Ish-Presidenti i SHBA, George W. Bush, në New York kundër “fanatizmit” dhe politikës e Trump

 

Ish- presidentë të SHBA shprehen rrallë për mënyrën si punojnë pasardhësit e tyre. Aq më shumë të tërheq vëmendjen që veç Obamas, edhe një ish-banor tjetër i Shtëpisë së Bardhë e vuri në shënjestër Donald Trumpin.

Ish-Presidenti i SHBA, George W. Bush ka kaluar ndjeshëm në distancë ndaj shefit aktual të shtetit Donald Trump, pa e përmendur këtë me emër. Në një fjalim që mbajti Bushi në New York kundër “fanatizmit”, ai u shpreh kundër pikëpamjeve për sundimin e të bardhëve dhe “kthimin e klimës izolacioniste”.

Bushi u tregua i shqetësuar për tendencat e ndarjes në shoqëri. Konfliktet politike rrëshkasin “shumë lehtë në armiqësi”, u ankua Bush, që ka qenë që prej vitit 2001 deri në 2009 President i SHBA. “Nganjëherë duket sikur forcat, që na ndajnë, janë më të forta se forcat që na mbajnë të bashkuara.”

Kundër zellit të verbër dhe nacionalizmit

Ish-Presidenti, që është republikan si Trumpi, u distancua edhe nga iniciativat e tij, për ta vështirësuar imigrimin në SHBA. “E kemi harruar dinamikën, që ka ardhur herë pas here nga imigrimi në SHBA. Ndryshe nga kombet e tjera, identiteti ynë nuk përcaktohet nga gjeografia, përkatësia etnike, gjaku dhe toka”, u shpreh më tej Bush. “Kjo do të thotë se njerëzit e çdo etnie, feje ose përkatësie mund të bëhen amerikanë me të drejta të barabarta. Kjo do të thotë që zelli i verbër dhe nacionalizmi i çdo forme e turpërojnë kredon e Amerikës.”

71 vjeçari u ankua edhe për “besimin në humbje” në tregjet e lira dhe te shkëmbimet tregtare të përbotshme. Ai u rekomandoi qytetarëve të SHBA që të kujtojnë “vlerat” e tyre tradicionale.

Kundër mobbing dhe paragjykimeve

Bushi u shpreh edhe kundër mobbing dhe paragjykimeve. Përmes shprehjeve të tilla hapet rruga për dhunën dhe fanatizmin, tha ai. “E vetmja rrugë për t’i përcjellë vlerat qytetare është t’i demonstrosh ato”. Ai nënkuptoi me këto deklarata stilin e Trumpit, i cili përdor herë pas here emra fyes për rivalët e tij. Kështu, rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton ai e ka quajtur “mashtruese”, kurse senatorin republikan kritik, Bob Corker e ka quajtur “Liddle”- e prejardhur nga “little” (i vogël).

Ky fjalim tërhoqi shumë vëmendjen në SHBA. Shumë komentues lëvduan fjalët e hapura të Bushit, por njëkohësisht u shqiptuan edhe kritika të ashpra. Në luftërat e Bushit kundër Afganistanit dhe Irakut vlerat e supozuara të larta amerikane patën vlejtur po aq sa kur u forcuan në mënyrë të jashtëzakonshme shërbimet e fshehta në mandatin e tij, u tha në rrjetet sociale. Një përdorues tjetër shkroi: “Deri këtu ka ardhur puna me Trumpin, sa më duhet të quaj me vend atë që thotë George W. E pabesueshme”.