Kandidati për kryetar të PD-së sulmon fort kryetarin rival të vetëngrirë, por në detyrë, Lulzim Bashën: Deklaro jo koalicion me PS!

Selami godet paktin e 18 majit me Ramën: Ç’duan ende ministrat teknikë në qeveri?

Eduard Selami ka vijuar turin e takimeve me demokratët në Tepelenë, Gjirokastër dhe Këlcyrë, ndërsa i ka kërkuar Lulzim Bashës, të shprehet qartë kundër një koalicioni të mundshëm me Partinë Socialiste dhe të tërheqë menjëherë ministrat teknik. Nëse vazhdohet të luhet me dy porta, dhe shikohet nga LSI e PS, thekson Selami, humbja do të thellohet edhe me shumë. “Unë nuk e kuptoj pse duhet të rrinë ministrat tanë në qeveri?! Duke u distancuar që tani nga marrëveshja sepse marrëveshja ishte një nga shkaqet e humbjes. Bashës, ia kam thënë dhe do ja them prapë, tërhiqi ministrat nga qeveria. Prano që ne nuk bëjmë koalicion qeveritar me Partinë Socialiste. Demokratët nuk duan një koalicion me PS. Unë këtë linjë kam, ju mund të më votoni kundër, është e drejta juaj, por unë i kësaj linje jam. Nëse ne duam të vijmë në pushtet duhet ta fillojmë opozitën që tani. Shqiptarët na kanë votuar në opozitë. Nëse ne do të vazhdojmë të luajmë me dy porta, shikojmë nga duart LSI e PS apo ndonjë tjetër, unë mendoj se humbja jonë do vazhdojë të thellohet edhe me shumë”, tha kandidati për kryetar të PD-së, Eduard Selami.

Rikthimi i besimit

Eduard Selami tha se Partia Demokratike e ka shpërdoruar besimin që shqiptarët i dhanë në vitin 1992, duke u dorëzuar para ambicies për të shndërruar Shqipërinë në histori suksesi. “Ishte mandat për t’u ndarë nga një epokë brutale. Ne e filluam mirë por e shpërdoruam, e dorëzuam. Nuk e shpërdoroi Gjermania pas luftës së dytë botërore, Konrad Adenauer, përkundrazi vazhdoi disa mandate. 79 vjeç ishte kur e vazhdoi mandatin e parë dhe e bëri Gjermaninë, histori suksesi. Pse? Sepse zgjeroi demokracinë, krijoi institucione, mësoi nga eksperienca amerikane. Së bashku ne vendosim një kontratë të re siç e kemi pas në vitin 1992. Unë di ta rikthej PD-në, të funksionojë si parti bashkëkohore, si simotrat e PPE, me rregulla loje ku karriera dhe meritokracia do zgjidhet nga ju me 1 anëtar 1 vote”, tha Selami.

Garë e pabarabartë

Kandidati për kreun e PD-së, i qëndron idesë se gara mes tij dhe kryetarit të vetëngrirë por në detyrë të PD-së, Lulzim Basha, është e pabarabartë, por përtej kësaj, Selami është i bindur se është tërësisht e fitueshme. “Ju na njihni më mirë se çdokush, ndaj kam besim tek ju. Por thënë kjo, ne duhet që procesin ta bëjmë sa më transparent dhe sa më të pastër”, tha Selami. Gjithashtu, Eduard Selami shprehur besimin e tij tek anëtarësia e Partisë Demokratike, e cila siç tha ai, do të zgjedhë modelin e duhur që e rikthen të djathtën në rrugën e suksesit dhe ndjek modelet më të mira demokratike.