Ish-ministri i PD, Genc Ruli: Marrëveshja Rama-Basha, erotiko-politike

Ish-ministri i Partisë Demokratike, Genc Ruli e ka cilësuar marrëveshjen mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, si një pakt të pakuptimtë nga ana politike. “Marrëveshja Rama-Basha, marrëveshje erotiko-politike. Qeveria teknike nuk rezultoi e tillë. Është bashkëqeverisje e pakuptimtë dhe këtë e tregon edhe fakti që ministrat teknikë nuk po ikin. PD është tepër e madhe për të rënë në marrëveshje të tilla”, tha Ruli në emisionin “Përballë” në RTSH të gazetarit Lutfi Dervishit.

Ruli u shpreh se ai që është befasuar më shumë nga kjo marrëveshje është Edi Rama. “Unë i njoh aktorët politikë të dy. Është një marrëveshja që ka befasuar më shumë Ramën. E ka befasuar sepse as ai nuk e mendohet të kundërshtari i tij ka qenë kaq i lehtë”,- tha Genc Ruli.

Ndërsa Edit Harxhi tha se “marrëveshja e 18 Majit ka mungesë transparence. Fakti që PD-ja sulmoi LSI-në në fushatë pa patur arsye, është tregues i mungesës së transparencës. Çdo lloj koalicioni mes PD-së dhe z. Rama më duket i pamoralshëm. PD duhet t’i kthehet vlerave dhe traditës së saj.” “Humbja e PD-së Ishte katastrofë! Jo vetëm humbi, por humbi shumë më tepër se zgjedhjet e fundit”, vijoi ajo. Ervin Salianji, deputeti i Bashës, nga ana tjetër ka kritikuar ministrat teknikë. “Vullneti politik i ministrave teknikë nuk arriti të shkojë në nivelin e drejtorive. Shit-blerja e votës ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve, por kjo nuk i heq përgjegjësinë PD-së”, tha Salijani.