“Jokli shqip, si u shpluhuros nga arkivi përkthimi i Çabejt”

Është promovuar dje në Akademinë e Shkencave në Tiranë, një punim i çmuar i albanologut Norbert Jokli, “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”. Botimi që i kthen repertorit burimor të gjuhës sonë plot 139 fjalë, ka një histori të veçantë të përkthimit e gjetjes, pasi ishte ‘bjerrë’ nëpër arkiva. Gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli rrëfen më poshtë kërkimet që nisën në vitin 2006, duke ndjekur gjurmët e shënimeve të lëna nga vetë Çabej 50 vite më parë.           fa.ni. 

Plot 140 vjet pas lindjes së Norbert Joklit, gjerdani “Excipere” i Botimeve “Çabej” sjell në Shqipëri për herë të një botim të tij. Bëhet fjalë për “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”, një punim i çmuar, shkruar nga Jokli 33-vjeçar në vitin 1911, pra mëse një shekull nga sot. Kurioze janë një sërë faktesh këtu: është vepra e tij e parë shkencore; me të ai mbrojti titullin në Universitetin e Vjenës; ky botim përbën të parin libër të Joklit në Shqipëri dhe po ashtu për herë të parë kemi mundësi që mendimin e Joklit ta lexojmë të bartur në gjuhën shqipe nga një kolos si Eqrem Çabej, i cili është edhe shqipëruesi i këtij botimi. Ndaj herësëparit sot do thënë se çdo studiues a student i albanologjisë mund të takohet me Joklin vetë e jo më veç me citimet mbi të siç deri më tash. Vetëm se më parë, ia vlen që t’i ftillojmë lexuesve kureshtarë si mbërriti kjo vepër deri këtu. Ka qenë viti 2006, kur Brikena Çabej më bëri me dije se në bibliografinë e plotë të Çabejt, përpos studimeve e botimeve të veta, në kronologjinë e viteve ‘50, dilte edhe përkthimi i “Studien zur albanesichen Etymologie und Wortbildung” i Norbert Joklit, si kopje e daktilografuar ruajtur në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Historisë. Nën shtysën e saj iu drejtova arkivit të institucionit ku dhe punoja asokohe. Pasi shkunda e shpluhurosa thuajse krejt raftet e arkivit, e gjeta daktiloshkrimin, i cili kish qëlluar pa emër e madje në katalog ishte gabimisht i regjistruar si punë e Anton Krajnit (një tjetër mik e koleg i Çabejt, bashkëhartues me të i Fjalorit të Gjuhës Shqipe 1954).
Arkivisti ngulmonte se shqipërimi qe punë e Krajnit, mirëpo sinjalizimi në bibliografi e sidomos karakteristikat krejt vetjake të shqipes së Çabejt nuk linin shumë vend për dyshim. E kështu nisi puna mësë pari për digjitalizimin e daktiloshkrimit, në të cilin merret me mend se mungonin krejt shenjat e germat e veçanta, të paqena në tastet e makinës së shkrimit me shirit. Nuk qe i thjeshtë rikonstruksioni i fjalëve të rralla plot me shenjat e mësipërme… Kështu që lypej origjinali dhe këtu ka vend për një detaj të çmuar: i vetëdijshëm se dikur Jokli do të botohej në shqip, për të shmangur çdo mangësi të botimit të kushdikurshëm, Çabej në përmbyllje të përkthimit kish vënë me dorën e vet shënimin: “Vepra në origjinal gjendet në Bibliotekën Kombëtare, në koordinatat 50B50”.
Mbresuese! Gjysmë shekulli më vonë pas këtij shënimi, e kërkuam me Brikenën origjinalin dhe e gjetëm po aty ku e shenjonte Çabej. Atbotë, m’u kujtua shprehja e tij: “Njerëzit janë bashkë edhe kur s’janë bashkë”.

