndaj Francës do të luhet në “Stade Velodrome” të Marsejës, qyteti që gjatë fundjavës, për shkak të sherreve masive mes anglezëve dhe rusëve u shndërrua në arenë gladiatorësh. Por kapiteni ynë, i cili e njeh mirë Marsejën, i lë tifozët kuqezi jashtë listës së problematikëve. “Është një qytet mikpritës. Gjithmonë kur ka pasur ndeshje të mëdha, aty nuk ka pasur probleme të mëdha. Ndërsa ne kemi tifozë të mrekullueshëm, që jo vetëm vijnë në numër të konsiderueshëm të përfaqësojnë vendin e tyre dhe identitetin tonë, përfaqësojnë edhe veten e tyre. Ata e përfaqësojnë kulturën tonë në mënyrë të jashtëzakonshme”, deklaroi më tej kapiteni Cana. 32-vjeçari nga Prishtina tregon se, pavarësisht rezultateve, Shqipëria vetëm do të përfitojë nga ky Europian. “Ekipi nuk ka asgjë për të humbur, por ka gjithçka për të fituar. U kam thënë edhe shokëve të mi përpara ndeshjes me Zvicrën, pavarësisht se çfarë do të ndodhë gjatë 3 ndeshjeve, me rëndësi është që të ruajmë mënyrën tonë të lojës dhe, mos harroni, deri në minutë të fundit të ndeshjes së fundit mund të jemi në garë për kualifikimin. Këtë duhet të mos e heqim nga mendja”, përfundoi Cana intervistën e tij. Dy ditë më parë, mbrojtësi i kombëtares Mërgim Mavraj ka thënë se tani djemtë duhet të japin maksimumin për ndeshjen e radhës përballë kundërshtarit më të fortë. “Cana është kapiteni ynë, lojtar shumë i rëndësishëm. Por forca jonë është grupi dhe ne do të japim maksimumin që mungesa e Canës të mos ndihet. Ne e treguam edhe me Zvicrën që mund t’ia dalim”, u shpreh Mavraj.
Ndërkohë, një prej më të kritikuarve pas ndeshjes me Zvicrën për rastin e artë që humbi përballë portierit, sulmuesi Shkëlzen Gashi është shprehur se për skuadrën ndeshja me helvetët është harruar duke theksuar se janë të fokusuar në ndeshjen e radhës ndaj Francës. Në rrjetin social Facebook nëpërmjet në postimi Gashi, ka shkruar se skuadra ka analizuar ndeshjen e kaluar, në të cilën kishte shumë gjëra pozitive që duhet t’i shfrytëzojnë kundër Francës. “Ne e kemi analizuar ndeshjen, kishte shumë gjëra pozitive, të cilat t’i shfrytëzojmë të mërkurën. Jemi të fokusuar në ndeshjen e radhës”, ka shkruar sulmuesi.