Intervistë me, Presidenten e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma: Rreziku që kërcënon shërbimin farmaceutik

 Intervistoi: Freskida Miloti

Diana Toma, Presidente e Urdhrit të farmacistëve flet për problematikat në sektorin farmaceutik, gjithashtu, për hapjen pa kriter të farmacive, aspekti i vlerësimit profesional dhe dhënien e të drejtës së pronësisë së farmacive elementit jo farmacist. Në këtë intervistë do të lexoni qëndrimin e saj ndaj uljes së marzhit të fitimit dhe përpjekjet nga UFSH për ndryshimet e marzhit të tregtimit të barnave të bëhen në mënyrë të studiuar.

 

Cilat janë sot problemet kryesore në fushën farmaceutike Shqiptare?

Sistemi farmaceutik shqiptar aktualisht pasqyron problematika që vërehen në sektorë të ndryshëm të tij, por që nuk mendoj t’i klasifikojmë në të rëndësishëm apo më pak të rëndësishëm, pasi mosfunksionimi në rregull i një elementi në këtë sektor sado i parëndësishëm të duket, ai jep efekte me përmasa të tjera në një segment tjetër të po këtij sektori. Sektori farmaceutik, funksionon duke u bazuar në ligje, akte nënligjore dhe rregullore të ndryshme. Dhe unë këtu do të gjegja shkakun e të tëra problematikave. Për pyetjen që ju më bëtë do të doja të fokusohesha te disa problematika, të cilat lidhen me farmacinë dhe shërbimin farmaceutik, pasi institucioni që unë përfaqësoj në të drejtën e tij, lidhjen dhe përgjegjësinë e ka të drejtpërdrejtë me shërbimin.

1- Hapja pa kriter e farmacive, e cila erdhi si rrjedhojë e heqjes nga ligji të çdo kriteri përcaktues, si lidhur me distancën e njërës farmaci nga tjetra, si lidhur me numrin e banorëve, si lidhur me pronësinë e subjektit farmaceutik, është faktor, i cili çon në dobësimin e cilësisë së shërbimit.

2- Dhënia e së drejtës për të diplomuar në degën farmaci dhe e universiteteve private, çoi në një mbiprodhim të profesionistëve të kësaj fushe dhe që fatkeqësisht u shoqërua dhe me një ulje të cilësisë së tyre dhe jo pa të drejtë, të shkon mendja se përtej nënshtrimit të rregullave, të ekonomisë së lirë të tregut, gjejmë një lidhje të ndërsjellët midis heqjes së kritereve për hapjen e farmacisë dhe shpërthimit të një numri të diplomuarish për farmaci. Mosekzistenca e rregulloreve të shërbimit farmaceutik, që prej vitit 1998, ka sjellë përforcim të problemeve që ka shkaktuar në vite të ndryshme ligji i Barnave dhe i shërbimit farmaceutik dhe në mënyrë të prekshme për farmacinë, sot nuk ke të përcaktuara standardet bazë që duhet të ketë një objekt për t’u kthyer subjekt farmaceutik, nuk ke të përcaktuara detyrat, të drejtat, por dhe sanksionet që duhet të ketë specialisti farmacist apo drejtuesi teknik i subjektit farmaceutik.

3- Aspekti i vlerësimit profesional, pasqyruar në të ardhura financiare është i pamatshëm pasi është i papërcaktuar për farmacistin shqiptar. Kjo është një problematikë e cila te ky profesionist, me përjashtim të demotivimit karshi profesionit nuk jep efekt tjetër. Marzhet me të cilat tregtohet bari në Shqipëri, të aplikuara pa studim, nga viti në vit kanë ardhur duke u reduktuar ndjeshëm, aq ndjeshëm sa nuk justifikojnë investimin thjesht financiar dhe jo më atë profesional. Kjo gjë është paralajmëruar prej kohësh, që do të kultivojë në tregun farmaceutik një tendencë për ta komercializuar këtë të fundit, pasi subjekte të ndryshme farmaceutike, jo në pak raste i çon në kufijtë e mbijetesës.

4-  Dhënia e të drejtës së pronësisë së farmacive elementit jo farmacist, solli po prapë pasoja negative në këtë sektor. Tashmë një farmacist e kemi të vendosur ndërmjet dy trysnive, asaj që të detyron ushtrimi i profesionit dhe asaj që të dikton pronari i subjektit, por që ky i fundit profesionalizmin e shikon shpesh herë si pengesë për sigurimin e të ardhurave.

Këto probleme të përmendura nuk do ekzistonin ose do ishin të minimizuara nëse krahas mendimeve të herë pas hershme nga komuniteti i farmacistëve këta të fundit do të kishin dhe të drejtën e përfaqësimit ndërinstitucional në Borde të ndryshme të institucioneve shtetërore. Këto të fundit kanë përfaqësuesit e vet në organin më të lartë vendimmarrës të Urdhrit të Farmacistëve ndërsa UFSH-së nuk i lejohet e njëjta gjë dhe jemi në situatën ku me të drejtë të lind pyetja; – Po për farmacistin kush flet???

