INTERVISTA NE “News 24″/ Sali Berisha: Gjatë negociatave kam shkëmbyer mesazhe me Edi Ramën

Ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e qeverisë Edi Rama i kemi parë të debatojnë ashpër gjatë seancave plenare, jo vetëm në legjislaturën që po mbyllet, por edhe më parë. Por ndonëse për 3 muaj opozita nuk ka qenë e pranishme në Kuvend, për shkak të bojkotit dhe protestës, komunikimi mes tyre duket se nuk ka munguar.

Madje nuk ka qenë një komunikim i ashpër me debate e replika, por “miqësor” dhe këshillues.

Berisha ka rrëfyer se gjatë kësaj periudhe, por edhe pas arritjes së marrëveshjes ka shkëmbyer mesazhe me kryeministrin Rama duke iu referuar edhe situatës politike në vend.

I kam thënë se duhet të ndryshojë qëndrim, i kam shkruar për ecurinë e situatës politike, por edhe mesazhe të tjera.

  • Marrëveshje PS-PD edhe pas zgjedhjeve? Berisha: E vetmja rrugë për të hyrë në BE

Sali Berisha ka komentuar sot përjashtimin e Ilir Metës nga tryeza e negociatave Rama-Basha. Sipas Berishës, Meta u pa për herë të fundit në takimin me David McAllister, ndërsa në tryezën e nxitur nga Hoyt Biran Yee ai mungoi pasi e kishtë bërë zgjedhjen e tij.

“Ilir Meta kishte pranuar presidentin. Nuk them se kjo e defaktoriziu, por ai kishte pranuar hyrjen në zgjedhje dhe kishte dorëzuar listat. Ai e kishte bërë zgjedhjen e tij” – tha ndër të tjera ish-kryeministrit.

Berisha komentoi edhe deklaratat e Edmond Spahos. Sipas këtij të fundit, LSI dhe PDIU do të jenë në opozitë pas 25 qershorit. A ka plan për koalicion me bazë të gjerë mes PS dhe PD? Berisha tha se në dijeninë e tij nuk ka asnjë plan të tillë.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes, Berisha tha se ai e inkurajon atë. Sipas tij vendi nuk ecën drejt Bashkimit Evropian pa një bashkëpunim mes dy forcave kryesore edhe pas zgjedhjeve.

***

  • Berisha: Çfarë ndodhi mes Ramës dhe Bashës nuk do të mësohet kurrë

Sali Berisha ka zbardhur sot rrugëtimin e marrëveshjes mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Duke folur për Eni Vasilin, ish-kryeministri tha se ndikim në të dyja palët pati biseda me Hoyt Brian Yee.

Ai zbuloi sesi u hartua marrëveshja që përmban 7 ministrat dhe zv. Kryeministrin. Pozicioni i këtij të fundit për t’ia dhënë opozitës erdhi nga zyrtari amerikan.

Berisha tha se kërkesa për ministritë e dhëna opozitës erdhi nga Lulzim Basha. Ish-kryeministri tha se ministritë iu kërkuan Ramës në takimin e dytë të thirrur nga Bujar Nishani.

Gjithashtu, ish-kreu i PD zbuloi edhe përfshirjen e propozimeve të Lulzim Bashës në dialog. Ai tha se personalisht i ka kërkuar ambasadorit amerikan Donald Lu që t’i përfshinte në dokumentet e negociatave edhe kërkesat e Bashës për ministra teknikë dhe zv.kryeministrin.

Sipas Sali Berishës, ajo që ndodhi atë natë në pak orë nuk do ta marrë vesh askush. Ish-kryeministri tha se Ramës i nxorri dikush një karton të kuq nga jashtë vendit dhe ky qe shkaku që pranoi paketën e propozuar nga Lulzim Basha.

  • Berisha: Marrëveshja është arritje e Ramës, por unë nuk do ta bëja kurrë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar mbrëmjen e sotme arritjen e marrëveshjes me Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Duke folur për ministritë teknike dhe institucionet e tjera që iu lanë opozitës, Berisha tha se nuk ka marrëveshje të shumës zero në paqe.

Ai e cilësoi paktin si arritje personale të Edi Ramës. Berisha tha në studion e Eni Vasailit se Rama e shpëtoi vendin nga zgjedhjet moniste që sipas tij rrezikonin vendin. Berisha pranoi se një marrëveshje të tillë vetë ai nuk do ta bënte kurrë.

“Padiskutim që arritja e marrëveshjes ishte një arritje e tij personale, jo politike. Sepse ishte në fund të fundit “shpëto atë që mundesh”. Dhe ai shpëtoi atë që mundi, nuk hyri në histori si njeriu që do të bënte zgjedhje moniste, çka do të ishte për të damkosja më e madhe. Ai në mënyrë të papritur dhe këtu shënon një arritje personale në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sepse ai shpëtoi nga humnera drejt së cilës po ecte me shpejtësi” – tha Berisha.