INTERVISTA/ Një jetë me këngën shkodrane, këshillat e Bujar Qamilit për emrat e rinj të muzikës popullor

INTERVISTA/ Cili është mendimi i këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Bujar Qamili, për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Të bisedosh me Bujar Qamilin, është një mbresë e veçantë dhe kjo, jo vetëm se është prej 40 vitesh në skenë e përsëri mbetet i pazëvendësueshëm! E njeh i madh e i vogël! Por, sepse ka një harmoni dhe një buzëqeshje ngjitëse. Më kujton gjithmonë faktin se, shtëpia e tij në Shkodër, ishte strehë për ndalesat tona si gazetarë të rinj, dikur. Bashkë me bashkëshorten, nuk kishe asnjë shans të flije në hotel apo gjetkë, Bujari të priste, patjetër, të bujtje tek ai. E mendoj se kjo i ka ndodhur shumë personave, si unë. Korrekt dhe i thjeshtë, edhe në kulmin e famës, Bujar Qamili e ka bërë këngën shkodrane të dashur, për të gjithë, nga jugu në veri.

Ju keni kënduar me dashuri, këngën shkodrane për 40 vite e më shumë. Por si erdhët deri tek kënga?

Po, sigurisht, që nuk ka qenë e lehtë të këndosh për 40 vite, dhe përsëri të qëndrosh në majat e këngës popullore shqiptare, por, sidomos, në Shkodër, ku këndojnë të gjithë, ku fëmija i porsa lindur nuk qan, por këndon.

Sot në muzikë ka rryma të reja, ritme të huazuara. Cili është mendimi juaj për këtë dukuri?

Me të vërtetë, sot ka rryma të reja, por unë asnjëherë nuk jam shmangur identitetit të këngës, sepse jam edukuar në një mjedis ku kam pasur fatin të rritem në duart e të pavdekshmit, Bik Ndoja, dhe Shyqyri Alushi, të papërsëritshëm në vokal, skenë dhe ekran!

 Recitali juaj ka pasur një publik prej 2500 spektatorësh. Sot kjo duket gati e pamundur. Pse?

Recitale kam pasur disa; ndoshta edhe kjo dikujt mund t’i duket e pamundur, ashtu siç mund t’i duket edhe pjesëmarrja e 2500 spektatorëve të pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Dua të them një të vërtetë që, dy javë para koncertit, i kam pasur të gjitha biletat e shitura. Nuk është e pamundur për arsye se publiku i njeh mirë këngëtarët, të cilët e këndojnë këngën e popullit, prandaj dhe nuk ngurruan ta mbushnin sallën plot.

Ju ka ndodhur të keni pasur ndonjë incident apo ndodhi në skenë?

Jo nuk mund ta pranojë një gjë të tillë, pasi, gjithmonë, i jam shmangur tendencave apo provokimeve të ndryshme, nga persona të paformuar artistikisht dhe që kanë dështuar në këtë drejtim.

Janë shumë vite me ju në skenë. Unë vetë as nuk e imagjinoj dot, por nëse nuk do të ishit këngëtar, ku e shikoni veten?

Po, është një fjalë goje 40 vite, në skenë dhe ekran.

Jam shumë i kënaqur me punën dhe rezultatet që kam mundur të arrijë, në saj të zërit që Zoti më ka falur. Jam përpjekur ta ruaj atë si dhuratë të shenjtë dhe jam i kënaqur që kam arritur të jem këngëtar i dashur, për të gjithë. Jam po ashtu i kënaqur dhe e vlerësoj që shteti shqiptar më akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, pa lënë pas edhe vlerësimin që më ka bërë qyteti im i dashur, Shkodra ime, me titullin “Mirënjohje e Qytetit”. Nëse nuk do isha këngëtar, do të kisha patur shumë dëshirë, të isha futbollist i mirë.

I këndoni më shumë dashurisë dhe bukurisë. Ju vetë sa romantik jeni?

Është e pashmangshme që në Shkodër, të mos i këndohet dashurisë, bukurisë dhe luleve. Janë tri gjëra që më kanë pëlqyer gjithë jetën, sidomos e para.

