INTERVISTA NE RTVSH- Ben Blushi: Rama-Basha, marrëveshje për ta grabitur Shqipërinë

Kreu i LIBRA, Ben Blushi deklaron se pakti Rama-Basha është një marrëveshje për të grabitur Shqipërinë. Në një intervistë për emisionin “Përballë” në RTSH, Blushi tha se se dy krerët e partive kryesore do të cenojnë dhe reformën në drejtësi për shkak të orekseve politike. “Unë i them se kjo është një marrëveshje për ta grabitur Shqipërinë bashkë dhe për të cenuar reformën në drejtësi”,- tha Ben Blushi.

Intervistoi: Lutfi Dervishi

 Me kë e ka garën LIBRA në këtë fushatë?

LIBRA  e ka me të gjitha partitë e vjetra, absolutisht. Nuk dallon njërën nga tjetra. E ka me të gjitha partitë e vjetra….

 Po garë me partitë e tjera…?

Ne i konsiderojmë njëlloj ato…

 Garë me parti të tjera, Sfida, FRD-ja…?

Unë nuk dua të … Shpresoj ato të kenë fatin e tyre në këto zgjedhje, nuk kam asnjë gjë…

 Fat të mirë besoj i uroni…?

Nuk hymë në këto zgjedhje për të rrëzuar ata që nuk janë. Hymë në këto zgjedhje për të rrëzuar ata që janë në pushtet dhe këto janë 3 partitë në pushtet. Hymë për t’i rrëzuar të treja bashkarisht ose veç e veç. Natyrisht edhe me ndihmën e tyre, se ato do të bëjnë … Janë si 3 banda thotë dikush, edhe unë e kam përdorur këtë metaforë… 3 banda që luftojnë njëra-tjetrën dhe e dobësojnë njëra-tjetrën respektivisht dhe kjo na favorizon të gjithëve ne që duam një pyll…

 Nëqoftëse marrim që këto janë 3 banda … Çfarë ju bën të besoni se ju do t’ia dilni vetëm përballë këtyre 3 bandave?

Pse kush besonte në vitin ’87-’88- ’89 që do të rrëzohej regjimi komunist?

 Vlen i njëjti krahasi?

Unë besoj se vlen. Ai ishte regjim dhune, ky është regjim korrupsioni…

 Regjimi komunist më shumë se sa e rrëzuan, ra…edhe për shkak të fakorit në lindje…?

Ra për disa arsye, të jashtme dhe të brendshme…?

 E donte edhe një të shtyrë nga brenda…

E keni parasysh se çfarë ishte Shqipëria e vendeve ’82, ’86, ’87…një vend totalisht depresivë. Ashtu është edhe Shqipëria sot. Po të shkojmë nëpër provincat e Shqipërisë apo të dalim pak jashtë Tiranë ka depresion, mungesë shprese, nevojë për të ikur nga Shqipëria.

 A ka kapacitet njerëzor LIBRA për të kontrolluar dhe për të vëzhguar gjithë proçesin?

Ben Blushi:  Absolutisht po. Ka dy arsye që na bëjnë të besojmë se LIBRA-s nuk do t’i preket asnjë votë. E para është se ka kapacitetet e veta. Ne kemi arritur të kemi në 7 muaj 10 mijë-11 mijë anëtarë  …

 Të regjistruar…?

Të regjistruar. Këta janë njerëz tyë anëtarësuar vet, unë nuk i njoh. Ata janë regjistruar kryesisht online. 1800 prej tyre janë në emigracion, nga Australia deri në SHBA, natyrisht edhe në Gjeramani, Greqi…

 Që nuk votojnë dot…?

Që një pjesë e tyre do të kthehen për të votuar ose influencojnë familjet e tyre…

 Nëse do të kthehej njeri nga Australia, do të ishte vërtet lajm i madh, që nga ana tjetër e globit të vinin për të votuar…

Nuk e di, këtë të dhënë nuk e kam. Po ka shumë njerëz që marrin në telefon nga Italia, nga Franca, nga Gjermania, që thonë do të vijmë të votojmë LIBRA-n. Por ata kanë infuencë të madhe në Shqipëri. Këta janë gati 15% e anëtarësisë LIBRA. 85% janë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri. Këta njerëz, një pjesë e madhe e tyre kanë dalë vullnetarë kur i kemi apeluar për të qenë vëzhgues libra më datën 25 qershor. Kjo është e para. E dyta është… Të them dhe diçka… E kam përdorur këtë krahasim, nuk e kam për herë të parë…LIBRA është si një gur i çmuar. Ka një numër votash potenciale, askush nuk e di sa ka. Do të jetë surprizë të jeni të bindur. As unë nuk e di, askush nuk e di. Janë 3 hajdut që duan ta vjedhin. Për shkak se asnjëri nuk lë tjetrin, ai nuk preket. Kjo ka për të ndodhur ditën e numërimit. Asnjëra nga partitë e vjetra…

 Si historia e kodit zgjedhor, e shkruar nga dy njerëz që i ruhen njëri-tjetrit.

