Intervistë me Stef Stakun: Kërkimi shkencor dhe ana e tjetër e medaljes së Akademisë së Shkencave

Në një bashkëbisedim me intelektualin, studiuesi dhe veprimtari shkencor, Stef Staku, mundësuam të njihemi jo vetëm me aktivitetin e tij kërkimor, por dhe mbi tërësinë e situatës, në të cilën ndodhet kërkimi shkencor shqiptar. Kapacitetet në fushën e shkencës, përmes sfidave ngadhënjyese dhe punës vetëmohuese, gjithnjë kanë ofruar resurse konkurruese. Por institucionet, Akademia e Shkencave, shteti, duke mos i konsideruar këto produkte, kanë minuar qëllimisht një nga urat më të qenësishme të ballafaqimit ndërkombëtar të këtyre vlerave dhe kanë ligështuar shpirtin krijues të pasionantëve të kërkimit shkencor. Gjithsesi, ka ende shpresë, ngulmet insistuese e mbajnë në temp shpirtin e sakrificës së njeriut të shkencës. Përgjithësisht kjo është panorama që shfaqet në këtë parakalim bisedor me z.Stef Staku.

-Kush është Stef Staku?
Vij nga një familje shkodrane. Babai im, Zef Staku, ka qenë një person me një aktivitet mjaft kompleks, poet, shkrimtar, përkthyes dhe veprimtar politik. Për arsye të pikëpamjeve ai bën dy herë burg politik, për të vazhduar kalvarin me përndjekje e pafund nga strukturat e shtetit. Ndërsa nëna ime, Lajde Staku, megjithëse, ka shërbyer për dhjetëra breza si edukatore, ajo dha një kontribut modest në letërsinë për fëmijë.
U linda në Shkodër në janar 1960. Pasi kam mbaruar me një mesatare 9.4 të katër vitet në gjimnazin “Jordan Misja” kam vazhduar studimet në ILB Kamzë, Fakulteti i Veterinarisë dega Zooteknikë, ku jam diplomuar në 1984.
– Kush është veprimtaria në lëmin shkencor?
Interesimi fillues shënon në fushën e biofizikës, të cilën e konkretizoj me studimin “Teoria kuantike (korpuskulare) e impulsit nervor”, realizuar në nëntor të vitit 1982 dhe dorëzuar pranë katedrave të biologjisë dhe fiziologjisë të Fakultetit të Veterinarisë, periudha kur isha student i vitit të dytë. Për të vijuar më pas botimin e librit “Teoria kuantike (korpuskulare) e impulsit nervor. Përpjekjet për të pranuar dritën”, janar 2002.
Në korrikun e po atij viti vij me një publikim të ri, “Realiteti i relativitetit dhe bashkëveprimi i pafund”. Në këtë libër prezantohet për herë të parë në historinë e fizikës teorike koncepti mbi bashkësitë fizike. Në nëntor të vitit 2015 hedh një hap kurajoz mbi tekstin historik dhe shqyrtimin e një periudhe shumë të debatuar që ka lidhje me largimin e ushtrisë gjermane nga Shkodra më 1944, libri titullohet: “Historia e ushtarit të fundit”. Për t’iu rikthyer sërish studimit shkencor me “Bashkësitë fizike”. Ky material përmban vazhdimin e trajtimit në një nivel ma të lartë të konceptit të bashkësisë fizike të paraqitura në botimin e mëparshëm. Dhe vjen një dokumentar shkencor mbi impulse nervore.
– Këto materiale kërkimore shkencore i keni paraqitur ndonjëherë pranë Akademisë së Shkencave, ndoshta për të ofruar pranë këtij institucioni një vlerë të shtuar në memuarin e saj dhe pse jo në bashkëveprim me të për të promovuar arritjet dhe për të mundësuar ndonjë asistim për të tjera sfida shkencore?