Ishim më në fund bashkë me Çabejn e Joklin, por gatitja për botim e daktiloshkrimit, të zbardhur me siguri nga radhitëset e Institutit, kërkonte punë të mirëfilltë filologjike, punë e cila iu besua prof. Anila Omarit, specialiste e mirë e gjuhësisë historike, njohëse e metodës shkencore, eksperte e korpusit të Çabejt dhe po ashtu ndoruese e gjuhës gjermane, me të cilën lypeshin bërë krahasime saktësuese. Përveç punës së shkëlqyer, meritë e Omarit ishte edhe gjurmimi, e më pas gjetja në arkivë, e dorëshkrimit shqipërues të Çabejt. Dorëshkrimi zgjidhi çdo enigmë a dyshim që vinte prej mangësive që paraqiste daktiloshkrimi. E kështu sot kemi “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”, sjellë më në fund në shqip pa asnjë ndërdyzje, mangësi a hamendje.
Sa i takon strukturës, libri është i ndarë në dy pjesë; në pjesën e parë merren në shqyrtim 139 lema nga leksiku i trashëguar i shqipes, ndërsa në pjesën e dytë, albanologu u kushton vëmendje 36 huazimeve. Përzgjedhja e lemave nuk është aspak me gand apo pa kriter. Të 139 fjalët burimore të shqipes, që Jokli zgjedh të rishqyrtojë, janë në fakt ose fjalë të cilat para Joklit ishin trajtuar si huazime, ose fjalë të lëna pa një etimologji të kthjellët. Shqip, ky punim i kthen repertorit burimor të gjuhës sonë plot 139 fjalë. Gjithsesi, nuk është këtu aspak çështje statistikash, pasi objekti studimor i këtij punimi ka përcaktuar mirëfilli edhe metodën po edhe synimin shkencor, duke kapërcen tejetej vlerën e 139 fjalëve të kthyera në shtëpinë e vet.
Qysh në titull bën përshtypje dubleti etimologji-fjalëformim, çka na bën të mendojmë ende pa e shfletuar librin se Jokli ka zgjedhur një shteg tejet të rëndësishëm për t’iu qasur etimonit, shtegun morfologjik. Kështu vetë Jokli, në shënimin hyrës të punimit, shkruan se “çështje të morfologjisë janë pothuaj gjithmonë të pandara nga çdo lloj kërkimi etimologjik”. Duke theksuar kësisoj, se analiza morfologjike nuk shpjegon thjesht fjalë, po gjedhe e struktura fjalëformuese, parashtesa e prapashtesa që vijnë nga agu i kohëve dhe që ende sot vijojnë të patrazuara të ndërtojnë fjalë a kuptime fjalësh. Kësisoj fjala shqip, përveçse shqip, nuk na është më aq opake dhe e huaj për nga ndërtimi, por vjen e bëhet e tejdukshme si të ish lëmuar akulli i sertë e i mveshur nga koha. Falë kësaj metode, nuk kemi vetëm shtim të repertorit leksikor të trashëguar, po fitohet sidomos dija mbi strukturën e gjuhës sonë si edhe repertori aktiv i morfemave fjalëformuese.

E gjithë kjo mund të përmblidhet te pohimi i Çabejt që thotë se “Jokli gjatë gjithë veprimtarisë së tij shkencore është përpjekur ta rrokë shqipen së brendshmi. Pikësëpari ai gjurmoi e solli për krahasim gjithë format e fjalës që çojnë peshë në punë të historisë së saj”. Parë në këtë dritë, analiza e thelluar e strukturës morfologjike duket të jetë shteg i zgjedhur nga Jokli qëllimisht; kjo në një kohë kur gjuhëtarët rrihnin me tepri shtegun e shndërrimeve fonetike dhe prireshin më së shumti të pranonin huazimet në shqipe. Objekti i studimit këtu fokusohet kryesisht te këqyrja e thelbit të shqipes dhe ky objekt, duket se ka përcaktuar tek e fundit dhe metodën e tij karakteristike.

