Ilva Tare: Pse duhet një vizion i ri për “tepsinë” e Edi Ramës

Termi “tepsi” u institucionalizua si kurrë më parë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 Qershorit nga Kryetari i PS Edi Rama. Përmes kësaj metafore të gjetur për t’u kuptuar nga masat, Edi Rama u përpoq t’i shpjegonte shqiptarëve mënyrën si është trajtuar administrata publike në 27 vite demokraci. Armata prej afro 87 mijë punonjësish që paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë ka qenë e lakmuar nga partitë politike në qeverisje për të punësuar militantë.

Kriteret e punësimit kanë pasur si prioritet teserën e partisë përkatëse dhe kaq mjaftonte që pozicioni mundësisht specialist, apo drejtor e lart të garantonte një të ardhur të kënaqshme mujore për militantin. Jashtë këtij rregulli ka pasur edhe punësime që kalonin përmes pagesave ndaj përfaqësuesve partiakë për të siguruar një vend pune, thuajse fiktiv pasi përveç rrogës shumica e të punësuarve të kësaj kategorie nuk i shihnin me sy zyrat e shtetit për muaj me radhë.

Të dëmtuarit e drejtpërdrejtë të tepsisë së pushtetit së keqpërdorur nga të gjitha partitë pa përjashtim, por sidomos ato të vogla kryesisht, kanë qenë qytetarët. Ata janë ndeshur me mungesa shërbimesh, radhë të gjata në për institucione, gjetje të mikut apo dhënie të ryshfetit për të zgjidhur hallin e radhës. Me pak fjalë shërbyesit e publikut kanë vepruar si shërbëtore të partive apo mikut që i ka vendosur në atë pozicion dhe administrata ka pasur një nivel performance dhe cilësi shërbimesh ndër më të ulëtat në rajon.

Jo me termin tepsi, por si problem i identifikuar me militantizëm dhe cilësi të dobët administrata publike ka zënë vend në raportet vjetore të Bashkimit Europian si një hallkë jofunksionale që e rendiste Shqipërinë nga fundi i listës së vendeve të Ballkanit. Hapja e mundshme e negociatave me BE do të kërkojë edhe një nivel profesional shumë më cilësor të administratës dhe kapaciteteve të saj për t’iu përgjigjur kërkesave të Brukselit.

Punësimi në administratën publike në vendet e zhvilluara është i lakmuar për shkak të përfitimeve financiare dhe orareve të përshtatshme të punës, shoqëruar edhe me një vokacion individual për t’i shërbyer vendit, që në disa shtete është edhe më shumë i zhvilluar. Porse, në kushtet e sotme në Shqipëri, një profesionist që ka investuar shumë vite dhe burime financiare në formimin e tij, nuk ka asnjë arsye përse duhet ta lakmojë administratën. Përkundrazi, puna aty është e nënpaguar, krahasuar me biznesin privat dhe kënaqësia profesionale është inekzistente, në orët e pakta që kolegët mblidhen në zyrë gjatë pushimeve të kafeve të ditës.

Por mbi të gjitha i rëndësishëm është përfitimi financiar dhe fillimi i ofrimit të paketave individuale të përfitimit për punonjësit, në mënyrë që të justifikojë mundësinë për të përfituar profesionistë me integritet të lartë që e shohin shërbimin në administratën publike si një privilegj. Kompanitë publike në Europë që janë pjesë e administratës që paguhet me taksat e qytetarëve funksionojnë si ndërmarrje private dhe motivojnë punonjësit me performancë më të mirë me bonuse të posaçme, ashtu si dhe u sigurojnë akses të veçantë në institucione të tjera publike përmes skemave promovuese.

Ndaj, kur lexova që Kryeministrit Rama i kishin shkruar tri individë me edukim jashtë vendit dhe që kanë ndërtuar një jetë me familjet e tyre në SHBA apo kudo nëpër Europë, pyetja e parë është me çfarë do t’i paguajë administrata publike shqiptare profesionistët e vërtetë. Çfarë kushtet do t’i ofrojë familjeve dhe fëmijëve të tyre? Në cilët spitale do të shkojnë kur hekuri i këndit të lojërave në një biznes privat shumë të famshëm do t’i bjerë mbi kokë fëmijës së vet? Kujt do t’i kërkojë llogari për papërgjegjshmërinë që rrezikon jetën e njerëzve? Si do t’ja shpjegojë fëmijëve që ashensori i makinës së bllokuar në garazh nuk punon sepse firma ndërtuese nuk paguan kompaninë dhe për rrjedhojë kompania ka bllokuar garazhin dhe e gjithë familja nuk ka mundësi të udhëtojë në fundjavë dhe është e detyruar të zbresë me qindra shkallë në këmbë derisa të vijë tekniku i ashensorit të banorëve, që është gjithashtu në konflikt me disa nga pronarët.

Sigurisht këto përgjigje nuk do të jepen brenda ditës dhe as “timonieri” i pas 25 Qershorit nuk e ka fuqinë për të bërë magji. Por, kur i fton shqiptarët që kanë jetuar në komunitetet të jetueshme duhet t’ua bëjë të qartë çfarë i përket në rastin më të pakët dhe të bëjë të pamundurën të fillojë një vizion të ri të funksionimit të institucioneve publike apo private qofshin. Përndryshe edhe të kthyerit e entuziasmuar nga një fitore e pazakontë e Edi Ramës do të kenë fundin e disa të tjerëve që kanë rrezikuar vite më parë dhe tanimë janë rikthyer në vendet e jetueshme, ku papërgjegjshmëria dënohet me ligj dhe shteti ligjor ka një përgjigje për gjithçka nuk funksionon. (Javanews.al)