Imzot Kulli: Dita Botërore e të Varfërve në dioqezën e Sapës. Lum duart që ndihmojnë e përqafojnë të varfrit

Në përkim me Papën Françesku, edhe Kisha dioqezane e Sapës, kremtoi dje Ditën kushtuar të varfërve, me një drekë vëllazërore për të varfrit e kësaj dioqeze, në të cilën morën pjesë 200 familjeve. Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, së bashku me meshtarët, motrat dhe vullnetarët e Caritasit dioqezan, shërbyen gjithë drekën, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore ndaj më nevojtarëve. Një shembull ky konkret ungjillor që tregon barazinë me të varfrit, solidaritetin dhe kujdesin ndaj tyre. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit….

MOS TË DUAM ME FJALË POR ME VEPRA

Është ky mesazhi i Atit të Shenjtë Papa Françesku, vendosur për Ditën e Parë Botërore të të Varfërve, nëpërmjet të cilit ai fton mbarë kishën që të kujdeset për shtresën e të varfërve.

Nisur nga kjo, edhe Caritas Sapa me mbështetjen e Ipeshkvit Imzot Simon Kulli, organizoi një drekë vëllazërore për të varfërit e kësaj dioqeze, me pjesëmarrjen e 200 familjeve. Në këtë ditë kushtuar të varfërve, bariu i kësaj grigje, së bashku me meshtarët, motrat dhe vullnetarët e Caritasit nëpërmjet duarve të tyre shërbyen gjithë drekën, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore ndaj më nevojtarëve; një shembull ky që tregon barazinë me këto njerëz, solidaritetin dhe kujdesin ndaj tyre.

Në përshëndetjen e mirëseardhjes, ipeshkvi i vendit theksoi fjalët e Atit të Shenjtë, “ku secili nga ne është i thirrur që t’u afrohemi të varfërve, ti takojmë ato, t’i përmbushim vështrimet e tyre. Dora e tyre  e shtrirë është gjithashtu një ftesë për të dalë nga siguritë dhe ngushëllimet tona dhe për ta pranuar vlerën e varfërisë në vetvete – shtoi ipeshkvi. Prandaj, lum duart e hapura që përqafojnë të varfërit dhe i ndihmojnë ata. Janë duart që sjellin shpresën dhe derdhin balsamin e ngushëllimit mbi plagët e njerëzimit”.

Në kremtimin e kësaj dite përveç ushqimit, nuk munguan edhe momentet e gëzimit dhe alegrisë që bashkëndanë mes vëllezërve, të cilët gjejnë një strehë të ngrohtë dashurie dhe miqësie pranë institucionit bamirës të Caritasit. Ndaj Caritasi për njerëzit në nevojë ka treguar gjithmonë vëmendje dhe mbështetje jo vetëm në një ditë, por edhe gjatë gjithë vitit, ku familjet nevojtare trajtohen me ndihma ushqimore dhe me nisma të ndryshme në ndihmën dhe fuqizimin e ekonomisë familjare.

Nga Vau-Dejes per Radio Vatikani- Violeta Marashi