Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri shpërthen në akuza: Sot ka politikanë pa kocka dhe pa bythë në Shqipëri. Do ketë një orë për të gjithë

Tahiri lë mandatin e deputetit: Do përballem me të gjithë

Në daljen e tij të fundit publike si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Saimir Tahiri u shfaq i përpiktë në orarin e njoftuar më herët nga vetë. Fiks në orën 10.00, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli para medieve ku mbajti një konferencë për shtyp. Nga Kryesia e Kuvendit dhe jo nga foltorja e Parlamentit, dhe pasi ka dëgjuar, siç tha ai, një lumë akuzash ndaj personit të tij përgjatë këtyre gjashtë muajve heshtjeje, që me nisjen e hetimeve ndaj tij lidhur me akuzat për implikimin e tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike si bashkëpunëtor i grupit “Habilaj”, Saimir Tahiri shfryu ashpër, dhe nuk kurseu askënd, pasi të gjithë, deputetë të opozitës, të mazhorancës, ministra, kryeministri, por dhe ambasadorët, tha ai, tashmë gjenden përballë tij, dhe “pushka top t’u bëhet” deklaroi ai. “Se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por veç e para”, tha Tahiri. Djallin, Saimir Tahiri e sheh në gjithë krahët tek citon Lulzim Bashën dhe brenda një fjalie dhe Edi Ramën. “Një herë shtyllë e krimit, një herë dru i shtrembër, vrasin natën e të qajnë ditën”, tha ai. Ish-ministri bëri thirrje të gjithëve t’i nënshtrohen vettingut, duke  akuzuar se janë këta politikanë që kanë lënë vendin në varfëri. “Unë e di që ka politikanë pa kocka e ba bythë në Shqipëri. Më akuzojnë mua se po pengoj integrimin, këta që për 25 vite e përdhunuan këtë vend cep e më cep, nuk ua kam fajin unë. Nja dy ambasadorë që na duartrokisnin pa turp, tani bëjnë edhe vettingun e policisë. Shumë mirë, jam dakord. Po ata 1300 policë që u larguan sa isha unë në detyrë, ishin shenjë e mirë e vullnetit të mirë, por këtë se bën njeri. Pse se filluam nga vetja vettingun? Deputetë, ministra, zv.ministra? Unë po hetohem, do gjykohem, kjo është kaluar vettingut. Rrinë se kush do kapi peshkun më të madh. Ambasadorë që flasin për mafiozë. Ministri i Brendshëm që numëron bandat. Ka më shumë në Greqi, por nuk flasin kështu”, tha Tahiri. Dorëzimi i mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri erdhi kur e kuptoi se as të vetët nuk i ka më në krahë. “Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje, e pushka top tu bëhet unë këtu jam e do ia dal”, tha ai. Edi Rama e ka zhgënjyer që në fjalën e tij të parë në Parlament kur e vlerësoi betejën e opozitës kundër hashashit në shtator, ndërsa sulmet e Fatmir Xhafës janë më të forta se të demokratëve. “Edi Rama në fillim të Parlamentit i falënderoi për kontributin opozitar, kurse pasardhësi im në detyrë me akuza për policinë e kriminalizuar, ia kaloi dhe Saliut dhe Lulit”, u shpreh Tahiri. Por as heshtjen 6 mujore as largimin nga Parlamenti nuk e quajti ulje kurrizi. “Nuk më paskeni njohur fare dhe rimendojeni mirë”, u shpreh ish ministri i Brendshëm. Ndërkohë që sugjerimet i kanë ardhur të ndryshme. “Njëri vinte më sugjeronte thuaj ‘nuk isha unë, po Edi Rama koka e trafikut të drogës’ e kështu shpëtoja nga të gjitha. Tjetri thoshte mos të flisja se nuk është punë pasioni e nerva po llogarish”- tha Tahiri. Aktin e vet e quan ekzotik në politikë. “Unë këtë e di po sa ç’di çfarë do të bënte kushdo që do të ishte në pozitën time, do shanin prokurorinë gjykatën, do shtonin dozën e blerjes së mediave dhe të tjera si këto. Duke blerë media, portale, sondazhe, në Shqipëri e jashtë Shqipërisë ku në një artikull ku shahem unë, pasohet nga një artikull tjetër ku lavdërohet ai që ka paguar. Duke blerë gazetarë të huaj, ambasadorë, deputetë të huaj”, tha ai. Por Saimir Tahiri u shfaq kundër ambasadorëve në Shqipëri, ndërsa etiketon palaço deputetët gjermanë. Teksa deklaron se nuk është ai pengesa për integrimin e Shqipërisë, sulmon qeverinë për arsimin, shëndetësinë, apo ekonominë dhe bie më fjalorin politik të opozitës. “Ndaj oligarkët që i palluan në tendera me paratë e shqiptarëve, lekët që vodhën nga çdo gjë në buxhetin e shtetit, duke paguar 3 herë për një shkollë, 4 herë për një spital, 5 herë për një rrugë, t’i paguajnë sot, nuk ua kam fajin unë. Unë jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE”, tha ai. U qan hallin policëve për vetingun dhe shpreh habinë e radhës me ministrin e Brendshëm. “Pse nuk e filluan nga vetja me vetingun. Ri e dëgjojmë garën kush e kap peshkun më të madh, ca thonë banda në pushtet, ca në parlament, ambasadorë lart e poshtë flasin për mafiozë, ministri i Brendshëm numëron bandat në televizor, një tmerr që të largohesh e të marrësh valixhen”-deklaroi Tahiri. Vetë ai do dalë para drejtësisë pa imunitet në një betejë që thotë se nuk e ka më vetëm të tijën. “Unë nga sot dorëzoj mandatin tim të deputetit”- deklaroi Tahiri. Ndërkohë pret orën të tjerëve “Do të ketë për të gjithë një orë e ndoshta do të japin llogari”- paralajmëroi ish-ministri Saimir Tahiri.