INSTAT: Inflacioni në masën 2%. Veshjet, më të lira në korrik, por çmimet e ushqimeve rriten

Instituti i Statistikave bëri të ditur se, inflacioni për muajin korrik 2017 pësoi një rënie të lehtë në 2%, nga niveli 2,2% i muajit qershor, por brënda segmentit të parashikuar të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me tw dhënat e një viti më parë, inflacioni ka një tendencë në rritje, krahasuar me muajin korrik 2016 që ishte 1.9%. Sipas INSTAT-it, krahasuar me muajin korrik 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,7%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 %, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” me nga 0,7 % secili, “komunikimi” me 0,6%, “transporti” me 0,4%, etj. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet“ u rritën me 13,7%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,2%, “peshk” me 4,3 %, “qumësht, djath e vezë” me 4,1%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 3,1%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,0%. Ulja më e madhe vjetore e çmimeve vërehet në grupin “veshje dhe këpucë” me 1,7 %, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1 % secili. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për këtë vit të jetë në nivelin 2.3%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 1.3% i regjistruar në vitin e kaluar. Rritja graduale e inflacionit po mbështetet nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme, por edhe nga përmirësimet në mjedisin e jashtëm ekonomik, që përcillen në çmime më të larta të lëndëve të para dhe rritje të inflacionit të importuar.