INCIDENTET ZGJEDHORE/Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vizitoi në Spitalin e Traumës koordinatorin e LSI-së në Fushë Krujë, Blerim Çela

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama dhe kandidatët për deputetë të LSI-së në Qarkun Durrës, Nora Malaj dhe Agim Xheka, vizituan në Spitalin e Traumës koordinatorin e LSI-së në Fushë Krujë, Blerim Çela.

Çela ishte transportuar më herë në urgjencë pasi u dhunua barbarisht nga të panjohur në momentin që ndodhej në një prej zyrave elektorale të LSI-së në zonën e Fushë Krujës. Pasi u njoh nga afër me gjendjen shëndetësore të koordinatorit të LSI-së, z. Meta i uroi shërim sa më të shpejtë Blerim Çelës dhe kërkoi vënien para përgjegjësisë ligjore të agresorëve.

Më pas kandidatja e LSI-së në qarkun Durrës, Nora Malaj, dha një prononcim për median, ku i bëri thirrje autoriteteve shtetërore të marrin masa për të ndalur dhunën ndaj përfaqësuesve të LSI-së dhe kërkoi distancimin nga akte të tilla të turpshme nga ana e policisë dhe forcave politike.

Prononcimi për i kandidates për deputete të LSI-së, Nora Malaj

Sot ndjej keqardhjen më të madhe që jam pikërisht këtu, në Spitalin Ushtarak, për të bërë këtë prononcim, që është jashtëzakonisht shumë i rëndë, ku segmente të paidentifikuar të policisë së Rilindjes në bashkëpunim me të inkriminuar, sot pa pikën e turpit me papërgjegjshmërinë më të madhe qytetare dhe morale, kanë goditur me levë dhe më pas kanë drejtuar armët ndaj një qytetari, një mësuesi, një drejtuesi, i cili ishte dhe priste takimin elektoral. Është e pafalshme dhe i paprecedent ky rast.

Në një kohë kur themi për të drejtën e njeriut dhe kur flasim për lirinë dhe demokracinë e njerëzve, nuk mund të mendojmë që këtë popull mund ta trembim duke dhunuar individin dhe duke marrë nëpër këmbë atë që quhet shenjtëria e votës dhe shenjtëria e jetës. Askush nuk ka të drejtë ta marrë jetën. As ata që ta japin, dhe as ta që duhet ta gëzojnë.

Sot ka ardhur momenti që t’ju bëj thirrje të gjithëve që të heqim dorë nga kjo histori e trishtuar dhe e dhimbur, duke pasur parasysh që, nëse në Shqipërinë e duam, kjo nuk është Shqipëria që ne duam. Shqipëria që ne duam është Shqipëria e vlerës, që bën zgjidhje të problemeve dhe jo Shqipëria e dhunës dhe e paraqitjes me armë e me levë për të thyer e për të fyer një mësues dhe një titullar të një institucioni arsimor.

I bëj thirrje policisë, asaj policie që e quan veten të pa inkriminuar, por që sot po na del tamam si pjesë e policisë së drogës. I bëjmë thirrje policisë së Rilindjes, qytetarëve që të kenë kujdes, të mos luajnë me votën, se vota është e shenjtë. Ju bëj thirrje të gjithë organizmave ndërkombëtarë. Çdo jetë e shqiptarit është e shenjtë dhe e shtrenjtë.

Ndaj, askush të mos guxojë që të përdhosë situatën e një fushate për ta përmbyllur me sukses dhe për të treguar që shoqëria jonë do të ndërtohet mbi bazën e vlerave, dhe jo mbi bazën e armëve dhe dhunës.

I bëj thirrje ministres teknike të Arsimit që të vijë ta shohë këtë mësues këtu sot, për të bërë jo vetëm vlerësimin kur shkojnë në fushatë, por për të bërë edhe gjetjen e individëve, të cilët nuk kanë turp, por dalin rrugëve me armë, dalin rrugëve me qyta dhe dhunojnë njerëzit për arsyen e vlerës së tyre për të dhënë kontributin në shoqërinë tonë.

I bëj thirrje çdo qytetari, çdo familjari të ndershëm, që të bëhet pjesë e zgjidhjes, të distancohet nga këto problematika dhe kërkoj nga Policia e Krujës dhe e Fushë-Krujës që ta zbardhi sa më shpejt targën e këtij njeriu që unë e mora dhe e gjeta dhe ta nxjerrë se kush është ai, i cili tenton, guxon në Republikën e Shqipërisë t’i vërë dorën qytetarëve të ndershëm.

Kjo tregon që atje ku mbaron logjika, atje fillon dhuna. Tashmë, ata që kanë frikë të mendohen mirë, se kur ata tërbohen, populli mendohet dhe të mos kenë frikë nga vota, por të realizojnë zgjedhje të ndershme, të sigurta dhe të garantuara.

Shpreh keqardhjen dhe i kërkoj ndjesë Blerimit dhe të gjithë këtij skenari të sotëm për të treguar që ne nuk kemi frikë, sepse Shqipëria është e shqiptarëve, nuk është e drogës, nuk është e Policisë së drogës, nuk është e Policisë së Rilindjes së drogës dhe nuk është e Policisë së atyre që nuk dinë të mbrojnë qytetarët e tyre.