“Ju njoh me birin tim Osama Bin Laden”, flet e ëma e terroristit më të madh të botës

Takimi i fundit me djalin e tij ishte në vitin 1999 dhe Alia Ghanem e kujton atë mirë. Ajo ishte bashkuar me pjesën tjetër të familjes në Afganistan:

“Ai u gëzua që na takoi, ai theri një kafshë për gosti, patëm një banket, ftoi shumë njerëz”, thotë ajo.

Dy vjet më vonë – më 11 shtator 2001 – Al Kaeda, formacioni terrorist ku Osama Bin Laden ishte një nga themeluesit, do të kryente sulmin që do shënonte një pikë kthese historike në rrjedhën e ngjarjeve botërore.

Për herë të parë Alia Ghanem, nëna e Osama Bin Laden, 17 vjet pas sulmit në Kullat Binjake, 7 vjet pas vdekjes së të birit, pajtohet të flasë me shtypin, shkruan Javanews.

Ajo e bën këtë në një intervistë të gjatë me The Guardian.

“Ai ishte një fëmijë shumë i mirë – thotë ajo – pastaj pasi mbushi moshën njëzet vjeç, Osama takoi dikë që e trullosi. Jeta ime u bë e vështirë, sepse ai ishte larg meje”.

Ajo pretendon se është përpjekur ta mënjanojë Osaman nga ‘shoqëritë e këqija’:

“Gjithmonë i thoja të qëndronte larg prej tyre dhe ai kurrë nuk e pranonte para meje se çfarë po bënte, sepse më donte aq shumë” – shprehet Alia, shkruan Javanews.