Janar-mars 1945 dhe tri kryeqendrat e politikës, lojë nervash me Enver Hoxhën

  1. Tri kryeqendrat e politikës, lojë nervash me Enverin

Nga Thanas Mustaqi

“Cic-mic” diplomatik i tri kryeqendrave të politikës botërore me Tiranës për njohjen e “regjimit të Enver Hoxhës” apo “autoriteteve qeverisëse të Shqipërisë”, teksa kreu i saj nënkuptonte “Qeverinë Demokratike të Shqipërisë”. E përjavshmja “Investigim” boton në këtë numër katër dokumente nga arkivi i Departamentit amerikan të Shtetit të vitit 1945. Ato shpërfaqin përpjekjet e Enver Hoxhës për njohjen e qeverisë së tij të dalë nga Lufta II Botërore dhe kujdesi që tregohej në Londër, Uashington dhe deri në Moskë për të mos u nxituar. Kjo parë dhe në sfond të Konferencës së Jaltës (4-11 shkurt 1945), ku Trojka e Madhe po hartonte planet për rimodelimin e Evropës së shkatërruar. Dokumentet përfshijnë harkun kohor 31 janar-12 mars 1945, një telegram-këmbim në nivelet më të larta të diplomacisë amerikane. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme po të kihet parasysh impenjimet madhore të qeverive të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BS-së. Po ashtu këto dokumente tërheqin vëmendjen dhe për nuancat terminologjike dhe gjuhën e “spërdredhur” diplomatike në formulimin e qëndrimeve, ku spikat fraza e gjatë. E gjitha kjo bëhet me qëllim për të mos krijuar keqkuptime, por edhe për të mos thënë asgjë.

PROCEDURA

Në një telegram të të ngarkuarit me detyrën e Sekretarit të Shtetit Xhozef Grju (Joseph Grew, 1880-1965) drejtuar Aleksandër K. Kërkut (Alexander C. Kirk, 1888-1979), këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheu, më 31 janar 1945, Uashingtoni udhëzon se, ndërsa Departamenti i Shtetit nuk kishte ndërmend t’i kthente përgjigje zyrtare kërkesës shqiptare për t’i akorduar njohjen, autorizohej Kërku t’i thoshte jozyrtarisht shefit të misionit ushtarak shqiptar pranë aleatëve, Kadri Hoxha, se në Uashington ishte marrë kërkesa për njohje drejtuar Presidentit Ruzvelt nga ana e regjimit të Enver Hoxhës. Në togfjalëshin “regjimi i Enver Hoxhës” ka nuanca ideologjike. Kërku duhet t’i thoshte Kadri Hoxhës se qeveria amerikane nuk mundet t’i akordonte njohje zyrtare çfarëdo qeverie në Shqipëri në atë kohë, pasi do të ishte e nevojshme që, para se të hidhej një hap i tillë zyrtar, Uashingtoni donte të siguronte informacion më të plotë se sa deri atëherë për situatën në Shqipëri. Kërku duhej t’i kujtonte Hoxhës se kjo procedurë ishte në përputhje me politikën e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç përcaktohej në mesazhin e fundit të Presidentit drejtuar Kongresit. Kryediplomati amerikan përdor dhe sinonimin “autoritetet në Tiranë”, që, sipas Grjusë, do të jepnin lehtësitë dhe ndihmën e nevojshme për të vënë jetë funksionet e misionit amerikan.

DROJA

Nuk ka se si të mos tërheqë vëmendjen droja e Dajë Samit që dëshironte të shmangte çdo implikim në një njohje të menjëhershme ose të parakohshme të qeverisë së Hoxhës, që kishte të ngjarë të shoqëronte mbërritjen e shefit të misionit civil amerikan Xhozef Xhejkobs (Joseph E. Jacobs, 1893-1971) në Shqipëri në atë fazë. Njëkohësisht Grjuja thoshte priste kohën dhe mënyrën e vendosjes së përfaqësuesve të përhershëm diplomatikë atje, gjë që do të përcaktohej në konsultim dhe marrëveshje mes qeverive kryesore aleate. Me sa duket, më 31 janar, Grjuja kishte parasysh Konferencën e Jaltës, që fillonte punë pas katër ditësh. Por aty Stalini, dora vetë, shprehu përbuzje për Shqipërinë dhe vendet e vogla.