Besojeni këtë, është e vërtetë. Në tavolinën e numërimit janë 3 palë që kanë numërues, rilindja, Çadra dhe Partia e Presidentit dhe një e katërt që është njësoj. Këta të tre do të mbrojnë votat tona, jo sepse na duan, por sepse nuk duan që votat tona t’i marrë kundërshtari. Dhe kjo mund të na favorizojë. Pra, favorizohemi nga vjedhja në këtë rast. Besojmë se ka ardhur koha të ndryshojmë raportin e publikut me informimin. Kjo mund të ndodh vetëm duke forcuar këtë televizion ku jemi.

 Si?

Televizioni shqiptar publik është ai që na ka munguar 27 vjet. Nëqoftëse e lëmë jetim, ky televizion ka për t’u mbyllur. Kjo qeveri që është në pushtet vitin e parë ka patur projekt për ta mbyllur televizionin publik. Pse? Për të favorizuar kë? Projekt? Apo një ide që të shkojmë në modelin grek, që e mbyllim dhe e fillojmë nga e para?

Jo, jo. E para, Greqia nuk ka bërë këtë gjë. Greqia nuk e mbylli televizionin e saj publik. Franca nuk e ka mbyllur…

 Flas në kohën e krizës që diskutohej për t’u mbyllur për një periudhë të shkurtër…?

Greqia mund ta mbyllte, çka nuk e bëri. Greqia është shumë e varur nga televizioni i vet publik. Greqia mund ta bënte për arsye financiare. Në rastin e Shqipërisë nuk janë arsye financiare, që e kërcënojnë televizionin publik, siç ka ndodhur në 27 vjet. Janë interesat e konkurentëve të vet privatë.

 A është pak vonë për ta ngritur zërin për këtë?

Nuk është vonë. Unë e kam thënë prej shumë vjetësh, pavarësisht se nuk jam njeri që jam marrë me këtë temë në mënyrë ekskluzive sado që kam qenë gazetar. Nëqoftëse nesër LIBRA qeveris po të them se një nga gjërat e para që do të bëjmë, do t’i japim një status të pavarur televizionit publik. Do ta financojmë më shumë dhe do të ndihmojmë gazetarët e televizionit publik, i cili duhet të konkurojë dhe të jetë burimi më i pavarur i lajmit në Shqipëri. Pse? Sepse ajo është publike, ajo nuk blihet. Partitë nuk mund të vinë në televizionin publik dhe të blejnë kohë.

 Edhe eteri është publik, por e kanë blerë operatorët e tjerë…

Sepse qeveritë janë korruptuar … Ky është rasti tipit sepse qeveritë e Shqipërisë, sidomos në dy dekadat e fundit janë korruptuar nga privatët në atë masë sa kanë cënuar pronën e përbashkët që është televizioni publik në favor të televizioneve private. Dhe ka arritur puna sot në fushatë, kur që të dalësh live dy orë duhet të shkosh në televizion privat dhe të paguash dy orë live. Pyetja është kush i paguan këto? Si korruptohe? Nga i gjen qeveria kaq shumë para. E dini sa mund të jetë kosto vetëm e qeverisë, e Rilindjes vetëm në këto zgjedhje?

Ju mund ta dini ofertën që ju bëhet për të transmetuar live një orë nga cilido vend i Shqipërisë…

3 mijë euro para dy javësh. Këto shifra janë 10-fishuar dhe janë 20-fishuar me afrimin e datës së zgjedhjeve. Pyetja është nga dalin këto para? Është katastrofë. Qeveria që është me ligj e detyruar të luftojë evazionin fiskal, bën evazion fiskal vet, merr para të zeza, ia jep televizioneve, blen kohë tek ato, i korrupton ata, nuk i deklaron ato, nuk paguan taksa, paratë nga i merr? Pra, qeveria bën evazion fiskal. Kjo nuk mund të ndodh, por kjo ndodh në Shqipëri. Po kjo nuk ndodh në televizionin publik dhe kjo është arsyeja që ky televizion duhet forcuar me çdo kusht dhe me ligj duke i dhënë pavarësi absolute.

 Ju keni takime me ndërkombëtarët. Çfarë i thoni ndërkombëtarëve rreth kësaj marrëveshje (marrëveshja PS-PD) kur ju pyesin?

Unë i them se kjo është një marrëveshje për ta grabitur Shqipërinë bashkë dhe për të cenuar reformën në drejtësi. Pra, është nevoja që duke qenë bashkë në qeveri të krijojnë imunitet ndaj reformës në drejtësi. Për kë duhet dhe për kë u bë reforma në drejtësi? U bë për atë që vjedh dhe nuk paguan një faturë energjie 5000 lekë? Jo, u bë për politikanët kryesisht sepse populli i Shqipërisë…

 Nëse ju thoni që marrëveshja nuk është një gjë e mirë, është një gjë e keqe, cila është prognoza juaj që nesër ne të themi ju kishit të drejtë?

Prognoza është se ata prapë do të tentojnë të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve për të krijuar më shumë imunitet ndaj reformës në drejtësi se kush është në qeveri vështirë se preket nga reforma në drejtësi. Dhe Edi Rama e shiti reformën në drejtësi si një kërcënim ndaj opozitës ose ish qeverisë së vjetër dhe këtu u frikësua për hir të së vërtetës “çadra” dhe  për këtë arsye u fut në qeveri dhe si një kërcënim ndaj partive të tjera. Pra, duan t’i japin vetes një monopol, një duopol që merr të gjitha të drejtat kushtetuese në dorë.

*Marrë nga emisioni “Përballë” në RTSH