Patjetër. Interesimi im si i çdo veprimtari shkencor është nxitur nga nevoja për të kërkuar te ky institucion, jo vetëm një njohje të këtyre vlerave kërkimore-shkencore, por edhe mundësinë e prezantimit dhe mbështetjes për projekte të tjera. Për ironi të fatit me këtë institucion ruaj përvoja aspak pozitive.  Do të thoja se historia e ime është ana e tjetër e medaljes së Akademisë. Dyshoj se biografia e babit tim ndikoi për një emërim timin në fshatin, Mërtur i Gurit, Pukë, mbas mbarimit të studimeve. Në atë kohë ishin përpjekjet e mia për të sjellë në dritë një studim në fushën e biofizikës: “Teoria kuantike (korpuskulare) e impulsit nervor. Studim që unë e kisha paraqitur në tetor 1982 në katedrat e biologjisë dhe të fiziologjisë në kohën kur isha student i vitit të dyte. Ballafaqimet e para me Akademinë së Shkencave fillojnë në pranverën e vitit 1984, kohë kur kisha dhënë provimet e vitit të katërt dhe ishte faza për mbrojtjen e diplomës. Pikërisht periudha kur bëheshin emërimet për vendet e punës që do fillonim. Në këtë periudhë unë arrita të takoja kryetarin e asaj kohe prof. Aleks Buda me urdhër të të cilit u krijua një komision punë për vlerësimin e këtij studimi. Shumë vite me vonë kam marrë vesh se dy anëtarë të këtij komisioni ishin prof. Marenglen Spiro dhe prof. Rexhep Meidani. Përgjigjen e mora nga prof. Mina Naqe, i cili ishte drejtori i Seksionit të Shkencave të Natyrës. Studimi hidhej poshtë. Unë e kundërshtova përgjigjen e tyre, por nga ana tjetër vendosa të tërhiqem pasi e pashe fare qartë se me këtë rruge do përfundoja në burg.
– Po pas rënies së diktaturës, a ndryshuan pozitat tuaja dhe në çfarë etape do të hynte puna kërkimore shkencore e Stef Stakut, apo gjithçka ishte si më parë, sërish do të viheshe përballë të njëjtave pamundësi për të përfaqësuar punën dhe kontributin tuaj shkencor?
Pas rënies së diktaturës e vetmja gjë që ndryshoi për mire ishte se drejtuesit e Akademisë nuk mund të me sajonin kurthe për të më burgosur. Dhe ky ishte një ndryshim thelbësor i roleve në këtë betejë. Pasi tashmë isha unë ai që i sulmoja ato. Pas një përplasjeje të ashpër me Akademinë në fund të vitit 1993, unë fillova t’i denoncoja haptas drejtuesit e këtij institucioni duke shfrytëzuar të gjithë mjetet e informimit publik, përfshi këtu dhe organizmat ndërkombëtare. Finalja e kësaj përballje ishte dhe një denoncim që bëra në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, por pa rezultat. Gjithsesi demokracia nuk solli ndonjë premisë pozitive në institucionin titullar të shkencës. Talentet e vërteta u larguan nga vendi duke shfrytëzuar të gjithë mundësitë. Strukturat e Akademisë u shkatërruan plotësisht, u larguan institutet e kërkimeve dhe Akademia u kthye në një institucion “honorifik”, ku pushtetin e vërtetë e kanë marre një grusht njerëzish që vijnë nga ambiente që nuk kanë të bëjnë fare me shkencën. Eksponentë me rol kompetenti në Akademi, duket se qëllimisht hera-herës kanë minuar jo vetëm veprimtarinë promovuese dhe nxitëse të punës dhe mendimit shkencor, por kanë anatemuar armatën e studiuesve duke injoruar punën e tyre vetëmohuese dhe mohuar produktin shkencor. Kishte ndër ta që dolën haptazi me deklarata se në Shqipëri nuk ekziston kërkimi shkencor, në një kohe që si unë dhe dhjetëra e dhjetëra studiues të tjerë u gjendën në mënyrë të përsëritur para dyerve të mbyllura të Akademisë.
Sipas meje, të gjitha autoreformat që ato kanë bërë për një periudhë 26-vjeçare kanë pasur qëllim ngritjen e barrierave për të mbrojtur kupolën e tyre, për të mbajtur sa më larg çdo gjenerim kapacitetesh shkencore që një dite mund të ishin një kërcënim serioz për pozitën dhe vendin e tyre në drejtimin e këtij institucioni. Në këtë mënyre, hendeku mes Akademisë, punës kërkimore-shkencore dhe kapaciteteve të jashtëzakonshme prodhuese do të thellohej gjithnjë e më shumë, për të mbërritur në një të tashme kur mbi këtë altar të njerëzve të shkencës të bien hije të errëta mohimi të funksionalitetit.
