Ja qëndrimi amerikan për njohjen e qeverive se asokohëshme. Telegram i Sekretarit të Shtetit, Uashington, më 31 janar 1945, ora 19:00

Telegram i Sekretarit të Shtetit në detyrë drejtuar z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut

Uashington, më 31 janar 1945, ora 19:00

Nr. 82 prot. Gjegje telit tuaj nr. 237, datë 20 janar. Ndërsa Departamenti i Shtetit nuk ka ndërmend t’i kthejë përgjigje zyrtare kërkesës shqiptare për t’i akorduar njohjen, autorizoheni t’i thoni jozyrtarisht Kadri Hoxhës (kryetar i misionit ushtarak shqiptar pranë shtabit aleat në Bari – “Investigim”) se në Uashington është marrë kërkesa për njohje drejtuar Presidentit nga ana e regjimit të Enver Hoxhës. Ju duhet t’i thoni se qeveria amerikane nuk mundet t’i akordojë njohje zyrtare çfarëdo qeverie në Shqipëri aktualisht pasi do të jetë e nevojshme që, para se të hedhë një hap të tillë zyrtar, do të sigurojmë informacion më të plotë se sa deri tani për situatën në Shqipëri. Kjo mund të jetë e dobishme për ju t’i kujtoni Hoxhës se kjo procedurë është në përputhje me politikën e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç përcaktohet në mesazhin e fundit të Presidentit drejtuar Kongresit. [1] Ju duhet të orientoheni në këtë bisedë nga pasazhi, në të cilin Presidenti ka thënë: “Paraprakisht, deri sa të krijohen kushte për shprehje të vërtetë të vullnetit të popullit, ne dhe aleatët tanë kemi për detyrë, të cilën nuk mund ta injorojmë, të përdorim ndikimin tonë me qëllim që kurrfarë autoritetesh të përkohshme ose jo në vendet e çliruara të bllokojnë ushtrimin eventual të së drejtës së popullit për të zgjedhur lirisht qeverinë dhe institucionet nën sundimin e të cilave, si njerëz të lirë, ata duhet të jetojnë”.

Pastaj ju duhet thoni se qeveria juaj ndoshta dëshiron të dërgojë sa më shpejt përfaqësues në Shqipërinë krejt jozyrtarisht me qëllim që t’i raportojë kësaj qeverie mbi kushtet në vend dhe për kryerjen e funksioneve të tilla jozyrtare që mund të jenë të nevojshme në këtë periudhë të ndërmjetme. Mendojmë se autoritetet në Tiranë, do të japin lehtësitë dhe ndihmën e nevojshme për të vënë jetë këto funksione.

Po ju informojmë (Refer. telit tuaj nr. 295, datë 25 janar [2]) se Departamenti i Shtetit nuk dëshiron të dërgojë Xhejkobsin (Joseph E. Jacobs, 1893-1971, përfaqësuesi amerikan në Shqipëri në periudhën maj 1945-nëntor 1946 – “Investigim”) në Shqipëri pa qenë i sigurt se kushtet e atjeshme dhe qëndrimi i autoriteteve qeverisëse janë të përshtatshme për praninë në Tiranë të një përfaqësuesi zyrtar amerikan. Dëshirojmë jo vetëm të shmangim çdo implikim në një njohje të menjëhershme ose të parakohshme që ka të ngjarë të shoqërojë mbërritjen e Xhejkobsit në Shqipëri në këtë fazë, por ne presim kohën dhe mënyrën e vendosjes së përfaqësuesve të përhershëm diplomatikë atje, gjë që do të përcaktohet në konsultim dhe marrëveshje mes qeverive kryesore aleate. Prandaj tani kemi ndërmend, nëse Hoxha do të binte dakord për marrëveshjen e shtjelluar në paragrafin e mësipërm, të caktojmë një zyrtar të shërbimit të jashtëm që do të merrej në Shqipëri sa më shpejt me këtë hulumtim paraprak. Në këtë rast do të bënim çmos që ku zyrtar të shoqërohet nga Fulci (Fultz), Hofmani [3] dhe Stivensi, [4] të cilët do të mbeten si pjesë e personelit tonë të përhershëm në Tiranë.

Dërguar në Kazerta, kopje në Kajro [5] për Xhejkobsin.

GRJU (GREW)

Shënime të origjinalit anglisht:

[1] Për tekstin e Mesazhit të Përvitshëm të Presidentit Ruzvelt (Roosevelt) drejtuar Kongresit amerikan mbi Gjendjen e Unionit, më 6 janar 1945, shih: Department of State Bulletin, January 7, 1945, p. 22; or The Public Papers and Addresses of Franklin D. Roosevelt, 1944-45 volume, Victory and the Threshold of Peace, compiled by Samuel I. Rosenman (New York, Harper & Brothers, 1950), p. 483.

[2] I pabotuar.

[3] Erich William August Hoffmann, nënkonsull në Napoli, në prill caktohet ndihmës i posaçëm në misionin jozyrtar amerikan në Shqipëri.

[4] Anthony Stevens, në prill caktohet nëpunës në shërbimin e jashtëm amerikan dhe pastaj në misionin jozyrtar amerikan në Shqipëri.

[5] Si telegrami nr. 271 i prot.