Sa është bërë e mundur të përmbushen kërkesat me të drejtë të farmacistëve dhe cilat konkretisht?

Kërkesat e farmacistëve ndonëse vijnë të veçuara si kërkesa që drejtohen nga individë, janë masive, çka tregon se këto tashmë janë kërkesa të përfaqësuesve të një sistemi profesionistësh. Ky sistem profesionistësh, ka përfaqësuesin e tij të ligjshëm dhe ky është institucioni i Urdhrit të Farmacistëve, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka bërë pasqyrim të problematikave të sektorit si dhe ka bërë propozime për zgjidhjen e tyre. Deri tani, jemi në mungesë të reagimit nga institucionet vendimmarrëse lidhur me pritshmëritë e sistemit farmaceutik të pasqyruara këto, qoftë në bazën ligjore, qoftë në rregullore, e për rrjedhojë kemi jo vetëm një vazhdim të problematikave, por dhe një përkeqësim të tyre.

Ulja e marzhit të fitimit të farmacistëve përbën një nga shqetësimet e tyre, çfarë qëndrimi keni ndaj këtij problemi?

Ulja e marzhit të tregtimit të barnave, ka cenuar vazhdimisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejt dhe në uljen e pjesës së përfitimit të farmacisë dhe farmacistit. Sot, është në ato nivele që ti jo vetëm nuk ndihesh i vlerësuar në punën tënde, por ndihesh i pamotivuar për ta ushtruar atë. Ne si Urdhër, vazhdimisht kemi kërkuar që ndryshimet e marzhit të tregtimit të barnave të bëhen në mënyrë të studiuar, por studimi nuk është realizuar. Sektori farmaceutik është përndjekur prej vitesh nga përfolje institucionale se fitojnë shumë. Unë sot e kësaj dite nuk kam gjetur përgjigje për pyetjen që kam bërë në institucione të ndryshme. – Sa fitojnë realisht? Sa duhet të fitojnë? Në këtë fitim, a është i përligjur aspekti profesionale? Dhe nëse fitohet shumë, krahasuar me kë? Për sa kohë këto pyetje nuk do kenë një përgjigje të argumentuar, për sa kohë marzhet e tregtimit të barnave do kenë bazë të përcaktimit të tyre lojën e kungulleshkave.

UFSH dhe Diana Toma si Presidente e këtij enti publik, sa dhe si e mbron figurën e farmacistit?

UFSH është institucion, Diana Toma është person, por kur bëhet fjalë për mbrojtjen e figurës së farmacistit, Diana Toma si profesioniste dhe UFSH janë një. Mbrojtja e profesionit të farmacistit, mbrojtja e standardeve të ushtrimit të këtij profesioni, mbrojtja e zbatimit të ligjshmërisë së këtij profesioni, si dhe kërkesat që ligjet të përmbajnë kritere të sakta për funksionimin dhe zhvillimin e këtij profesioni, në mënyrë të drejtpërdrejtë çojnë në mbrojtje të figurës së farmacistit dhe japin një garanci për cilësinë e ofrimit të shërbimit nga ky i fundit. Kjo gjë është dhe në përmbushje të misionit që ka UFSH.

Si është sot në Shqipëri të ushtrosh profesionin e farmacistit?

Fatkeqësisht zhgënjyese. Zhgënjyese kur e krahason me profesionistin e së njëjtës fushë në vendet e zhvilluara, zhgënjyese kur e krahason me figurën e farmacistit e ndërtuar kjo deri në vitet ’90, zhgënjyese sa i takon investimit të bërë gjatë sistemit arsimor dhe vlerësimit kur ti këto dije i aplikon në të përditshmen profesionale.

Cilat janë sfidat që ju presin në vazhdimësi?

Mendoj se jeta e një njeriu në vetvete është sfidë me kohën, në varësi të angazhimeve që merr shtohet apo pakësohet numri i sfidave që të dalin përpara.

Aktualisht, jeta ime është e ndarë midis jetës profesionale dhe asaj familjare, ndaj sfidat ekzistojnë në të dyja këto aspekte. Sa i takon jetës profesionale, aktualisht, unë ushtroj funksionin e Presidentes së UFSH-së, ndaj parë në këtë aspekt, sfida qëndron jo vetëm në përmbushjen me sukses të detyrës sime, por dhe në bërjen të mundshme për Urdhrin e Farmacistëve të të gjitha të pamundshmeve të deri tanishme të përmendura më lart. Sa i takon aspektit social familjar, në momentin kur bëhesh nënë dhe je një nënë ballkanase, e ardhmja e fëmijëve të tu, prevalon mbi gjithçka. Ndikimin tim në të mirë të të ardhmes së tyre e quaj si një tjetër sfidë shumë të rëndësishme në jetën time.

Cili është mesazhi që mund t’i jepni të gjithë farmacistëve?

Çdo farmacist ashtu sikundër çdo mjek kur vendos të ushtrojë profesionin e tij, bën betimin e Hipokratit. Ky betim, në vetvete është shterues sa i takon shtimit të mesazheve për një profesionist të shëndetësisë, ndaj, nëse më pyesni se cili është mesazhi, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të citoj atë.