Duke soditur këtë panoramë të gjendjes aktuale ajo që kërcënon është humbja kërkimit shkencore, ndalimi i vërshimit të këtij progresi për të mundësuar të sotmes sfida konkurruese. Fatale e promovon situatën injorimi që shteti i bën në tërësinë e vet këtij instrumenti nxitës. Duke injoruar mendimin shkencor dhe duke transformuar Akademinë e Shkencave në një ngrehinë ku vegjetojnë një grusht burokratësh, shteti pranon autorësinë e një krimi të patolerueshëm.
-Pse vetëm kjo ana e medaljes, pjesa e hidhur, që ju e tregoni përmes eksperiencave tuaja. Ju mendoni se kjo është e gjitha?
Pa asnjë diskutim që kjo është një pjesë e së vërtetës së hidhur e këtij institucioni, për të cilën nuk flitet asnjëherë. Këtu nuk flitet se si u zbatua lufta e klasave brenda në Akademi, pasojat e së cilës për jetët e shumë e shumë shkencëtarëve ishin fatale. Ka pasur shkencëtarë që janë burgosur edhe pushkatuar, për të cilët flasin vetëm gazetat.
Por nuk duhet të harrojmë se Akademia ka edhe anën e shkëlqyer të sajën. Gjatë periudhës së diktaturës për herë të parë në mënyrë institucionale u mblodhën forcat intelektuale duke organizuar mendimin shkencor shqiptarë. U krijuan institutet e kërkimit shkencor në të cilët punuan shkencëtare të talentuar duke dhënë kontributin e tyre në shumë fusha të shkencës e të jetës së vendit tonë.
– Nëse do kishit diçka më konkrete për të vizualizuar një panoramë më të plotë të situatës në të cilën ndodhet kërkimi shkencor aktualisht?
Në mjekësi ka një term që quhet, “vdekje klinike”. Ky besoj se është termi ma i përshtatshëm që mund të përcaktojë gjendjen aktuale të mendimit dhe kontributit shkencor. Një ndërhyrje emergjence të z. Edi Rama mund ta kthejë në jetë e ta vendosë në binarë të drejtë kërkimin shkencor, këtë faktorë shumë të rëndësishëm për ekzistencën e një shteti modern. Por një ndërhyrje e gabuar apo lejimi për një kohë të pacaktuar i kësaj situate, rrezikojnë ta degdisin në një fazë të tillë përkeqësimi sa do ta këtë të pamundur për një periudhë 20-vjeçare mundësinë e një rikuperimi.
– Keni një ide konkrete se si mund të zgjidhet situata që parashtroni?
Unë e shoh me shumë vend iniciativën e Kryeministrit z. Edi Rama për të bërë një paketë ligjore në favor të kërkimit shkencor shqiptarë. Është esenciale hartimi i një ligji të mirë, e gjithëpërfshirës. Ku studiuesit të kenë një vend për të paraqitur studimet e krijimet e tyre e të marrin vlerësimin që i takon sipas cilësisë së punës së kryer, e jo sipas përkatësive sociale apo politike.
– Në fund të muajit maj nën drejtimin e Kryeministrit u zhvillua një takim pune mes Akademisë së Shkencave, Ministrisë së Arsimit dhe grupit të interesit për hartimin e një drafti ligjor për reformën në kërkimin shkencor. Deri më 10 qershor tri grupet e punës duhej të dorëzonin draftet. U konsiderua roli juaj?
Duke ndjekur këto zhvillimet e fundit që përmendni, unë me dt. 14 qershor 2016 dorëzova në Kryeministri propozimet e mia, këto të shoqëruara dhe me firmat e disa kontributorëve të tjerë shkencor. Njëkohësisht kërkova të përfshihem në grupin e punës, pasi puna ime kërkimore-shkencore 34-vjeçare, dyshoj se është refuzuar nga Akademia e Shkencave vetëm e vetëm se unë vija nga një familje katolike shkodrane e përndjekur politikisht.
