Ishte viti 1980/ Byroja Politike në luftë të paepur me lopët, qengjat dhe kecat e oborreve

Më 9.10.1980 kryesia e Këshillit të Ministrave paraqiti variantin e ri për procesin e kufizimit të oborrit dhe të tufëzimit të bagëtive. Në bazë të këtij materiali nisi diskutimi se si t’ua merrnin shpirtin sa më shumë fshatarit e për rrjedhojë edhe qytetit. Oborri dhe bagëtia konsideroheshin deri në këtë kohë si “elementë kapitalistë të fshat”, me heqjen e së cilëve, fshatari bëhej 100% sovjetik. Pasi materiali u pa nga kryeministri Mehmet Shehu dhe sekretari Hekuran Isai, iu paraqit Byrosë Politike e cila pas një diskutimi miratoi një vendim me plot 10 faqe. Udhëheqja e lartë u tregua e “njerëzishme” me pulat, lepujt dhe disa bletët (të cilët jo kushdo mund t’i mbante). Kjo luftë e paparë ndaj elementëve jetikë, solli krizën e thellë të viteve ’80 shpërfytyrimin më të madh në histori të popullit shqiptar, veprim që asnjë pushtues nuk kishte arritur ta bënte dot. Këtë mjerim, regjimi e mbulonte me propagandë se ishin vendi më i lumtur në botë e se hanim ushqim cilësor që na e kishin zili të gjithë, etj.

***

Vendimi, nr.129, datë 4.11.1980, “Mbi disa masa për kufizimin e mëtejshëm të oborrit kooperativist dhe për tufëzimin e bagëtive të familjeve kooperativiste (ekstrakt)

1- Edhe në të ardhmen oborri kooperativist të shërbejë vetëm si ekonomi ndihmëse e familjeve kooperativiste, për të plotësuar ato pjesë të nevojave të tyre me produkte bujqësore e blegtorale që ende nuk u sigurohen dot nga ekonomia kolektive. Oborri kooperativist të konsiderohet gjithmonë si ekonomi ndihmëse e përkohshme dhe nevoja për mbajtjen e tij, gradualisht, do të zhduket me fuqizimin gradual të ekonomisë kolektive, kur kooperativisti, me të ardhurat që do të ketë nga puna e tij në pronën kolektive, të mund të përballojë të gjitha nevojat materiale të familjes edhe pa oborrin kooperativist.
2-Për t’u prerë rrugën shfaqjeve negative në praktikën e mbajtjes dhe të përdorimit të oborrit kooperativist, të merren këto masa:
a) Familjeve kooperativiste, të cilat nga ndarjet që janë bërë në familje, kanë sot më pak tokë në përdorim sesa normat e caktuara në Statutin e kooperativave bujqësore, të mos u jepet më tokë tjetër. Toka e oborreve kooperativiste të mbetet ajo që është sot. Toka në përdorim vetjak të familjeve kooperativiste këtej e tutje të ndahet vetëm një herë midis trungut dhe familjes së re që
veçohet.
b) Sipërfaqja e tokës që u është dhënë familjeve kooperativiste në përdorim vetjak të mbillet me bimë bujqësore vetëm për nevojat e tyre. Të mos lejohet mbjellja e tokës së oborrit për shitje në treg, qoftë edhe pjesërisht, asaj t’i hiqet përgjithmonë sipërfaqja e tokës së dhënë për përdorim vetjak.
c) Çdo familje kooperativiste, në sipërfaqen e tokës që i ka dhënë kooperativa dhe shteti për përdorim vetjak, të ketë të drejtë të mbajë pula shqerake e lepuj, si dhe deri 10 koshere bletësh, kurse gjithë bagëtia tjetër që i takon oborrit sipas statutit të kooperativave bujqësore të tufëzohet.
ç) Familjet e reja që krijohen pas datës 1 janar 1981 nga ndarjet, të mos kenë të drejtë të mbajnë as lopë dhe as bagëtitë imëta.

Kastriot Dervishi