Megjithatë, do thënë se Jokli nuk u mjaftua me rravgimet e thella morfologjike, ai e përforcoi metodën e tij edhe me një element tjetër bashkëkohor, të çmuar për atë kohë, e për të gjitha kohët kur është fjala për gjuhë si shqipja që e kanë kaptuar vonë pragun historik të shkrimit. Siç vëren Çabej, duke u gjendur mes kontradiktës së një gjuhe tejet të lashtë, por rishtare në dokumentimin e saj grafik, Jokli zgjodhi ta shoqërojë morfologjinë me një parim etnolinguistik, atë të “Shkollës së Fjalëve dhe të Sendeve”. Lidhur me këtë, Çabej shkruan se “një vend me rëndësi në veprat e tij zë konsiderimi i kulturës materiale: Fjalët dhe sendet, që shpalli për herë të parë Jakob Grimmi (…) edhe këtë drejtim e përvetësoi Jokli dhe e vuri në zbatim në lëmë të shqipes (…) sidomos në kryeveprën e tij të vitit 1923, ‘Kërkime gjuhësore-kulturo-historike nga fusha e gjuhës shqipe’. Me këtë mënyrë veprat e tij kanë rëndësi edhe përtej caqeve të linguistikës”.
Por le të ndalemi një hop te ky gërshetim metodik e të përpiqemi t’ia kuptojmë zanafillën. Gjatë formimit të tij si linguist, Jokli qe bir i shquar i kohës së vet. Ai studioi indoeuropianistikë, romanistikë e slavistikë dhe mori mësime nga dijetarë si Kretchmer, Meyer-Lubke, Much, Vondrak e Jagiæ. Ndër këta qe pikërisht pedagogu kroat V. Jagiæ, që e shtyu atë drejt studimit të gjuhës shqipe. Po çfarë përfaqësonte vetë Jagiæ në mendimin gjuhësor të kohës? Rezulton në fakt se ishte i së njëjtës lagje dijetarësh me Jakob Grimm, i cili nga ana e tij sapo pati shpallur parimet e Shkollës së Fjalëve dhe të Sendeve. Si një nga hartuesit kryesorë të Akordit Letrar të Vjenës për unifikimin e gjuhëve serbe, kroate e boshnjake, me synim serbokroatishten letrare, ai do të ngulmonte fort te parimet e Grimmit, duke u shprehur se ajo gjuhë duhej “të rrokte tërësinë e pandashme të jetës shpirtnore e kulturore të popujve sllavë, e cila pasqyrohet qoftë në monumentet letrare të individëve krijues, e qoftë (edhe sidomos) në forcat kolektive të krijueshmërisë popullore, të cilat gjejnë pasqyrim në besimet, traditat dhe shprehitë e një populli”.

