Ja cili është teksti i “Kartës së Atlantikut”, 14 gusht 1941 nënshkruar nga Franklin D. Roosevelt dhe Winston Churchill S.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryeministri, Z. Çërçill, që përfaqëson Qeverinë e Madhërisë së Tij në Britaninë e Madhe, pasi u takuan me njëri-tjetrin, e konsiderojnë të arsyeshme të bëjnë publike parime të caktuara të përbashkëta të politikës shtetërore të vendeve përkatëse, parime mbi të cilat ata bazojnë shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë për mbarë botën.
Së pari, vendet e tyre nuk synojnë të kenë përfitime, territoriale apo të tjera;
Së dyti, ata shprehin dëshirën të mos jenë dëshmitarë ndryshimesh territoriale, të cilat nuk janë në përputhje me dëshirat e shprehura lirisht të popujve të interesuar;
Së treti, ata e respektojnë të drejtën e të gjithë popujve për të zgjedhur formën e qeverisjes sipas së cilës ata do të jetojnë, dhe ata dëshirojnë të shohin të drejtat sovrane dhe të vetëqeverisjen e rivendosur për ata popuj që janë privuar me dhunë prej tyre;
Së katërti, ata do të përpiqen të respektojnë ashtu siç duhet detyrimet e tyre ekzistuese në mënyrë që të ndihmojnë të gjitha shtetet, të mëdha apo të vogla, ngadhënjimtarë apo të mundur, të gëzojnë akses, në kushte të barabarta, në tregti dhe lëndëve të para të botës, të cilat janë të nevojshme për prosperitetin e tyre ekonomik;
Së pesti, ata shprehin dëshirën të ndihmojnë për bashkëpunimin e plotë midis të gjitha shteteve në fushën ekonomike, me qëllim sigurimin, për të gjithë, të kushteve më të përmirësuara të punës, progresit ekonomik dhe të sigurisë sociale;
Së gjashti, pas shkatërrimit përfundimtar të tiranisë naziste, ata shpresojnë të shohin vendosjen e një paqeje që do t’u japë të gjitha shteteve mundësitë për të jetuar në siguri brenda kufijve të tyre, dhe që do t’u garantojë të gjithë njerëzve në tokë se do të mund të jetojnë në kushtet e lirisë nga frika dhe privimet;
Së shtati, një paqe e tillë duhet t’u mundësojë të gjithë njerëzve të kapërcejnë pa pengesa detet e hapura dhe oqeanet;
Së teti, ata shprehin besimin se të gjitha shtetet e botës, nisur qoftë nga ndjenja e realizmit, ashtu dhe për shkaqe të karakterit sublim, do të vendosin të heqin dorë nga përdorimi i forcës.
Përderisa paqja në të ardhmen nuk mund të ruhet në qoftë shtetet, që kërcënojnë ose mund të kërcënojnë me agresion jashtë kufijve të tyre, do të vazhdojnë të përdorin armë me destinacion tokësor, detar apo ajror, ata shprehin besimin se çarmatimi i shteteve të tilla është nevojshëm për të krijuar kështu një sistem më të gjerë dhe të përhershëm sigurie të përgjithshme. Me të njëjtën mënyrë ata do të ndihmojnë dhe të inkurajojnë të gjitha masat e tjera të realizueshme, të cilat do të lehtësojnë barrën e rëndë të armatimeve për të gjithë popujt paqedashës.
Franklin D. Roosevelt
Winston Churchill S.