Ish-nënkryetarja kujton fitoren e parë të PD-së të 22 marsit 1992: Topalli sulmon ashpër Lulzim Bashën: Ka zhdukur jo vetëm të djathtën por dhe opozitën

Ish-numri 2 i Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka bërë urimin e saj për 22 marsin 1992, e cila shënon ditën e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Topalli shkruan se 26 vite më pas vendi ndodhet në një fazë kritike. “Brenda PD, forcës politike që solli votën e lirë, sot nuk ka më zgjedhje, nuk ka më forume, nuk ka më statut, nuk ka më debat… të gjitha janë farse! Dhe kjo është vetëm njëra anë. Pas 26 vitesh Lulzim Basha ka zhdukur jo vetëm të djathtën, por opozitën si garancinë kryesore të qytetarëve për t’i dalë zot lirive si dhe të drejtave të tyre ekonomike, politike e sociale”, shkruan Topalli. Më tej ish- kryetarja e Kuvendit theksoi se pas 26 vitesh Lulzim Basha kërkoi shfuqizimin e 20 Shkurtit, datës së rrëzimit të shtatores së diktatorit. “Pas reagimeve të forta Projektligji u tërhoq, me justifikime tamam si dikur; ku njëri bënte autokritikë të thellë ( si dikur në plenume), ndërsa LB si gjithmonë nuk dinte asgjë, dhe i habitur për çfarë po dëgjonte, tamam si Pal Vata kur thoshte: “Pasha t’madhin Zot, unë e Enveri s’dimë gja, në pastë ba Mehmeti, me krye të vet! Sot më shumë se kurrë shqiptarët duhet të bëjnë një reformë të thelle të forcave politike që ata të mos mbeten si pronë e titullarit; Sot më shumë se kurrë interesi publik kërkon që LB të bëjë transparencë për burimet, kanalet e parave të lobimit; Demokratët duhet të ngrihen për t’ i dalë zot fëmijëve të tyre, familjes së tyre , partisë së tyre, vendit të tyre”, deklaroi Topalli. Ajo kujton se 26 vite më parë Partia Demokratike fitoi mbi regjimin më të egër diktatorial të Enver Hoxhës. “26 vjet më parë, shqiptarët vendosën të nisin udhëtimin e tyre drejt lirisë, shpresës dhe integrimit të tyre me perëndimin. Ata ia dolën të liberalizojnë vizat, të bëhen anëtarë të Natos, të CoE, të OSBE si dhe të bëhen anëtare kandidat të BE. Por pas 26 vitesh vendi ndodhet serish në një fazë kritike: pa qeverisje dhe pa opozitë. Pas 26 vitesh shqiptarët po largohen nga shtepitë e tyre sepse ata nuk shohin dritë në fund të tunelit; As në kohët e pushtimeve, shqiptarët nuk kanë ikur në këto përmasa si sot”, shprehet Topalli. Pas 26 vitesh vendi ynë, sipas ish- deputetes demokrate, përmendet më shumë për drogën dhe hashashin se sa për bukurinë e natyrës së saj, apo për studentët dhe artistët shqiptarë që shkëlqejnë kudo. “Pas 26 vjetësh ne rreshtohemi si vendi me popullsinë më të pa lumtur, gjë që nuk ka ndodh as në ditët më të vështira; rreshtohemi si vend shumë i korruptuar, por mbi të gjitha si vend ku varfëria e mjerimi janë shumëfishuar dhe rinia është pa të ardhme; si vendi ku pasuria është përqendruar në pak duar dhe ku vendimet politike nuk i marrin forcat politike, por vetëm 4-5 titullarë. Sikur të gjitha këta të mos mjaftonin, në vendin tonë demokracia është në rrezik”, përfundoi reagimin e saj Jozefina Topalli.