Moralisht jeni i vlerësuar shumë nga publiku. Po ekonomikisht, ndiheni të shpaguar sa duhet nga puna juaj?

Është më e rëndësishme që jam shumë i vlerësuar moralisht nga publiku i mrekullueshëm, ndërsa ekonomikisht, “kam paré, sa me ba qejf!”.

Ka miqësi në art? Keni hasur xhelozi mes këngëtarëve në karrierën tuaj?

Nuk më ka shkuar ndërmend, asnjëherë, një gjë e tillë, pasi gjithmonë kam qenë Bujari, ndërsa në art, miqësia ime është e jashtëzakonshme me të gjithë, i dua dhe më duan!

Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

Jam shumë i lumtur kur dëgjoj zëra të bukur, ndaj dhe miqësia ime me ta ka qenë vazhdimisht korrekte.

Këngëtarëve të rinj të këngës popullore, me dashamirësi, do t’u sugjeroja që, nëse një ditë do të bëhen dikush, duhet t’i këndojnë këngët popullore qytetare, pa i deformuar, duke i qëndruar besnikë krijueseve të mëparshëm, duke ecur në gjurmët e tyre. Kështu do të arrijnë të shikojnë veten të nderuar dhe respektuar nga publiku.

Jeni gjithmonë i qeshur në skenë. transmetoni qetësi dhe paqe. Kështu jeni dhe në jetë?

Kjo është natyra ime, ka pasur raste që para koncertit të mos ndjehem mirë, por kur kam dalë para publikut, kam harruar gjithçka dhe këngën ia kam transmetuar me gjithë forcën e shpirtit dhe suksesi ka qenë i padiskutueshëm.

A bëni bamirësi? Pra, a e keni ndarë suksesin tuaj edhe me të tjerët?

Kjo është temë paksa e gjerë, për të cilën mund të flasim gjatë, por po përmend dy gjëra kryesore.

Vitin e kaluar, së bashku me kolegen time, Maja, ishim të ftuar për një koncert bamirësia në Lecco të Italisë, në një pallat sporti, i cili ishte mbushur plot e përplot, dhe të gjitha të ardhurat e këtij koncerti, shkuan për një vajzë 6-vjeçare, e cila vuante nga leucemia. Ky ishte një kontribut shpirtëror.

Koncertin tjetër, para pak muajsh, e mbajta në Teatrin “Migjeni”, të cilin e titullova “Bujari për bujarinë”, të ardhurat e të cilit ia kalova shtëpisë së fëmijëve në Shkodër.

Dua nga ju një mesazh për muzikën qytetare dhe gjendjen e saj sot.

Për mendimin tim nuk është aq keq! Ne që kemi mbetur, po e mbajmë gjallë dhe nuk do ta lejojmë, në asnjë mënyrë, muzikën popullore qytetare, ta lëmë në duart e atyre që e deformojnë.

Çfarë duhet të bëjnë më shumë institucionet?

Sigurisht, do të ishte mirë që institucionet përkatëse, në qytetet e tyre të bëjnë atë çka bëhet në qytetin tim të Shkodrës, ku brenda vitit organizohen koncerte e festivale si, “Lule borë” “Pranverë  me këngë” “Premiera e Estradës Profesioniste”, “Ahengu Shkodran” etj.

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën? A është e vështirë bashkëjetesa me një artist i cili është gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Duke pasur parasysh lëvizjet e mia në gjithë botën, me koncerte të ndryshme, si në Australi, SHBA, në të gjithë Europën, në të gjitha trevat shqiptare si, Mali i Zi, Kosova, Tetova etj., nuk ka qenë e lehtë.

Pa përkrahjen dhe mbështetjen e kujdesshme të familjes, sigurisht, që nuk do isha ky që jam.

Është e vështirë bashkëjetesa me një artist si puna ime, i cili është gjithmonë në lëvizje, por e din vetëm gruaja çka ka hequr! Jam borxhli ndaj saj!