Irani sulmon bazat amerikane në Irak, Trump: “Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në botë, shumë më tepër se kushdo!”

Irani ka sulmuar me raketa 2 baza ushtarake irakene që strehojnë ushtarakë dhe personel të koalicionit amerikan në Al-Asad dhe Irbil.

Me dhjetëra raketa u lëshuan në baza, raportoi fillimisht televizioni shtetëror i Iranit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se, sulmi ndaj bazave amerikane është kryer rreth orës 01:30 me orën lokale, nga një distancë prej 10 kilometrash.

Akti terrorist është marrë përsipër nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike e Iranit, e cila përmes një mesazhi në agjensinë shtetërore të lajmeve, IRNA, paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi.

“Paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të shënjestrohet”.

Lajmi u konfirmua edhe nga Pentagoni, i cili në një deklaratë bëri me dije që do të marrë masa për të mbrojtur të gjithë ushtarët dhe personelin amerikan.

Ndërkohë, referuar sulmit ka reaguar edhe vetë Trump, i cili përmes një mesazhi në Twitter shkruan se është duke u bërë vlerësimi për dëmet.

Po ashtu për t’iu përgjigjur paralajmërimeve të Iranit se ky është vetëm fillimi, pasi në rast se ndërmerren veprime agresive kundër tij, Trump është shprehur se: “Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në botë, shumë më tepër se kushdo!”

“Gjithka është mirë! Irani hodhi raketa në dy baza ushtarake në Irak. Eshtë duke u bërë vlerësimi për viktimat dhe dëmet. Deri tani, mirë! Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në botë, shumë më tepër se kushdo! Do të bëj një deklaratë nesër në mëngjes.”

Deri tani nuk ka të dhëna për viktima nga sulmet, por një burim irakian i sigurisë tha për CNN se në bazën ajrore al-Asad ka patur viktima mes irakianëve.

o.j/dita