FËRKIMI

Ndërkaq problemi ndërlikohet disi, bëhet më  intrigues nga një fërkim i vogël amerikano-britanik. Në kohën që zhvillohej Konferenca e Jaltës, më 9 shkurt, Grjuja njoftonte Kërkun se ambasada britanike në Uashington i kishte komunikuar Departamentit të Shtetit pikëpamjen e Forin Ofisit se dërgimi në Shqipëri i zyrtarëve civilë amerikanë në një kohë kur britanikët po përpiqeshin të dërgonin mision ushtarak, mund të interpretohej nga shqiptarët dhe në qarqe të tjera si qëndrim i ndryshëm ndaj Shqipërisë nga ana e qeverive amerikane dhe britanike. Por Uashingtoni nuk mendonte se pozicioni i tij duhej modifikuar për shkak të trajtimit nga ana e Hoxhës të propozimit britanik për një mision ushtarak ose nga frika se ai nuk do t’u jepte leje civilëve amerikanë. Amerikanët deklaronin se nuk ishin kurrsesi të prirur të bënin një hap përpara britanikëve në çështjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe as nuk dëshironin t’i vinin në siklet në negociatat e tyre. Por me një gjuhë të ndërlikuar Grju thoshte se “ndonëse kemi në përgjithësi këndvështrime paralele në këtë çështje, nuk mendojmë se duhet arritur ndonjë avantazh duke adoptuar tërësisht procedura të tilla apo duke e identifikuar qëndrimin tonë gjithashtu të afërt  me atë të britanikëve. Nëse Hoxha është i gatshëm të lejojë përfaqësues civilë amerikanë në Shqipëri do të ishte e vështirë për atë të mos pranonte lehtësi të ngjashme për britanikët në rast se ata më vonë do të vendosnin të modifikonin planet e tyre të tanishme dhe të dërgonin personel civil në vend të atij ushtarak”.

TËRHEQJA

Por amerikanët “i bren krimbi”. Më 12 mars Kërku njoftonte për një bisedë me Kadri Hoxhën: “Po ashtu gjatë bisedës thamë se na interesonte të mësonim se gjenerali Hoxha kishte ndryshuar mendje dhe kishte vendosur të pranonte misionin ushtarak britanik. Kadri Hoxha u përgjigj se ky rast kishte ardhur si rezultat i vizitës personale nga një përfaqësues i Aleksandrit më 28 shkurt i cili së pari informoi gojarisht gjeneral Hoxhën se qeveria britanike nuk ishte e përgatitur për momentin për të njohur çfarëdo qeverie në Shqipëri dhe se refuzimi i tij për të pranuar misionin dhe për të lejuar lëvizjen e lirë të personelit ekzistues konsiderohej si mungesë mirësjelljeje. Në të njëjtën kohë u përsërit oferta e dërgimit të një misioni ushtarak me në krye Hoxhsonin (Hodgson) dhe Hoxha e pranoi”.

MOSKA

Ndërkaq amerikanët dhe britanikët tregohen xhentëllmenë me aleatin e tyre të kuq. më 17 shkurt, Grju porosiste ambasadorin amerikan në Bashkimin Sovjetik Harriman (1891-1986) të informonte ministrinë sovjetike të Punëve të Jashtme se ndonëse Departamenti i Shtetit nuk i kishte dhënë përgjigje zyrtare letrës së Hoxhës, këshilltari politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut, ishte udhëzuar t’i thoshte jozyrtarisht përfaqësuesit të FNÇ-së në Bari se qeveria amerikane nuk mund t’i akordonte njohje zyrtare asnjë qeverie shqiptare në atë kohë. Më  14 mars ambasada britanike në Moskë i kishte drejtuar një notë komisariatit sovjetik të Punëve të Jashtme duke mbajtur të njëjtin pozicion si SHBA lidhur me njohjen e qeverisë shqiptare të përkohshme.