Më dt. 30 qershor marr përgjigje nga Kryeministria, se kërkesa ime i ishte përcjellë Ministrisë së Arsimit, ku më bëhej me dije se unë duhet t’i drejtohesha këtij institucioni për të vazhduar më tej komunikimin. Më dt. 4 korrik isha në Ministrinë e Arsimit duke u prezantuar me shkresën e Kryeministrisë. Ata refuzuan çdo takim. Kërkova të takoj ndonjërin nga 4 këshilltarët e znj. Nikolla, por ishte e pamundur. Sipas meje kjo është një vazhdë e praktikave të vjetar, krijimin e një ligji për të mbrojtur interesat e ngushta klienteliste.
– Konstatohet qartë se jeni tejet i pakënaqur e mosbesues ndaj administratës. Duke e konsideruar të ezauruar gjatë bashkëbisedimit, do të ishte me interes të dinim se konkretisht me çfarë propozimi i jeni drejtuar Kryeministrit në lidhje me reformën?
Insistues mbetet miratimi i titullit “Kërkues Shkencor” për personat që merren me punë të mirëfillta kërkimore duke e konsideruar sipas tri shkallëve vlerësimin.
Kushtet për dhënien e titullit “Kërkues Shkencor” propozoj:
1/A. – Studime origjinale teorike të njohura si të tilla nga agjencitë e të drejtës së autorit në një nga vendet anëtare të BE.
1/B. – Rezultate të punimeve praktike në laboratorë që sjellin diçka të panjohur më pare dhe të certifikuara nga agjenci të patentave në një nga vendet anëtare të BE.
2. – Të ketë mbaruar studimet e larta së paku në një universitet. Por nuk është kusht i domosdoshëm që fusha e kërkimit shkencor të përputhet me fushën e diplomimit të tij.
3. – Është e detyrueshme qe studimet teorike, rezultatet e punimeve praktike, apo çfarëdo lloj produkti origjinal i punës intelektuale, duhet te mbrohet në konferencat shkencore që organizohen së paku një here në vit nga Drejtoria e Kërkimit Shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
4. – Shkalla e 1, 2, apo e 3 e titullit të Kërkuesit Shkencor të përcaktohet pas vlerësimit që bëjnë ekipet e Akademisë, ekipet e departamenteve të universiteteve të vendit tonë. Natyrisht që nga ana e Drej. së Kerk. Shk. Në Akademinë e Shkencave për dhënien e shkallës së 2 apo të 3 të këtë dhe vlerësim nga ana e rrjeteve ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
– Kërkuesi Shkencor ka për detyrë që të përfshijë në punën kërkimore studentë dhe pedagogë, kur ai punon në qendrat universitare si dhe studiues të ndryshëm, kur ai punon në institutet e kërkimit shkencor.
Këto 5 kushte janë të vështira për t’u plotësuar. Ne e gjykojmë që kushte të tjera mund të shkaktojnë efektin e kundërt frenimin në mënyrë artificiale të dhënies së titullit “Kërkues Shkencor”.
– A janë të mjaftueshme këto ndërhyrje nga ana e qeverisë për ta venë aty ku duhet kërkimin shkencor?
Natyrisht që jo. Nga ana e organizimit administrative minimum i domosdoshëm është krijimi i Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, brenda Akademisë së Shkencave. Nëse respektohet ai rregulli minimal administrativ shtetëror, ku çdo studiues të ketë të drejtë të paraqesë studimet e tij dhe pas 1 muaji të kthehet të marrë përgjigjen për vlerën apo rrugën që kanë marrë studimet e tij. Interesi për gjëra të reja shkencore është i jashtëzakonshëm jo vetëm nga ana e institucioneve shtetërore, por kryesisht është i interesuar biznesi privat.
Reforma në kërkimin shkencor në mënyrë të pashmangshme do kërkojë riformatimin e Akademisë së Shkencave si dhe organizimin e zgjedhjeve të tjera jashtë skemave asfiksuese që zhvillohen tash 26 vite në atë institucion.

Intervistoi Albert Vataj