Kancelarja gjermane, Angela Merkel vizitë në Maqedoni: Referendumi është mundësi për hapjen e dyerve për vendin tuaj

Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri të shtunën thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të votojnë në referendumin që do të mbahet më 30 shtator. Zonja Merkel vizitoi Shkupin para referendumit për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit që konsiderohet historik për të ardhmen e vendit.

Zonja Merkel tha se “një referendum i sukssesshëm do t’ia hapte rrugë integrimit të vendit”.

“Referendumi është mundësi për hapjen e dyerve për vendin tuaj që të bëhet pjesë e familjes euro-atlantike. Ju jeni ftuar të bëheni pjesë e Natos dhe keni mundësi të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian”.

Kancelarja gjermane tha se një rast i tillë për të vendosur për të ardhmen e vendit, mund të vijë vetëm një herë në një gjeneratë.

“Nga pikëpamja gjermane dhe evropiane, kemi interes të madh për një rajon të qëndrueshëm”, tha kancelarja gjermane.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian ua dha mundësinë shteteve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen atij për vetë interesin e BE-së.

Zonja Merkel nuk i përmendi Kosovën dhe Serbinë me emër, por tha se beson që tërësia tokësore nga pikënisja e rëndësishme për rajonin është të qëndrojë ashtu siç është dhe të ketë bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve edhe kur ato të jenë pjesë e BE-së.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, tha se vizita paraqet një mesazh të fuqishëm për Maqedoninë para referendumit.

Kancelarja Merkel nuk u takua me presidentin maqedonas ndërsa me drejtuesin opozitar, Hristijan Mickovski të VMRO-DPMNE-së ka biseduar mbi rëndësinë e referendumit të pritshëm dhe perspektivën e Maqedonisë.

Kryeministri Zoran Zaev shpreson që shkëmbimi tregtar midis Gjermanisë dhe Maqedonisë të arrijë në katër miliardë euro nga 3.5 sa është aktualisht.

Gjermania do të dërgojë një këshilltar ekonomik në Shkup për të ndihmuar qeverinë e zotit Zaev për reformat ndërsa do të dislokojë një shumë prej 2 milion e gjysëm euro për ngritjen e nivelit të arsimit në Maqedoni.

VOA