Kroati Vatroslav Jagiæ pra, që e grishi Joklin drejt studimit të shqipes, ishte dhe që e shtyu drejt metodës së Fjalëve dhe të Sendeve; që e mësoi të mos i ndajë fjalët e një gjuhe nga shpirti i bashkësisë që e ka lindur (si gjuhë), por që m’anë tjetër rron si e tillë falë kësaj gjuhe, shqipes.
Parë në këtë diakroni formimi, siç dëshmohet nga epistolari i tyre, bëhet e qartë edhe marrëdhënia e fortë e Joklit me Gazullin. Listat e fjalëve të rralla që Gazulli vijimisht i niste Joklit, pasoheshin, me kërkesën e këtij të fundit, nga shpjegime e shkoqitje me natyrë kulturo-historike që Gazulli ia dilte t’i sintetizonte duke i përftuar drejt e nga burimi i përdorimeve. Në një farë mënyre zdritja e historisë vetiake të Joklit na jep dorë të zdrisim edhe aspekte të historinë tonë social-kulturore. Parimet e ‘Shkollës së Fjalëve dhe Sendeve’, Jokli nga ana e tij do t’ia linte trashëgim m’andej edhe studentit të tij E.Çabejt, i cili jo rastësisht punimin e vet të parë shkencor, atë mbi arbëreshët e Horës në Siqeli, do ta kishte me natyrë kulturo-historike. Dhe kështu, albanologjia fillon e fiton një qasje të çmuar ndaj gjuhësisë historike, atë lloj qasjeje që i duhej për të qartësuar veten nga njëra anë, edhe pozicionin e saj mes gjuhëve e kulturave të përqarkëta me të nga ana tjetër. Ky parim ka vlefshmëri të madhe edhe sot, pasi duke sqaruar semiotikisht e kulturalisht objektin (shenjën) që shenjon fjala, e duke e krahasuar atë edhe me semiotikat e kulturat e gjuhëve të tjera, kemi shpjeguar në një farë mënyre se me cilat bashkësi kemi përkuar mendësisht, kulturalisht e historikisht. Kjo pasi semiotika të ngjashme dëshmojnë për botëkuptime të ngjashme mbi botën. Ndaj edhe fakti se gjuha e shpirti (esprit) i një kombi janë një e vetme.
Le ta ilustrojmë sa thamë me një shembull nga vetë Jokli e madje po marrin shembullin me të cilin çelet libri ynë. Jokli shkruan:
*amëzë- “erë, er’ e mirë; shijë e idhët”. Bashkimi sjell vetëm kuptimin e dytë. Kuptimin e dyfishtë “erë, shije” e gjejmë dhe në gjerm. e vjetër të lartë “smecken” – shijoj, përkundrejt gjerm. së mesme të lartë “smecken” – mbaj erë, mbaj erë të mirë. Ashtu pra siç përdoret në dialekte gjermane edhe sot në fjalë “schmecken” në kuptimin e dytë nga ato që u thanë, ashtu edhe në gegërishte kuptimi ‘shije’ zuri kryet e vendit”. Tejet interesant ky përkim semiotik i shqipes me gjermanishten, përkim që mund të zgjerohet e plotësohet edhe më. Kështu psh., në të folmen autoktone të Tiranës, e cila, shquhet për konservacionet e saj falë pozitës gjeografike si skaj dekantues ligjërimor, ne i gjejmë ende të ruajtura të dyja kuptimet: edhe atë të erës po edhe atë te shijes. Për gjyshet tona, ushqimet nuk duheshin lënë jashtë në ditë të nxehta vere, se mandej “paskëshin morë ômëz t’qelbët”; por po ashtu duhej bërë kujdes mos digjej mishi a mos ngjiste qumështi i vluar, se mandej “nuk shtihej në gojë prej ômzës vner të hidhët”. Konteksti i këtyre dy shembujve ta sapoprurë e dëshmon më së miri se i kemi të ruajtura në një kënd të shqipes, pra në të folmen e Tiranës, të dyja kuptimet, çka na kallxon se katragjyshat tanë dhe katragjyshat gjermanikë ka gjasa ta kenë parë e rrëfyer gjithësinë me të njëjtat kuptime, pra me të njëjtat mendësi mbi botën.

Vëzhgime të tilla mund të shtyhen thellë e pa skaj. Vëzhgime të tilla përveçse të qenësishme për Shqiptarinë, janë edhe të magjishme për gjuhëtarin. Ndaj ky libër që nuk të vjen ta lëshosh nga dora, ka gjasa të kthehet për ne mirëfilli në libër komodine. Veçse me një ndryshim: librat e komodinës që lexohen ne qetësinë e natës, të ndjellin gjumin e paqtë, sakur “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” i Norbert Jokl vjen ndoshta edhe për ta thyer dremkën e kadokohshme të studimeve gjuhësoro-historike mbi shqipen.

http://www.gsh.al/2018/04/28/jokli-shqip-si-u-shpluhuros-nga-arkivi-perkthimi-cabejt/